“Ekskluzivitet” në titull, kurse demant në artikull

Foto ilustrim

Koalicioni parazgjedhor mes tri partive politike, Aleanca për Shqiptarët, Alternativa dhe Lëvizja Besa krijoi moment ideal që disa media në Maqedoninë e Veriut të publikojnë informacione të cilat u thirrën në burime aspak të verifikuara. Kështu ndodhi edhe me artikullin që do ta recensojmë më poshtë.

TetovaLajm: EKSKLUZIVE: Sela ka bërë ofertë pa konsultuar Kryesinë Qendrore, ndarje dhe pa knaqësi në ASH
TetovaLajm: EKSKLUZIVE: Sela ka bërë ofertë pa konsultuar Kryesinë Qendrore, ndarje dhe pa knaqësi në ASH

Linku deri te artikulli: “EKSKLUZIVE: Sela ka bërë ofertë pa konsultuar Kryesinë Qendrore, ndarje dhe pa knaqësi në ASH

Data e publikimit: 05.02.2020

Data e recensionit: 06.02.2020

Recensuese: Fatbardha Curri

Kur ekskluziviteti bazohet në “fjalë”, e jo burime

Artikulli është shpërndarë me titullin që mbante termin “ekskluzivitet”, që te publiku krijoi idenë se bëhet fjalë për një informacion të ri dhe që është siguruar vetëm nga ajo. Megjithatë, kur lexohet artikulli, shihet se informacioni që jepet thirret në burime aspak të verifikuara.

“EKSKLUZIVE: Sela ka bërë ofertë pa konsultuar Kryesinë Qendrore, ndarje dhe pa knaqësi në ASH”, thuhet në titullin e artikullit që e recensojmë.

Edhe pse në titull thuhet se ka ndarje në ASH, nuk dëshmohet, qofte edhe me nje rast konkret. Dyshimi për vërtetësinë e informacionit që transmetohet, e rrit më shumë fakti se në artikull citohet një media tjetër, e cila kur u kontrollua, artikullin e fundit që e kishte publikuar ishte më 29 janar.

“Siç mëson TopAlNews, ekskluzivisht, Sela ka bërë ofertë pa konsultuar Kryesinë Qendrore, duke shkaktuar pa kënaqësi të madhe edhe Brenda ASH-së. Gjithashtu, siç mësohet Brenda ASH-së ka dallime të mëdha, sa i përket koalicioneve, ku shumica janë për koalicion opozitar, ndërsa të tjerë për koalicion me parti qeveritare”, thuhet në artikullin që e recensojmë.

Publikimi i artikujve që përveç se nuk kanë burime të verifikuara, njashtu janë të njëanshme dhe të pabalancuara, është në kundërshtim edhe me Kodin Etik të Gazetarëve.

E për të parandaluar këto situata ku pushteti politik përpiqet të shesë “të vërtetën e tyre” si opinion të publikut, në Doracakun e “Krithinkut” rekomandohet të zhvillohet të menduarit kritik, me qëllim që të krijohen lidhjet logjike për të konfirmuar si idetë ashtu edhe burimet e informacioneve.

“Çdo ditë shumë qendra të pushtetit (politik, biznesit, bashkësisë ekonomike) përpiqen të “shesin të vërtetën e tyre”, dhe të menduarit kritik e bllokon mundësinë e manipulimit dhe joshjes, gjegjësisht nga marrja e gjykimeve të gabuara”, thuhet në doracakun e “Krithinkut”.

Nga këtu del edhe porosia, se jo çdo informacion që plasohet në media, duhet të merret si i vërtetë, aq më tepër kur të njëjtat nuk thirren në burime të verifikuara dhe nuk dëshmohen me raste konkrete.