Komunikatat janë vlerësim ose pikëpamje e një institucioni, partie politike, organizate, etj. Si të tilla, nuk janë lajme sepse nuk kanë karakteristikat e një lajmi. Se cilat janë kriteret që e bëjnë këtë tekst joprofesional, i sqarojmë më poshtë.
Linku deri te artikulli origjinal: Është skandaloze sjellja e pushtetit, i cili i përballur me disfatë humbet kontroll
Data e publikimit: 17.04.2019
Data e recensionit: 19.04.2019
Recensues: Fatlume Dervishi
Përpunimi i komunikatave të institucioneve ose organizatave të caktuara është i nevojshëm në qoftë se duam që t’i transmetojmë si pjesë e lajmeve. E para, duhet qartë të theksohet se ku fillon dhe ku përfundon komunikata, nga vjen, të vendoset në thonjëza dhe të sqarohet konteksti.
Komunikatat përmbajnë vlerësime subjektive. Sidomos përmbajtja e komunikatave të partive politike është e mbushur me retorikë sulmuese ndaj kundërshtarit, informacione të pakonfirmuara dhe akuza të rënda. Jo domosdoshmërisht partitw kanë nevojë për fakte. Por, lajmi është diçka tjetër, ai ndërtohet mbi faktet. Në këtë rast, media ka marrë duke kopjuar fund e krye një komunikatë të një partie politike, pa e njoftuar lexuesin në kohë se çfarë është duke lexuar.
“Nervozizëm te Zaevi dhe Pendarovski nga disfata e pashmangshme zgjedhore është gjithnjë e më e dukshme. Aktivistë të pushtetit kërcënohen se me pistoleta do të hyjnë në KSHZ, publikisht para kamerave, ndërsa Stevo Pendarovski hesht. Pendarovski dhe Zaevi e dinë që po humbasin dhe për këtë edhe kërcënohen. Kriminaliteti është rritur. Vetëm disa ditë para zgjedhjeve nga banka në Shkup janë marrë 150.000 euro, ndërsa Spasovski hesht dhe ende nuk i ka gjetur grabitësit. A thua me këtë mosveprim, Spasovski në fakt i fsheh grabitësit? Ekziston dyshim themelor në opinion se këto para do të shfrytëzohen për blerjen e votave. Disfata e Pendarovskit i cili më shumë se i qartë ka kontribuar që pushteti të shkojë drejt metodave kriminale.” shkruan në lajmin që e recensojmë.
Parimet e shfrytëzimit të komunikatave
Akuzat për blerje votash, për krim të rëndë, për kërcënime ndaj votuesve, për grabitje të bankës, që janë përdorur në këtë shkrim janë retorikë normale që e dëgjojmë çdo ditë mes oponentëve politik. Në formën e lajmit kjo komunikatë duhet të ishte cituar dhe të ishte marrë reagimi i palës tjetër. Akuzat janë të rënda dhe gazetari s’mund të marrë përgjegjësinë e vërtetësisë së tyre pa pasur fakte.
“Gazetari duhet të botojë informata të sakta dhe të provuara dhe nuk do të fshehë të dhëna esenciale dhe të falsifikojë dokumente. Nëse informata nuk mund të konfirmohet, ose nëse bëhet fjalë për supozim, respektivisht spekulim, kjo gjë duhet të thuhet dhe të publikohet. Saktësia e informatës duhet të provohet sa më shumë të jetë e mundur.”
Fare në fund të tekstit gazetari shkruan “Qendra për Komunikime e VMRO-DPMNE-së”. Citimi është shumë i vonshëm pasi lexuesit të kenë marrë mesazhin.
Ku qëndron manipulimi?
Autori ka bërë “analogji të rrejshme” dhe “thirje në probabilitet”. Vjedhja e bankës është lidhur direkt me zgjedhjet dhe me gjasë, blerjen e votave, pa pasur mjaftueshëm fakte për këto pretendime. Teksti është bazuar edhe në “dëshmi selektive” duke mos u marrë as mundimi të kontaktohet pala që akuzohet.
Lexuesit duhet të dinë se:
Hulumtimet e llojit që do të zbardhnin keqpërdorimet e kësaj natyre për të cilat flitet në tekstin e recensuar do të zenin titujt kryesor të lajmeve sepse janë vërtetë gjë e madhe. Por kur nuk ka fakte për t’i dëshmuar ata, mbeten vetëm fjalë. Gazetari këto pretendime mund t’i shfrytëzojë si bazë për hulumtime të mëtejshme por nuk mund t’i marrë si punë e kryer përderi sa nuk i ka verifikuar. Kur ja atribuon dikujt tjetër (partisë politike VMRO-DPMNE në këtë rast) dhe kur e heq përgjegjësinë për vërtetësinë e tyre nga vetja, kjo duhet të jetë qartë e theksuar që në fillim për secilin që e lexon atë përmbajtje.