[Recension: Skandal… Kryetari i Demir Hisarit, Marjan, kapet me shërbëtoren, kështu që tani është në Manastir me qira me dashnoren, ka pasur shumë rrahje]
Zgjedhje skandaloze e temës, teksti i shkruar në mënyrë skandaloze, ndërhyrje skandaloze në privatësinë e dy familjeve, publikim skandaloz i fotografive të një personi, i cili etiketohet si i pamoralshëm dhe e gjithë kjo nuk është aspak në funksion të interesit publik!
Në këtë artikull, janë shkelur të paktën tre nene të Kodit të Gazetarëve, në mes të cilave edhe dispozitat që përcaktojnë se gazetari do t’i respektojë ligjet e vendit, por nuk do të publikojë e as nuk do të fshehë diçka që është në kundërshtim me interesin publik, se gazetari do ta respektojë privatësinë e personit, përveç kur kjo është në kundërshtim me interesin publik dhe se gazetari do t’i përmbahet edhe standardeve shoqërore të pranuara gjerësisht të mirësjelljes.
Linku deri te artikulli origjinal: Skandal… Kryetari i Demir Hisarit, Marjan, kapet me shërbëtoren, kështu që tani është në Manastir me qira me dashnoren, ka pasur shumë rrahje
Data dhe koha e publikimit: 2.4.2020
Data e recensionit: 5.4.2020
Recenzues: Mirosllava Burns
Ky tekst e dëmton drejtpërdrejt reputacionin dhe nderin e të paktën dy personave, paraqet bazë mbi të cilën në të ardhmen mund të kërkohet dënim dhe linçim publik. Publikimi i detajeve nga jeta private edhe atë me një fjalor dhe stil shkrimi që është thellësisht senzacionalist, është i papranueshëm. Rrethanat personale dhe familjare nuk janë me interes për qytetarët! Janë publikuar edhe fotografitë e një personi që nuk është aspak person publik, ajo është përshkruar në detaje, stigmatizohet, akuzohet për imoralitet.
Në nenin 16 të Kodit të Gazetarëve thuhet se gazetari do ta ruajë prestigjin dhe dinjitetin e profesionit të tij, do ta nxisë solidaritetin reciprok dhe pluralizmin e mendimeve dhe nuk do ta përdorë medien e tij për t’i qëruar hesapet me persona të ndryshëm, duke i përfshirë këtu edhe kolegët e tij.
Janë përfshirë edhe fëmijët e funksionarit dhe është vërtet e pakëndshme të imagjinohet efekti i artikujve të këtillë mbi ta dhe mbi familjet e atyre që janë përfshirë në përgjithësi. Nuk ka asnjë arsyetim për spekulimet e këtilla, për publikimin e rrethanave personale dhe familjare. Teksti është joprofesional dhe i palejueshëm, si në kontekstin e zgjedhjes së temës, ashtu edhe në kontekstin e mënyrës së shkrimit të tij. Është shkruar me zhargon çarshie, një lehtësi e paparë në përdorimin e fyerjeve gjatë prezantimit të intimitetit dhe ngjarjeve të pretenduara, të cilat, pavarësisht se a kanë ndodhur ose jo, nuk duhet të gjejnë vendin e tyre në asnjë medie profesionale.
Janë bërë edhe pretendime për dhunë, të cilat nuk janë mbështetur me asnjë provë, ndërsa akuzat e këtilla serioze kundër kryetarit të komunës e dëmtojnë reputacionin e tij. Një informacion i tillë mund të shkaktojë pasoja dhe dëme jomateriale për ata që janë të përfshirë, të llogaritura në turp, stigmë, intolerancë, tallje dhe një mori efektesh të tjera negative.
Teksti është përplot me shpifje dhe fyerje, në publikimin e tij nuk ka asnjë interes publik, ndërsa qëllimi kryesor i këtij publikimi është senzacionalizmi, dëshira për lexueshmëri sa më të madhe me çdo kusht, ndërsa çmimi në këtë rast dhe metodat e përdorura janë të paskrupullta – reputacioni i dy familjeve.
Me publikimin e tij nuk është arsyetuar funksioni i gazetarisë profesionale, e ai është interesi publik. Tekste të tilla janë habitëse.