Euforia partiake në Krushopek gjeti një ton në vend të një kilogrami kokainë

[Recension: Çulevi me ndërhyrje rrëshqitëse me dy këmbë ndaj nëntokës: Në rrjedhë e sipër është aksioni policor në Saraj, konfiskohen 1,3 tonë kokainë!]

Titull soditës, fakte të pa verifikuara dhe një “puf” i madh! Kjo do të ishte një përmbledhje e shkurtër e lajmit që e recensojmë. Lajmi ka të bëjë me aksionin policor të 19 shkurtit në fshatin Krushopek të Shkupit, ku në aksionin policor u konfiskua një sasi e madhe kokaine. Por, as që bëhet fjalë për 1.3 tonë drogë, e as që ka vend për triumfalizëm dhe shprehje tifozerie, e aq më pak për raportim të njëanshëm politik, siç manifestohet në këtë lajm gazetaresk.  Në fund të fundit, jo vetëm në këtë artikull, por një qasje e tillë, nuk e ka vendin në gazetarinë serioze.

Linku deri te artikulli origjinal: Çulevi me ndërhyrje rrëshqitëse me dy këmbë ndaj nëntokës: Në rrjedhë e sipër është aksioni policor në Saraj, konfiskohen 1,3 tonë kokainë!

Data dhe koha e publikimit: 19.2.2020

Data e recensionit: 20.2.2020

Recenzues: Jugosllava Dukovska 

Faktet flasin si më poshtë:  Në fshatin Krushopek të Shkupit, vonë pasdite më 19 shkurt, u zhvillua një aksion policor për zbulimin e trafikut të paligjshëm të drogës. Në operacion u sekuestrua 1 kilogram kokainë, e fshehur në një kamion me dërgesë të bananeve, importuesi i së cilës ishte firma Baneks Kompani nga Krushopeku. Bëhet fjalë për një aksion ndërkombëtar, i realizuar nga policia e Maqedonisë në bashkëpunim me kolegët e tyre italianë dhe malazezë, ndërsa dërgesa e sekuestruar ishte vetëm një pjesë e mbi një ton kokaine, të kapur më parë në një aksion në Shqipëri, të lëshuar nga policia italiane në një dërgesë me banane për ta zbuluar gjithë zinxhirin e trafikimit kriminal. Rruga e trafikut të kokainës ishte nga Meksika përmes Malit të Zi, Shqipërisë dhe vendkalimit kufitar Qafë e Thanës, ndërsa mediat raportuan se destinacioni i fundit i kokainës ishte Sllovenia.

Duke e ndjekur burimin origjinal të informacionit gjegjësisht TV21, ku titulli i lajmit të botuar në orën 17:14 ishte: TV21 kupton: Është duke u zhvilluar aksioni policor në Saraj, është konfiskuar kokainë, jozyrtarisht e gjithë dërgesa është 1.3 tonë, mund të shihet se prej nga vjen i gjithë konfuzioni. Do të thotë kokaina ishte pjesë e një dërgese më të madhe që peshonte madje 1.3 tonë, por kjo sasi nuk u sekuestrua në aksion. Mirëpo, lajmi që e recensojmë e injoron këtë detaj të rëndësishëm.

Artikulli i referohet informacionit të televizionit TV21, i cili raportoi vazhdimisht dhe në mënyrë shumë të detajuar për rastin, por nuk ofron link deri te lajmi që e përdor si burim.

Meqenëse lajmi i “Infomaks”-it nuk e përmban kohën e publikimit, por vetëm datën – 19.02, nuk dihet nëse aksioni ishte ende në vazhdim në kohën e shkrimit të tekstit, dhe nuk ishin të qarta sa duhet të gjitha detajet që lidhen me të, apo qëllimisht nuk thuhet se TV 21, e me këtë edhe lajmi i recensuar, mbështeten në informacione të pakonfirmuara nga burime jozyrtare, me gjasë, nga policia.

Sipas informacioneve të TV21, në fshatin Krushopek të Sarajit, është duke u zhvilluar një aksion policor, ku janë konfiskuar 1.3 ton kokainë, thuhet në lajmin që e recensojmë.

Por, dilema se a bëhet fjalë për gabim të rastit nga nxitimi, apo është në pyetje për raportim tendencioz për këtë ngjarje, zgjidhet kur merret parasysh konteksti më i gjerë i gjithë ngjarjes. Në fakt, aksioni zhvillohet kur në krye të Ministrisë së Punëve të Brendshme është Naqe Çulev, i cili është ministër teknik nga radhët e VMRO-DPMNE-së në qeveri, dhe plotësisht jashtë procedurave policore, por edhe logjikës, “burimet e policisë” disa mediave u kanë “pëshpëritur” për aksionin Krushopek, derisa ai ishte duke u zhvilluar.

Kronologjia e ngjarjes tregon se Çulevi, menjëherë pasi u paraqitën lajmet e para për aksionin në Krushopek, në profilin e tij në Facebook u lavdërua se kishte një aksion për konfiskim të drogës në këtë fshat të Shkupit dhe se:

kishte kaluar ardhur koha udhëheqësia e lartë e MPB-së bashkëpunonte dhe i mbështeste strukturat kriminale në vend.

Gjegjësisht, se tani:

i gjithë kapaciteti i Ministrisë së Punëve të Brendshme është vënë në mbrojtjen e qytetarëve dhe të sigurisë së shtetit.

Funksionarë të lartë të kësaj partie, menjëherë pas kësaj, derisa ende kishte paqartësi në lidhje me atë se për çfarë sasie të kokainës bëhet fjalë, dolën pothuajse njëkohësisht në publik duke e lavdëruar punën e ministrit të brendshëm të partisë së tyre, duke e përdorur konfuzionin për sasinë e drogës së sekuestruar.

Aleksandar Nikollovski, nënkryetar i VMRO-DPMNE-së për televizionin Telma deklaroi:

Asnjëherë më parë nuk ka pasur aq shumë kokainë sa në tre vitet e fundit. Të gjithë kemi mundur të shohim se si kokaina shitej në rrugë. Naqe Çulev erdhi në Ministri dhe menjëherë kemi aksion për luftimin e kësaj dukurie. Ky është dallimi.

Ndërkohë, bashkëpartaku i tij, Ilija Dimovski, në rrjetin social “Twitter” komentoi:

Në tre vitet e pushtetit të LSDM-së nuk kemi dëgjuar se është kapur asnjë kilogram kokainë… Sot, MPB-ja sekuestroi 1.3 tonë … Sasia më e madhe e kapur ndonjëherë në RM… A ishin të verbër? Apo …?

Mirëpo, me këtë rast të gjithë harruan të përmendnin se, në fakt, bëhej fjalë për një aksion ndërkombëtar dhe se puna kryesore për sekuestrimin e më shumë se një ton kokaine ishte bërë në një vend tjetër dhe nga forcat e tjera, të huaja policore.

Kështu, euforia partiake nga suksesi i Çulevit në Krushopek bëri jehonë edhe në artikullin që i nënshtrohet këtij recensioni. Në këtë rast, përpjekja për të fituar ndonjë pikë të rëndësishme politike dhe për të treguar se opozita është “duke e luftuar krimin, ndërsa qeveria bashkëpunon me të”, është bërë edhe me çmim të raportimit jo të drejtë për një aktivitet të policisë, si pjesë e luftës ndërkombëtare kundër trafikut të paligjshëm të drogës.