Euvsdisinfo: Shmangie në vend të dialogut

Kremlini iu përgjigj ftesës së Bashkimit Evropian për dialog me një përpjekje të paturpshme për të larguar vëmendjen nga shkelja e detyrimeve ndërkombëtare të Rusisë dhe ligjeve të saj, shkruan Euvsdisinfo, raporton “Krithink”.

Gjatë konferencës për shtyp pas takimit midis Zëvendës Presidentit të Komisionit Evropian dhe Përfaqësuesit të Lartë të Bashkimit Evropian për Punët e Jashtme Joseph Borrell dhe Ministrit të Punëve të Jashtme të Rusisë, Sergey Lavrov, kishte disa deklarata të rreme, shpesh të përdorura për të keqinformuar nga mediat pro-Kremlin, të dokumentuara edhe në bazën e të dhënave EuvsDisinfo. Më posht janë disa shembuj:

“Sanksionet janë të paligjshme”

BE ka vendosur sanksione në përputhje të plotë me ligjin evropian dhe ndërkombëtar, duke kufizuar shitjen e pajisjeve ushtarake me përdorim të dyfishtë në Rusi. BE ka futur gjithashtu një sistem të kufizimeve individuale për persona të caktuar, në përputhje me ligjin ndërkombëtar dhe në lidhje me veprimet e Rusisë që kërcënojnë integritetin territorial, sovranitetin dhe pavarësinë e Ukrainës. Aktualisht, 177 shtetas rusë u nënshtrohen masave kufizuese individuale. Ju mund të lexoni më shumë rreth sanksioneve këtu.

“BE akuzon Rusinë për dezinformim pa prova”

Media ruse, përfshirë RT dhe Sputnik të kontrolluar nga shteti, kanë përhapur në mënyrë të përsëritur pretendime të rreme rreth pandemisë. Dezinformimi i parë i tillë u përhap nga Sputnik Bjellorusi, i cili pretendoi se virusi ishte një produkt i laboratorëve të NATO-s. Në 13 muaj, Grupi Punues i Stratkom-it Lindor ka mbledhur mbi 700 raste të keqinformimit për Kovid-19, të gjitha të disponueshme në këtë bazë të dhënash publike.

Ju mund të lexoni më shumë analiza të dezinformatave të ngjashme të vendosura nga media pro-qeveritare ruse në faqen e internetit të Eusdisinfo.