Fatkeqësia e fatkeqësive

Fatkeqësitë dhe çështjet që kanë të bëjnë me to nuk janë ekskluzivitet vetëm për gazetarët e “kronikave të zeza”, por për çdo gazetar dhe redaktor, veçanërisht për gazetarët që janë kujdestarë gjatë fundjavës ose gjatë festave, kur sipas ndonjë rregulli të pashkruar, rritet numri i fatkeqësive, ndërsa numri i ekipeve gazetareske zvogëlohet.

Shkruan: Sashe Dimovski

FОТО: Gjak në të gjitha anët – pamje tmerruese në vendin ku e humbën jetën pesë shkupjanë të rinj

VIDEO: Nga BMW0ja luksoze nuk mbeti asgjë – pamje të tmerrshme nga fatkeqësia te “Rampa”

FOTO: Gjak në mure – pesë djem vdiqën në qendër të Shkupit

Fatkeqësitë nuk zgjedhin as vend as kohë. As atë se cili gazetar mund të ndodhë në vendin e ngjarjes ose kush do ta publikojë informatën i pari. Prandaj, të gjithë gazetarët duhet ta dijnë se çka mund të publikojnë si video ose si fotografi, nga këto, zakonisht, ngjarje tragjike.

Fatkeqësitë dhe çështjet që kanë të bëjnë me to nuk janë ekskluzivitet vetëm për gazetarët e “kronikave të zeza”, por për çdo gazetar dhe redaktor, veçanërisht për gazetarët që janë kujdestarë gjatë fundjavës ose gjatë festave, kur sipas ndonjë rregulli të pashkruar, rritet numri i fatkeqësive, ndërsa numri i ekipeve gazetareske zvogëlohet. Në një situatë të tillë, kur çdo gazetar “mbulon” gjithçka që do të ndodhë gjatë kujdestarisë, disa këshilla për këtë temë mund të jenë shumë të dobishme.

Rekomandohet, që të gjithë gazetarët, në qoftë se redaksitë kanë kushte për këtë, të ndjekin një trajnim të caktuar për përballje me situatat e krizës, pavarësisht se në cilën rubrikë punojnë: atë për politikë, kulturë, kronikë të zezë apo sport.

Në situata urgjente, cili do qoftë gazetar mund të ndodhë të mbulojë situata të krizës

Shembujt e mëposhtëm tregojnë se lajmin do ta publikojë gazetari i cili do të gjendet në vendin e ngjarjes, pavarësisht nga ndarja sektoriale e redaksisë: më 3 tetot të vitit 1995, një ekip i Televizionit të Maqedonisë, e cila ka qenë në Muzeun e Qytetit të Shkupit (nga redaksia e kulturës) i ka bërë inçizimet e para nga atentati ndaj kryetarit Kiro Gligorov.

Në vitin 2004, për vdekjen e kryetarit Boris Trajkovski, raportet nga Mostari i dërgoi gazetarja e agjencisë së lajmeve MIA, e cila si raportuese që i mbulon temat ekonomike, ishte në konferencën që u mbajt në BdheH.

Mirëpo, atë që duhet ta dijnë të gjithë gazetarët, pavarësisht nga ajo se cili është preokupimi i tyre kryesor në kuadër të redaksisë, është se:

Mënyra e informimit në rastet e fatkeqësive, katastrofave natyrore, luftërave, tragjedive familjare, sëmundjeve, proceseve gjyqësore duhet të jetë e çliruar nga senzacionalizmi. (Neni 8 i Kodit të gazetarëve të Maqedonisë)

Mirëpo, a është ashtu?

Paraqitja e medieve të reja, para së gjithash e ueb-portaleve dhe medieve elektronike, si dhe parimi i kopjimit të lajmeve të plasuara në ndonjë medie konkurrente, i pajisur komplet – prej titullit e deri te fotografia, çoi në një trend brengosës: merren dhe transmetohen fotografi dhe video përmbajtja e të cilave nuk mund të publikohet ashtu siç është fotografuar apo inçizuar.

Titujt me të cilët e filluam këtë leksion gazetaresk tregojnë se artikujt jo vetëm që nuk janë të liruar nga senzacionalizmi, por që në titull lexuesit i ofrohet “shtesë” video ose fotografi, të cilat duhet ta ilustrojnë fatkeqësinë e tmerrshme të komunikacionit.

Vendi i informatave shokuese

Duke mos menduar se mjafton lajmi për të qenë shokues, e madje edhe fotografitë eventuale, gazetarët në këto shembuj përdorin edhe sqarime plotësueese se ka pasur “gjak në të gjitha anët”, si dhe se “fatkeqësia e komunikacionit është e tmerrshme”. Poashtu, ofrohen edhe fotografi nga ajo që ka mbetur nga vetura, në të cilën kanë vdekur të gjithë udhëtarët.

Mirëpo, ajo që brengos më së shumti është kjo fjali që është publikuar në ueb-portalet, menjëherë sapo është kuptuar se ka ndodhur fatkeqësi komunikacioni, në qendër të Shkupit:

“Për shkak të pamjeve të rënda, policia nuk lejon fotografim në vendin e ngjarjes”.

Çka ka dashur të na transmetojë gazetari me këtë fjali? Sikur policia të lejonte fotografim në vendin e fatkeqësisë edhe përkundër “pamjeve të rënda”, a do të plasoheshin në medie fotografitë e të vdekurve në fatkeqësi? Të cilët, kanë qenë aq shumë të shtypur në automobil, sa që për nxjerrjen e tyre është thirrë njësia e zjarrfikësve, ndërsa nxjerrja e tyre ka zgjatur një kohë të gjatë.

Pikërisht këtu qëndron përgjegjësia më e madhe e gazetarëve dhe e medieve. Si të bëjnë zgjedhje të drejtë të fotografive dhe të video-materialeve, ku, edhe përkundër shpejtimit për ta publikuar lajmin, duhet të bëhet përzgjedhje me kujdes, që të mos shokohet publiku, i cili, i ulur përpara televizorit ose në internet do të vijë në kontakt me fotografi shokuese, shqetësuese. Në rastin konkret, policia nuk ka lejuar fotografim, mirëpo mediet ndonjëherë mund të ndodhin në vendin e fatkeqësisë para se të arrijë ekipi i hetimit, prandaj materiali të cilin do ta inçizojnë ose do ta fotografojnë duhet ta përdorin në atë mënyrë që nuk do të shihen trupa të vdekur, gjak ose pjesë të trupave, që do ta shqetësonin.

Këshilli për radiodifuzion bën mbikëqyrje të medieve elektronike, të cilat janë të obliguara para emetimit ta shënojnë kategorizimin e materialit, ndërsa mediet e shtypura dhe ueb-portalet nuk kanë, mbikëqyrje, që i bën edhe më të përgjegjshme gjatë publikimit të fotografive.

Shpeshherë, për ilustrimin e lajmeve përdoren fotografi që janë marrë nga interneti, ku shihet thikë e përgjakur apo xham i thyer i automobilit ku shihet gjak, me çka, edhe pse fotografitë nuk janë bërë në vendin e ngjarjes, përsëri shkaktojnë komente negative te konsumatorët.

Gjithsesi, e potencojnë edhe çështjen e normave etike dhe sjelljen e medieve.

Kush ndodh në vendin e ngjarjes – ai raporton

Fatkeqësitë mund të jenë fatkeqësi natyrore ose elementare: tërmete, vërshime, rrëshqitje të tokës, mirëpo edhe të shkaktuara nga njeriu: fatkeqësi të ndryshme të komunikacionit, vrasje, zjarre. Për shkak se nuk mund të parashikohen, të planifikohen ose të shtyhet informata për to, ekziston rreziku serioz që mediet të kapen të papërgatitura dhe në këtë mënyrë, gjatë shpejtimit të bëjnë gabime serioze.

Si e para, në një situatë të tillë, askush nuk e di, se cili gazetar mund të qëllojë në vendin e ngjarjes ose cili ekip do të shkojë ta regjistrojë fatkeqësinë. Jo vetëm në kushte të Maqedonisë, por kjo ndodh çdokund – lajmin ta plasojë ai që ka qëlluar në vendin e fatkeqësisë ose ai që ka ardhur i pari, e më pas për ngjarjen të shkruajë ose të raportojë gazetari, i cili punon në rubrikën Kronika e zezë ose që ka ndjekur trajnim për raportim në rastet e tilla.

Prandaj, raportimi në raste të fatkeqësive të cilit do lloj qofshin, është tets srioz profesional për të gjithë gazetarët dhe redaktorët që duhet të bëjnë vlerësim të shpejtë dhe të mirëfilltë për atë se çka të publikojnë si fotografi ose inçizim, dhe me këtë të mos i shkelin rregullat etike dhe të mos e shqetësojnë publikun. Gjithsesi, kjo do të ishte e rrezikshme nëse nuk shënohet se emitohen video ose fotografi shqetësuese që nuk janë adekuate për publikun e mitur ose për njerëzit që kanë probleme shëndetësore.

Në epokën e kompjuterizimit dhe qasjes në internet dhe në rrjetet sociale, seriozisht parashtrohet pyetja se si të mbrojhet publiku i cili menjëherë mund të vijë në kontakt me fotografitë shqetësuese ku shihet gjak, fatkeqësi të rënda të komunikacionit, video nga zjarret, vërshimet, tërmetet, fotografi të njerëzve të vdekur ose të lënduar rëndë.

Kodi i cituar gazetaresk parasheh edhe se

“gazetari e ka për detyrë tëa respektojë dhimbjen dhe zinë personale, prandaj nuk preferohet që në momentin e parë të publikohet identiteti i plotë i viktimave, në situatë kur familja e të vdekurve akoma nuk është njoftuar zyrtarisht.”

Nuk është i vogël numri i shembujve ku familjet kanë kuptuar nga mediet se ka vdekur ndonjë i afërm i tyre ose në televizion e kanë parë veturën e të afërmve të tyre që ka marrë pjesë në fatkeqësinë e komunikacionit.

Prandaj, gazetari do ta respektojë privatësinë e njeriut, përveç në rastet kur kjo është në kundërshtim me interesin publik, shkruan në Kodin e gazetarëveIdentiteti i viktimave, që është mësuar në vendin e ngjarjes nga ekipet hetuese, organet hetuese ose pjesëmarrësit e tjerë në procedurën parahetimore, mund të publikohen si përjashtim i rregullës së mësipërme vetëm në qoftë se bëhet fjalë për personalitete publike ose funksionarë shtetërorë, ku ka interes të madh publik, ndërsa publiku pret informata të sakta dhe në kohë.

Si veprohet gjatë raportimit nga situatat e krizës

Prandaj, kur do ta merrni informatën për ndonjë fatkeqësi që ka ndodhur, gjëja e parë që duhet ta bëni është:

  • të niseni menjëherë për te vendi i ngjarjes;
  • të kërkoni që redaksia ose kolegë të caktuat të kontrollojnë për ju të dhëna në polici, ndihmën e shpejtë, shërbimin e zjarrfiksëve se për çfarë fatkeqësie bëhet fjalë, që të keni ide se çfarë situate do të hasni në vendin e ngjarjes;
  • të jeni të përgatitur psikikisht të shihni skena nga më morbidet, mirëpo kur do ta shkruani raportin nuk guxoni që atë që e keni parë dhe e të cila u ka lënë të ngujuar, t’ua përcillni konsumatorëve në momentin e parë me panik, qarje ose lëvizje të pakontrolluar. Veçanërisht nuk guxoni të gjestikuloni dhe t’i shfaqni emocionet nëse keni kyçje të drejtpërdrejtë në televizion;
  • duhet të zgjidhni fjalë adekuate që do ta përshkruajnë skenën e tmerrshme, të rrëqethshme dhe trishtuese që e keni hasur;
  • nëse jeni gazetar televiziv, zgjidhni që inçizimet të flasin në vend tuajin, ndërsa ju mos e ngarkoni raportin me kualifikime të panevojshme për atë se sa e tmerrshme ka qenë fatkeqësia ose se çdokund ka gjak ose pjesë të trupave të njerëzve;
  • përpiquni të siguroni deklarata nga dëshmitarët okularë;
  • në momentin e parë mos spekuloni për shkaqet e mundshme për ndodhjen e fatkeqësisë (vozitja e shpejtë ose nën ndikimin e alkoolit) për shkak se në atë mënyrë nuk e shkelni të drejtën për supozim të pafajësisë;
  • mos jepni kualifikime për gjendjen shëndetësore të shkaktuesit të fatkeqësisë (për shembull: fqinjët thonë se zjarrvënësi ka pasur çrregullim shpirtëror dhe është shëruar në Bardovc);
  • përpiquni të bini në kontakt me personat që e bëjnë hetimin, policinë, gjykatësin hetues dhe prokurorin publik dhe prej tyre mundohuni të merrni sa më shumë informata për ngjarjen;
  • gjithmonë respektoni urdhërat e ekipit që bën sigurimin e vendit të ngjarjes. Bëhuni të kujdeshëm dhe mos hynë në zonën ku ka ndodhur fatkeqësia, për shkak se mund të shkatërroni dëshmi të rëndësishme;
  • ekipet hetuese nuk kanë të drejtë t’u pengojnë ka kryeni funksionin tuaj, mirëpo kanë të drejtë ta kufizojnë qasjen në vendin e ngjarjes dhe të caktojnë që inçizimi ose fotografimi të zhvillohet nga distancë e caktuar.

Në qoftë se gjatë raportimit u është përvjedhur ndonjë gabim, përpiquni ta përmirësoni me atë që do ta publikoni informatën zyrtare, për atë se cili është shkaku i fatkeqësisë. A ka qenë shkak për fatkeqësinë e komunikacionit shpejtësia e madhe apo ndoshta ndonjë defekt i automobilit, ose ndoshta dikush zjarrin e ka vënë qëllimisht apo ai ka ndodhur si rezultat i instalimit jo të rregullt.

Me këtë rast, në raportimet nga fatkeqësitë, asnjëherë mos përdorni terme “еkskluzive” ose “kuptojmë”, për shkak se këtu fshihet kurthi më i madh që të gaboni. Për fatkeqësitë mos publikoni diçka që e keni kuptuar jozyrtarisht në qoftë se nuk keni mundësi ta verifikoni atë së paku edhe nga një burim.

Në këtë mënyrë, nëse u përmbaheni rregullave etike, do ta shmangni kurthin që të bëni gabim duke raportuar për fatkeqësitë.


Ky leksion gazetaresk është përgatitur nga kuadër të Projektit të USAID-it për përforcimin e mediumeve në Maqedoni – Komponenta Shërbimi për verifikimin e fakteve nga mediumet, që implementohet nga fondacioni Metamorfozis.. Ky leksion gazetaresk është mundësuar me përkrahjen e Agjencisë amerikane për zhvillim ndërkombëtar (USAID). Përmbajtja e analizës është përgjegjësi e autorit dhe nuk i paraqet qëndrimet e fondacionit Metamorfozis, USAID-it ose të qeverisë së SHBA-ve. Për më tepër informata për punën e USAID-it në Maqedoni, ju lutemi vizitoni ueb-faqen e USAID-it: (http://macedonia.usaid.gov) dhe faqen e USAID-it në Facebook: (www.facebook.com/USAIDMacedonia).