Filipçe nuk fajësoi myslimanët për rritjen e numrit të të infektuarve

Ky është një tekst manipulues dhe subjektiv. Akuzat janë të rënda kurse nxitjet në baza fetare janë joetike për profesionin e gazetarit. Lajmi që recensojmë është shembull se si nuk duhet të keqpërdoret hapësira mediatike nga vetë media dhe gazetari për të manipuluar opinionin publik.

Linku deri te artikulli origjinal: LSDM kërkon fajtorë tek muslimanët për dështimin e menaxhimit me KOVID 19

Data e publikimit: 26.05.2020

Data e recensionit: 27.05.2020

Recensues: Fatlume Dervishi

Teksti është mesatarisht i shkurtër por me shumë të pavërteta. Deklaratat zyrtare janë interpretuar nga ana e gazetarit në mënyrën më subjektive të mundshme, madje duke shpifur. Ministri i Shëndetësisë Venko Filipçe nuk është cituar, ashtu siç do të duhet të ishte.

“LSDM kërkon fajtorë tek muslimanët për dështimin e menaxhimit me KOVID 19.

Sot Ministri i shëndetësisë Vanko Filipçe ka akuzuar qytetarët musliman të Maqedonisë Veriore për rritjen e numrit të infektuarëve me COVID19 dhe nuk jep asnjë akuzë për rastet e Kishës Ortodokse që organizuan në kishat për festat fetare.” – shkruan në tekstin që recensojmë.

Anashkalim i deklaratës zyrtare

Në publikimin e tij, Filipçe nuk bëri akuza ndaj komunitetit mysliman si fajtorë për rritjen e numrit të të infektuarve. Ja postimi i ministrit!

“Fotografitë dhe kronikat nga festimet e djeshme në objektet fetare dhe para tyre janë përsëri shqetësuese. Edhe përskaj apeleve të institucioneve shëndetësore të mos ketë tubime masive, të respektohen masat për lëvizje, distanca dhe kufizimi i lëvizjes, kjo nuk ndodhi. 

I respektoj festimet dhe fuqishëm besoj se ata janë ngjarje me rëndësi për të gjithë ne, pavarësisht cilit besim i takojmë. Por, këtë vit festat në të gjithë botën festohen në një mënyrë tjetër, duke e vendosur në rend të parë dhe mbi të gjitha shëndetin vetjak dhe të bashkëqytetarëve tanë.” – shkroi ministri i Shëndetësisë në “facebook” një ditë pas faljes së Fitër Bajramit.

Autori personalisht ka arritur në konkluzion se “keqmenaxhimi dhe dështimi me organizimin e procesit për mbajtjen në trendin e rënies së të infektuarëve me masa efektive qeveria e LSDM-së po dëshiron të hedh fajin tek muslimanët dhe festa një ditore e tyre, kurse nga ana tjetër çdo ditë ka rritje të numrit të infektuarëve”. Nëse Qeveria ka menaxhuar mirë ose keq me situatën me virusin, këtë konstatim ose vlerësim në lajm duhet ta japë një ekspert, një epidemiolog, një infektolog ose një person kompetent, në vend të gazetarit.

“Gazetari me vetëdije nuk do të krijojë ose përpunojë informata, që cënojnë të drejtat dhe liritë e njeriut, nuk do të përdorë gjuhën e urrejtjes dhe nuk do të nxisë dhunë ose diskriminim mbi çfarëdo lloj baze qoftë (kombëtare, fetare, racore, gjinore, shoqërore, gjuhësore, politike, orientimi seksual…)” – shkruan në Kodin etik të gazetarëve.

Teknikat e manipulimit

Autori ka përdorur teknikën e manipulimit të thirrjes në emocione. Nëpërmjet kësaj teknike autori tregon “prirje për përdorim të fjalimit të bazuar në bindje në vend të fakteve, në mënyrë që të ngjallë emocione tek bashkëbiseduesi dhe të fitojë në diskutim”. Teknikat sqarohen në Doracakun e Crithink-ut.

Për lexuesit

Është shumë e thjeshtë për një gazetar të ulet dhe të shkruajë pikëpamjet personale për një çështje. Por, ai tekst nuk mund të jetë lajm. Mund të jetë koment, opinion, editorial, por jo lajm. Lajmi kërkon fakte, citate, argumente, kërkon informacione zyrtare të pasqyruara në mënyrë objektive. Në këtë rast, autori ka shtrembëruar deklarata dhe ka bërë nxitje në baza fetare.