Publikimi i një fotografie nuk mund të jetë dëshmi e mjaftueshme për të folur për numra. Kur media vendos të publikojë informacione të cilat masin numrin anëtarëve të partive, detyrimisht duhet të tregojë se sa ka qenë numri i tyre gjatë periudhës paraprake dhe sa është tash. Këtë nuk e ka bërë media artikullin e të cilës do ta recensojmë.
Linku deri te artikulli origjinal: “Ç’far ndodh me Lëvizjen Besa? Dita ditës i pakësohen mbështetësit!”
Data e publikimit: 02.03.2020
Data e recensionit: 02.03.2020
Recension: Fatbardha Curri
Titull sensacional që nxit dyshime
Parashtrimi i pyetjes se “Çfarë po ndodh me Lëvizjes BESA?”, nga media është përdorur për të tërhequr fillimisht klikime dhe më për të nxitur dyshime. Kjo sepse ajo është bashkëngjitur në titull edhe me përfundimin “Dita ditës i pakësohen mbështetësit”.
Edhe pse në titull ka qëndruar ky përfundim, në artikull nuk publikohen informacione apo të dhëna se sa anëtarë ka tash kjo parti dhe sa i ka pasur në të kaluarën. I vetmi burim i informacionit dhe njëkohësisht dëshmi për përfundimin se “Besës i pakësohen anëtarët”, është fotografia.
“Pamjet në vazhdim tregojnë qartë se dita ditës Lëvizjes i pakësohen mbështetësit nëpër tubime”, thuhet në artikullin që e recensojmë.
E jo rastësisht në Doracakun e “Krithinkut” thuhet se edhe fotografia duhet të verifikohet.
“Është e nevojshme verifikim i dyfishtë (double checking) ose i trefishtë i lajmit që gazetari planifikon të publikojë, pavarësisht besimit të tij në burimin e informacionit. Mund të ketë një duzinë fakte në një histori dhe secila prej tyre duhet të kontrollohet veçmas: burimi i informacionit, fotografia, rëndësia e deklaratës, etj”, thuhet në Doracakun e “Krithinkut”.
Sipas kësaj, gazetari do të duhet të publikojë edhe korrigjim të informacionit, me qëllim që publiku i cili e ka lexuar variantin e parë të informatës, ta sigurojë edhe informacionin e plotë dhe të saktë. Kështu së paku parashihet edhe në Kodin Etik të Gazetarëve.
“Gazetari do të përpiqet të garantohet publikimi i korrigjimit, demantit dhe përgjigjes, në rast kur do të vërtetohet pasaktësia e informatës”, thuhet në Kodin Etik të Gazetarëve.
Për lexuesit: Mbështetja e partive nuk matet me fotografi, por në zgjedhje
Duke u nisur nga artikulli që e recensuam, vlerësojmë se ju si lexues duhet ta keni të qartë se mbështetjen që e siguron një parti mund ta kuptojë në zgjedhje. E se a i rritet anëtarësia Lëvizjes BESA apo i pakësohet ajo, kjo mund të kuptohet me publikimin e numrit të anëtarëve por edhe me rezultatin e zgjedhjeve të 12 prillit. Një fotografi assesi nuk mund të dëshmojë se sa mbështetje gëzon një parti në publik.