Gazetari duhet të përgjigjet, e jo t’i pyesë lexuesit se a ka shpenzuar Bogoevi para të popullit në shtëpi publike

 

[Recension: A KA SHPENZUAR BOGOEVI PARA TË POPULLIT NË SHTËPI PUBLIKE? Kryetari i komunës së Karposhit do ta festojë Vitin e Ri në Dubai, a ka vizituar shtëpi publike brenda vitit në Vjenë?]

 

Teksti që e recenzojmë është manipulues, plot me pyetje, pa asnjë përgjigje. I gjithë artikulli bazohet në supozime me të cilat tentohet të bindet publiku se janë të vërteta.

Linku deri te artikulli origjinal: A KA SHPENZUAR BOGOEVI PARA TË POPULLIT NË SHTËPI PUBLIKE?: Kryetari i komunës së Karposhit do ta festojë Vitin e Ri në Dubai, a ka vizituar shtëpi publike brenda vitit në Vjenë?

Data dhe koha e publikimit: 27.12.2018

Data e recensionit: 4.1.2019

Recenzues: Ana Anastasovska

Qëllimi i këtij artikulli të ashtuquajtur gazetaresk është të sulmohet kryetari i komunës së Karposhit, Stefan Bogoev, se ka shpenzuar para të popullit gjoja për të vizituar shtëpi publike në Vjenë. Për akuzat e tilla lexuesit nuk i është ofruar asnjë fakt apo dëshmi. I gjithë artikulli bazohet në spekulime dhe në muhabete më the-të thash.

Teksti fillon me informacionin se Bogoevi do të kalojë natën e Vitit të Ri në Dubai. Por, ky informacion nuk është konfirmuar në asnjë mënyrë, e as që tregohet se prej ku është marrë. A e ka publikuar kryetari i komunës këtë diku, a ka dhënë në ndonjë deklaratë se ku do të shkojë për Vitin e Ri, i mbetet vetë lexuesit që të mendojë.

Në vend që ta konfirmojë informacionin, artikulli ofron komente për udhëtimet e mëparshme të kryetarit të komunës së Karposhit. Në të thuhet kështu:

Dorën në zemër, për Bogoevin e ri kjo nuk do të jetë as mbrëmja e parë e as e fundit e çmendur, në qoftë se bëhet një përmbledhje se ku ka qenë, ku ka udhëtuar dhe ka kaluar net të çmendura këtë vit. Në vitin e parë të mandatit të tij, kryetari i komunës  së Karposhit, vetëm për 9 muaj, Bogoevi, ishte një muaj në Amerikë, në shkollën për liderë të rinj, ishte në pushime në Bali dhe në Katar, këtë verë ishte 2-3 herë në Greqi, ndërsa natën e beqarisë e festoi me shokët e tij në Bullgari, në “Sunny Beach”. Në ndërkohë, Bogoevi u martua dhe pastaj me gruan e tij shkoi në muajin e mjaltit.

Nuk është e qartë pse udhëtimet private të Bogoevit janë me interes publik, përveç nëse nuk ka dyshime se për to Bogoevi ka shpenzuar para të popullit, siç dëshiron ta paraqesë ky artikull, edhe pse nuk ka asnjë dëshmi për këtë.

Për ta zbukuruar tekstin me sulme edhe “më tërheqëse”, thuhet se Bogoevi “para disa kohësh, pas “punës së vështirë” në komunë, ka vendosur të relaksohet përsëri me një udhëtim në Austri, në Vjenë, në një spa-qendër të njohur, ku punonjësit u ofrojnë ‘trajtim të veçantë’ mysafirëve të tyre“. Bëhet fjalë për “Golden time Sauna club”

Këtu fjalët “punë e vështirë” janë vënë në thonjëza për të theksuar se Bogoevi nuk punon asgjë. Pastaj, në thonjëza janë futur edhe fjalët “trajtim të veçantë“. Për çfarë trajtimi special mendon autori, nuk është specifikuar, i është lënë lexuesit vetë të vlerësojë.

Për ta stimuluar imagjinatën e lexuesit, autori ka publikuar edhe një fotografi me vajza të veshura me bikini, të fotografuara pranë pishinës.

Kjo fotografi paraqitet kur e kërkoni këtë spa-qendër në internet, me shërbime premium për vizitorët dhe mysafirët e saj, ndërsa shërbimi më i rekomanduar dhe më i popullarizuar është “masazhi në mes këmbëve”. Do t’ua lëmë lexuesve që vetë të vlerësojnë se çfarë lloj spa-qendre bëhet fjalë, e valla edhe çfarë gjërash e relaksojnë kryetarin e komunës së Karposhit.

I gjithë teksti bazohet në supozime, ndërsa fantazia e bujshme e autorit lexuesit i prezantohet si një lloj e vërtete, me qëllim që ai të besojë në të. Për pretendimet e tekstit nuk ka asnjë konfirmim, e as që është bërë ndonjë përpjekje për t’i verifikuar ato. Në këtë mënyrë janë shkelur kodet gazetareske dhe rregullat e shkrimit, të cilat parashohin që gazetari të publikojë informata të sakta dhe të verifikuara, gjë që nuk ndodh në këtë tekst.

Gazetari, në vend që të supozojë dhe të kërkojë nëpër internet, ka mundur ta bëjë një telefonatë dhe të kërkonte një deklaratë nga Bogoevi, për ta pyetur se a ka shkuar me të vërtetë në Vjenë me para të popullit, se a ka qenë në spa-qendrën e përmendur, dhe nëse ka qenë, a i ka shfrytëzuar “trajtimet e veçanta” dhe cilat janë ato trajtime. Informacioni duhet të verifikohet nga disa anë para se të publikohet. I shkruar në këtë mënyrë, teksti i ngjan vetëm një tregimi për fëmijët e vegjël dhe ka për qëllim vetëm të fitojë pikë politike, gjegjësisht ta sulmojë kryetarin e komunës së Karposhit.