Gazetari i ka selektuar faktet, prandaj lajmi s’mund të jetë i besueshëm

Titull - Xhemal Mena i BESËS në Ohër voton kundër punësimeve të shqiptarëve

Rastin e sulmit të këshilltarit të Lëvizjes BESA në Komunën e Ohrit, Xhemal Mena, disa nga mediat e paraqitën në kontest tjetër nga çfarë u tha në kumtesën e Lëvzjes BESA dhe nga vetë Mena. Me selektim të burimeve duke mos përcjellë deklaratat e personit në fjalë, nuk mund të kemi lajm të balancuar dhe me kredibilitet dhe besueshmëri. Lajmi që e recensojmë është i njëanshëm dhe nuk siguron pasqyrën e plotë të ngjarjeve. 

Titull - Xhemal Mena i BESËS në Ohër voton kundër punësimeve të shqiptarëve
Titull – Xhemal Mena i BESËS në Ohër voton kundër punësimeve të shqiptarëve

Linku deri te artikulli origjinal: Xhemal Mena i BESËS në Ohër voton kundër punësimeve të shqiptarëve”

Data e recensionit: 19.06.2019

Recensues: Fatbardha Curri

Titull me qasje kundër personit

“Xhemal Mena i BESËS në Ohër voton kundër punësimeve të shqiptarëve”, është titulli i lajmit të “IliraNews”.

Nëse lexohet lajmi lë të kuptohet se shkak i zënkës ka qenë pikërisht punësimi i shqiptarëve, dhe se kundërshtimi i Menës për të votuar për atë gjë, ka qenë arsyeja e zënkës. Lajmi nuk është i besueshëm sepse nuk citon as burimet e informacionit. Gjithashtu, nuk citon Menën dhe as partinë në të cilën ai bën pjesë, Lëvizjen BESA.

“Debati mes tyre ka eskaluar edhe më shumë kur këshilltari nga radhët e Lëvizjes BESA, Xhemal Mena ka votuar kundër punësimit të shqiptarëve, gjegjësisht të 19 shqiptarëve në njē ndërmarje”, thuhet në lajmin e “Ilira News”.

Media në këtë rast përdor konceptin e manipulimit “Argument kundër personit”, i cili zakonisht përdoret që të sulmohet një person, pa fakte të argumentuara mirë, në bazë emocionesh. Kjo vërtetohet edhe në mos-përpjekjen e medias që të kontaktojë Menën dhe të marrë edhe qëndrimin e tij, meqë i njëjti është subjekt i artikullit.

Media ka përdorur edhe “Dëshmi selektive”, sepse edhe pse ka pasur deklaratë të Menës dhe Lëvizjes BESA, të njëjtat nuk janë publikuar nga media në fjalë, sepse ato nuk korrespondojnë me atë çfarë media e publikon.

Edhe atë pjesë ku e citon kumtesën e Lëvizjes BESA, e cila tha se zënka ka ardhur gjatë debatit të rebalansit të buxhetit, media thotë se BESA nuk ka folur për çështjen të cilët ata e trajtojnë. Madje ata e vënë në diskutim edhe vetë sulmin, edhe pse kjo e fundit u konfirmua edhe nga Ministria e Punëve të Brendshme (MPB).

“Nga Lëvizja BESA përpos ankesës gjëja për sulm ndaj këshilltarit të tyre, nuk kanë sqaruar asgjë lidhur me mos votimin për punësimin e dhjetëra shqiptarëve në këtë komunë”, thuhet në lajmin e recensuar.

Me qasjen e njëanshme, me mos-citim të kumtesës së Lëvizjes BESA dhe mos përcjellje të deklaratës së Xhemal Menës, media ka shkelur disa nga parimet e Kodit Etik të Gazetarëve:

  1. Gazetari ka të drejtë për qasje të lirë në të gjitha burimet e informimit, që janë me interes publik. Gazetari duhet të botojë informata të sakta dhe të provuara dhe nuk do të fshehë të dhëna esenciale dhe të falsifikojë dokumente. Nëse informata nuk mund të konfirmohet, ose nëse bëhet fjalë për supozim, respektivisht spekulim, kjo gjë duhet të thuhet dhe të publikohet. Saktësia e informatës duhet të provohet sa më shumë të jetë e mundur.
  2. Nëse gazetari pengohet të arrijë deri te informata e kërkuar, ai ka të drejtë për këtë të informojë opinionin.
  3. Gazetari do ta publikojë burimin e informatave, mirëpo, nëse burimi kërkon të mbetet anonim, gazetari do ta mbrojë.
  4. Raportimi për proceset politike, veçanërisht për zgjedhjet, duhet të jetë i paanshëm dhe i balancuar. Gazetari patjtetër duhet të sigurojë distancë profesionale nga subjektet politike.

Kjo është në kundërshtim me disa nga parimet e Kodit Etik të Gazetarëve.

Për lexuesit: Mos lejoni gazetarët t’ua tregojnë arsyet e sulmeve fizike

Të informuarit nga një media do të thotë t’i të informohesh nga një këndvështrim i një problemi. Sado mediat të jenë objektive dhe të paanshme në politikën redaktuese, mos harroni se gjithmonë ekzistojnë më shumë këndvështrime të raportimit të një situate. Por megjithatë, kur rastet janë të kronikës së zezë, shkaqet e saja nëse nuk thuhen nga personat e përfshirë në rast dhe nga MPB-ja gjithmonë duhet të merren me rezervë, dhe si përpjekje për të sulmuar ndonjë individ.