Gazetari nuk ka për detyrë ta parashikojë fituesin e zgjedhjeve

Foto ilustrim

Shkrimet që dalin nga zyrat e PR-it (zyrave të marrëdhënieve me publikun) të partive politike, organizatave të tjerë, institucioneve, të transmetuara si të plota, nuk kanë asgjë të përbashkët me lajmin. Shkrimi që recensojmë nuk është e qartë nëse është një komunikatë, shkrim PR-i ose të ngjashme, por sigurisht që nuk është lajm.

Forografi nga lajmi që recensohet

Linku deri te artikulli origjinal: Kongresi i BDI-së, Ali Ahmeti dhe fitorja e madhe e 12 Prillit

Data dhe koha e publikimit: 22.12.2019

Data e recensionit: 22.12.2019

Recensues: Fatlume Dervishi

Fjalë lavdëruese, glorifikime dhe lartësime të një figure politike janë përdorur në shkrimin me titull “Kongresi i BDI-së, Ali Ahmeti dhe fitorja e madhe e 12 Prillit”, i cili përshkruan Kongresin e BDI-së dhe figurën e kreut të partisë Ali Ahmeti, përshkrim ky skajshmërisht subjektiv duke filluar që në titull. Pikërisht titulli parashikon fitoren e madhe të kësaj partie në zgjedhjet e 12 prillit. Këtë nuk mund ta dijë një gazetar.

“Me qetësinë absolute të një lideri, që merret me partinë e tij dhe kurrë me të tjerët,Ali Ahmeti…Ai erdhi si një fortesë lufte dhe tani është një fortesë politike.

Kjo për shkak se Ahmeti në momente të caktuara di që ta transformojë një parti duke sjellë figura të reja që janë forca e fitoreve që kanë ndodhur dhe që do pasojnë sërish më 12 Prill… Ali Ahmeti nuk mund pa BDI-në por as BDI duket se nuk mund pa Ali Ahmetin dhe ky është një bashkim fitoresh që s’kanë fund.

Një Kongres i organizuar në mënyrë të përkryer nga Artan Grubi, rifreskimi i Këshillit të përgjithshëm dhe një rini e fuqishme,… – janë disa nga fjalitë me pikëpamje më ekstreme subjektive në tekstin që recensojmë.

Kodi etik i gazetarëve është shumë i qartë në këtë aspekt. Ai parashikon që “gazetarët duhet të bëjnë dallim mes fakteve dhe mendimeve, mes lajmit dhe komentit”.

Kjo do të thotë se lajmi duhet të ndërtohet mbi faktet dhe të dhënat nga burimet relevante. Komentet personale të gazetarit duhet të ndahen nga lajmi, madje kanë edhe kategori të veçantë në portal ku mund të publikohen. Teksti në fjalë nuk është pasqyrim objektiv mbi kongresin dhe mbi Ahmetin por është shkruar me frymën e një të mahnituri nga këto të dyja.

Teknikat e manipulimit

Në tekst vërejmë “prirje për të besuar se mundësia që diçka mund të ndodh është dëshmi se e njëjta do të ndodhë”. Për autorin, fitorja e BDI-së më 12 prill është e sigurtë. Sipas Doracakut të Crithink kjo njihet si thirrje në mundësi. Poashtu, nëpërmjet provave selektive, autori ka treguar “prirje për të treguar fakte që flasin për mbështetje të një pretendimi dhe në të njëjtën kohë injorim të fakteve që janë kundër të njëjtës”. Ai ka tentuar t’i bindë të gjithë në bindjen e tij.

Për lexuesit

Në rast se vlerësohet se ka një ndodhi, fenomen ose diçka tjetër pozitive për të cilën duhet të njoftohet opinioni, gazetari këtë e bën nëpërmjet fakteve dhe burimeve që e vërtetojnë atë. Pikëpamjet personale politike të gazetarit nuk janë me interes publik dhe nuk duhet të “shiten” si lajm. Gazetari, në asnjë rast, nuk lavdëron idolët e tij politik me fjalë të mëdha dhe nuk parashikon fituesit në zgjedhje pa ja adresuar këto parashikime një burimi relevant dhe duke anashkaluar mendimin dhe faktet që flasin kundër.