Në emisionin “Click Plus” të Televizionit “21”, kryeredaktorja e Portalb.mk, Elida Zylbeari, duke folur për rolin e mediave onlajn (portaleve) në fushatën zgjedhore dhe parimin e vetërregullimit, ka deklaruar se lajm nuk janë vetëm deklaratat e politikanëve, por dalja në terren e gazetarëve, ndeshja me të vërtetën, verifikimi dhe balancimi i burimeve të informacionit, transmeton Portalb.mk.
“Verifikimi nuk bëhet në “Fejsbuk”. Verifikimi bëhet nga gazetari, i cili del në terren dhe e sheh se cila është e vërteta. Nuk janë vetëm politikanët lajme, politikanët janë të fundit që duhet të bëjmë ne”, tha Zylbeari.
Sipas Zylbearit, e cila thirret në parime gazetareske, senzacionalizmi nuk duhet të jetë kriter për klikim (vizitë) të lajmit, por kriter i lajmit duhet të jetë lexueshmëria.
“Me senzacionalizëm mund të jesh më i klikuar, por jo edhe i lexueshëm, sepse njerëzit grepin e kanë aty. E shohin një titull bombastik, e hapin. Mjeshtri i portalit nuk është të bësh tituj bombastik”, tha Zylbeari.
“KriThink” – vazhdimësi e projektit “Verifikimi i faktit”
Duke folur për parimet e gazetarisë, Elida Zylbeari ka sqaruar edhe konceptin dhe qëllimin e projektit “KriThink”, që realizohet nga organizata joqeveritare “Metamorfozis”.
“Projekti për “Verifikimi i fakteve”, ishte projekt i financuar nga USAID-i, dhe shpesh herë mediat janë gjetur në shënjestër, sepse nuk ka plotësuar parimet bazë gazetareske. Nuk ka burim, nuk ka bilanc, nuk ka të dhëna të verifikuara. Logjika e njëjtë, por pak më e zgjeruar, vazhdon edhe me projektin “KriThink”, që ka për qëllim të nxit mendim, edukim të popullatës për t’i njohur lajmet e rreme”, tha Zylbeari.
LEXO: Tragjedia e paçliruar nga senzacioni medial, si nuk duhet raportuar
Një vend të veçant në debat ka marrë edhe mënyra e raportimit të aksidentit tragjik në fshatin Llaskarcë, ku analiza e “KriThink”-ut nxorri shumë shkelje të parimeve të gazetarisë.
“Duhet të jetë informacioni i verifikuar. Nuk mund të thuash se kanë vdekur kaq apo aq persona, sepse t’i ndikon në informimin e njerëzve, i dezinformon, i mashtron dhe krijon panik. Analiza që është publikuar në “KriThink”, flet për natyrën se si një gazetar duhet të raportojë për fatkeqësitë e mëdha. Ka pasur shkelje të mëdha, sepse kanë raportuar viktima me foto, kanë bërë foto nga të vdekurit, që është shumë e ndaluar, dhe e dhimbshme etikisht”, tha Zylbeari.
Zylbeari në vazhdimësi ka theksuar, se nëse një portal mbështet apo merr para nga ndonjë parti politike, ajo duhet të bëhet transparente, të tregohet haptazi, që edhe lexuesit ta dinë se nga kush financohet.
Sipas kryeredaktores së Portalb.mk, Elida Zylbeari, donacionet që jepen nga Qeveria duhet të jenë nga Parlamenti, sepse e para rrezikon censurimin dhe propagandën.