Informacioni “betonohet” atëherë kur zyrtarizohet, gjithçka tjetër është manipulim

Qeveria teknike ose ndryshe e njohur si Qeveria sipas formatit të Përzhinës duhet të formohet më 3 janar, sakt 100 ditë para zgjedhjeve të parakohshme parlamentare për të cilat partitë janë dakorduar të mbahen më 12 prill të vitit 2020. Kush do ta drejtojë këtë qeveri me përbërje të përzier nga pushteti dhe opozita, nuk dihet akoma. Lajmi që recensojmë bie poshtë për aq kohë sa asgjë nuk është “betonuar”.

Linku derit e artikulli origjinal: “Betonohet” lajmi ZHURNAL-it / Oliver Spasovki kryeministër teknik

Data dhe koha e publikimit: 20.11.2019, ora 18:56

Data e recensionit: 21.11.2019

Recensuese: Fatlume Dervishi

Si ka qarkulluar informacioni?

Diku ndërmjet datave 17 dhe 18 tetor, pasi po bëhej gjithmonë e më e qartë se vendi nuk do të marrë datë për fillimin e negociatave të anëtarësimit me Bashkimin Evropian, në opinion dolën zërat për dorëheqjen e pritshme të kryeministrit Zoran Zaev dhe mundësinë për organizimin e zgjedhjeve të reja. Madje u lakuan edhe disa emra nga radhët e funksionarëve të LSDM-së të cilët mund të vinin në postin e kryeministrit teknik. Mes tyre ishte edhe emri i ministrit të Brendshëm aktual Oliver Spasovski. I pyetur për ta konfirmuar këtë emër, Zaev, pasi ishte marrë vendimi për zgjedhje, deklaroi se është e logjikshme që emri i Spasovskit të përfolet, por se akoma nuk ka vendim.

“Të gjithë e përmendin që një ministër duhet të largohet dhe plus një tjetër përveç tij. Ai që do të largohet është për një kohë të gjatë në LSDM dhe është e logjikshme, siç e përmendni edhe ju. Por në të vërtetë nuk e kemi menduar edhe pse përmenden edhe emra të tjerë nga radhët e LSDM-së.” – ka deklaruar Zaev për këtë pyetje.

Vetë Spasovski deri tani ka mohuar që të ketë një vendim për këtë gjë.

“Të gjitha çështjet lidhur me Qeverinë teknike, kryeministrin teknik dhe gjithçka tjetër, do t’i vendosë kryeministri dhe organet e partisë. Nuk dua të spekuloj. Kur do të vijë momenti, vendimet do të sillen dhe publikohen.” – ka deklaruar Spasovski për mediat.

Lajmi “betonohet” kur bëhet zyrtar

Në titull por edhe në tekst, lajmi është “shitur” si çështje e përfunduar. Sidomos përdorimi i fjalës “betonim” jep përshtypjen se është vendim përfundimtar dhe zyrtar. Ndërkohë, kur analizohet teksti dhe burimet e informacionit, kuptojmë se bëhet fjalë për informacion të dorës së dytë, ng burime të brendshme anonime.

“Agjencia e Lajmeve Zhurnal, kohë më parë pati shkruar se në qeverinë teknike, kryeministër teknik do të emërohet ministri i Punëve të Brendshme Oliver Spasovski, sot edhe për “Sitel” është konfirmuar e njejta, shkruan Zhurnal.mk

Ministri aktual i Punëve të Brendshme Oliver Spasovski do të jetë kryeministër teknik nga 3 janari, shkruan “SITEL“, duke u referuar nga burime pran “Bihaçkës””- shkruan në lajmin që recensojmë.

Por Sitel në tekstin e tij e thekson qartë se bëhet fjalë për vendim i cili, sipas informacioneve të tyre, duhet të kalojë edhe disa faza të tjera deri sa të jetë përfundimtar.

“Vendimi që Spasovski të jetë kryeministër teknik akoma mbetet që të kalojë nëpër organet e partisë në “Bihaçka”, gjë e cila, sipas burimeve tona, do të jetë vetëm formalitet.” – shkruan në tekstin e Sitel të cilit i referohet lajmi që recensojmë.

Teknikat e manipulimit

Autori e ka bazuar informacionin e tij në gjasat që diçka e tillë të ndodhë por e ka transmetuar sikur të ishte punë e kryer. Po ashtu, autori nuk ka përmendur qëndrimet e deritanishme të Zaevit por edhe vetë Spasovskit për këtë. D.m.th. në tekst mungon argumenti i kundërt i cili sado pak do t’ia bënte me dije lexuesit që informacioni të merret me njëfarë rezerve sepse nuk është zyrtar.

Për lexuesit

Për disa javë, sapo të fillojnë negociatat për përbërjen e Qeverisë teknike, emri i Spasovskit mund të konfirmohet ose mund të mos konfirmohet, si person që do të paraprijë përbërjen e re të kabinetit. Për momentin informacioni mbetet i pazyrtarizuar dhe u atribuohet burimeve anonime ndaj të cilave gjithmonë duhet të ketë një dozë rezerve sa i takon besueshmërisë ose qëndrueshmërisë. Prandaj, është shumë e rëndësishme që lajmi të mos transmetohej si i “betonuar” dhe të ishte i plotësuar me informacionet e fituara gjatë tentativës së gazetarit për ta konfirmuar atë në rrugë zyrtare.