Duke mos i verifikuar informacionet, mediat në vend se të informojnë saktë dhe në mënyrë të paanshme, kanë keqinformuar qytetarin. Një shembull të tillë mund ta gjeni në këtë informatë që e recensojmë. Më e keqja është se informata si e tillë pa ndryshuar, është marrë nga një mori mediash, gjë që e rëndon dhe e shpërndan ende më shumë keqinformimin.
Linku deri te artikulli: “Ali Ahmeti shkarkon të gjithë kryetarët e degëve të BDI-së?!”.
Data e publikimit: 11.06.2019
Data e recensionit: 18.06.2019
Recensionuese: Fatbardha Curri
Titull “copy-paste” me burime partiake të paverifikuara
Lajmi se lideri i Bashkimi Demokratik për Integrim (BDI), Ali Ahmeti ka shkarkuar të gjithë kryetarët e degëve të partisë, u shpërnda jo vetëm në Maqedoni të Veriut, por edhe më gjerë. I njëjti titull, i njëjti burim, por me kontest të ndryshëm.
“Ahmeti shkarkon të gjithë kryetarët e degëve të partisë”, është titulli i lajmit që u publikua nga fillimisht nga “In7.tv”, më pas nga “Fol”, “TV Alsat”, “Lajm”, “Antpress”, “Telegrafi”, “Infoshqip”, “Arbresh” (media e jashtë RMV-së), “Tetova 1”, “Albeu” (media jashtë RMV-së), “Tetova Sot”, “Sot News” (media jashtë RMV-së), “TV Shenja”, “INA”, “Flaka”, “Fakti Ditor” dhe “AlbPortali”.
Lajmi citoi burime partiake, i njëjti në fillim u plasua nga një media e panjohur dhe pa kredibilitet dhe besueshmeri. Shumica e mediave e përdorën të njëjtin titull dhe të njëjtin tekst, gjë e cila është në kundërshtim me parimin e 12-të të Kodit Etik të Gazetarëve i cili thotë:
“Plagjiatura është e papranueshme. Citatet nuk guxon të shfrytëzohen pa mos e theksuar burimin ose autorin”.
Krahas plagjiaturës, mediat keqinformuan qytetarët. Nuk bëhej fjalë për shkarkime të kryetarëve të degëve të partisë së BDI-së, por për shpallje të zgjedhjeve të organeve të partisë. Zgjedhjet nuk ishin pasojë e publikimit të “bombave” në lidhje me BDI-në, por për shkak të skadimit të mandatit të kryetarëve të degëve.
“Kryetarëve të degëve aktual u ka skaduar mandati qysh vitin e kaluar dhe siç kemi njoftuar opinionin e gjerë, në mbledhjen e kryesisë dhe këshillit të përgjithshëm, para zgjedhjeve presidenciale, u formua grupi përgjegjës për mbajtjen e kuvendit rinor dhe të grave, riregjistrimit të anëtarësisë, mbajtjes së zgjedhjeve në këshilla vendor dhe degë si dhe organizimin e kongresit zgjedhor të BDI”, njoftuan nga BDI-ja.
Disa media shkuan edhe më tej, procesin ia mveshën publikimit të ashtuquajturave “bomba” të personit “El Çeka”, e disa të tjera e lidhën me procesin “e fshesës” që u paralajmërua nga kryeministri, Zoran Zaev.
“Pas shpërthimit të materialeve të përgjuara nëpër rrjetet sociale, ku shfaqen biseda telefonike mes kreut të BDI-së, Ali Ahmeti me bashkëpunëtorët e tij, zhvillime interesante po kryen brenda strukturave të kësaj partie”, shkroi “In7.tv” i cituar nga “Fol”, media këto të para që e publikuan lajmin.
E gjithë kjo situatë mund të kuptohet nëpërmjet konceptit të manipulimit “Argument që del nga përsëritja”, e cila zakonisht ka për qëllim, që një lajm edhe pse nuk është i verifikuar dhe nuk ka burim të informacionit të saktë, vetëm se përsëritet, krijon përshtypjen te publiku se informacioni është i saktë.
Për lexuesin: Mos u besoni lajmeve copy – paste
Në tërë këtë situatë, kur në RMV janë aktuale zgjedhjet në BDI të paralajmëruara prej gjatë kohë, dhe procesi i ndryshimeve të funksionarëve, ka shumë shpekulime dhe të pavërteta dhe manipulime. Prandaj ju duhet të mos besoni në çdo informacion që plasohet, derisa i njëjti nuk thuhet nga persona relevant për ato vendime që mund të publikohen në media. Nëse flitet për ndryshime partiake, sigurisht se ju duhet ta besoni atë informacion nëse thuhet nga funksionarë partiakë, e nëse informacioni ka të bëj për vendime qeveritare, si ndryshim i ministrave, kjo duhet të thuhet nga funksionarë qeveritar. Burimet anonime partiake të mediave të caktuara, nuk duhet të jenë burim i sigurtë i informacionit për ju.