Interpretim subjektiv, Zaevi nuk ia ka tërhequr vërejtjen Zekirit

Fotografi nga lajmi që recensohet

Përplasjet e hapura politike mes dy subjekteve vënë në test vigjilencën e mediave për të ruajtur profesionalizmin dhe të mos anohet në asnjërën anë. Këtë sfidë e tejkalojnë vetëm gazetarët që u përmbahen standardeve për informim profesional. Të tjerat nuk e kalojnë testin. Ja një shembull kur një përplasje mes dy subjekteve ose mes eksponentëve të caktuara brenda atyre subjekteve ka nxjerrë në pah joprofesionalizmin e gazetarit gjatë informimit rreth këtij zhvillimi.

Fotografi nga lajmi që recensohet
Fotografi nga lajmi që recensohet

Linku deri te artikulli origjinal: Zaev i tërheqë vërejtjen Zekirit: Nuk është hera e parë, ti nuk do por të tjerët në LSDM duan koalicion me BDI-në

Data dhe koha e recensionit: 21.11.2019, ora 14:18

Data e recensionit: 23.11.2019

Recensues: Fatlume Dervishi

Titulli intrigues fton lexuesit për të mësuar më shumë për vërejtjen që kryeministri i ka tërhequr bashkëpartiakut të tij. Shpejt bie në sy se në tekst janë përfshirë komente të cilat nuk janë ndarë nga pjesa e informaconit, destinuar për të “sulmuar”.

“Deputeti shqiptar nga radhët e LSDM-së, Muhamed Zekiri gjatë debatit në emisionin Click Plus të Tv21, mes tjerash shprehu “urrejtjen” e tij ndaj Bashkimit Demokratik për Integrim,…

Mirëpo nuk ka vonuar aspak edhe reagimi i kryetarit të Zekirit, kryeministri Zoran Zaev, i cili për mediat ka deklaruar se nuk është Zekiri ai që vendosë se me kë do të bëjë koalicion LSDM-ja e me kë jo. Me fjalë të tjera, Zaev i dërgon porosi Zekirit se “mos i fut hundët” aty ku nuk të takon.” – shkruan në tekstin që recensojmë.

Gazetari në lajm mund ta lëshojë veten në interpretim të zhvillimeve të caktuara vetëm për ta bërë më të qartë për lexuesit por edhe këtë duhet ta bëjë me fjalë të zgjdhura dhe jo me komente subjektive.

“Gazetarët duhet të bëjnë dallim mes fakteve dhe mendimeve, mes lajmit dhe komentit” – shkruan në Kodin etik të gazetarëve.

Cila është e vërtetë?

Kryeministri Zaev në deklaratën e tij nuk ja tërhoqi vërejtjen Muhamed Zekirit dhe nuk e ka kundërshtuar duke i thënë siç shkruan në titull “Nuk është hera e parë, ti nuk do por të tjerët në LSDM duan koalicion me BDI-në”. Zaev, pa qenë kritik në formën që e transmeton gazetari në tekstin që recensojmë, duke komentuar këtë gjë ka deklaruar:

“Ai (Zekiri) nuk potencon që dëshiron ose nuk dëshiron. Ka në LSDM-ja edhe të tillë që dëshirojnë dhe në fund do të sjellim vendim. E dini çfarë është interesante në fund; qytetarët na tregojnë në zgjedhje. Si të na votojnë qytetarët në zgjedhje, ashtu edhe do të na drejtojnë për bashkëpunimet e ardhshme”- ka thënë Zaev për mediat.

Autori, më tej, nuk e ka prezantuar qëndrimin e plotë të Zekirit dhe çfarë ka thënë ai konkretisht për koalicionin me BDI-në që lexuesit të mund të krijojnë mozaikun e plotë të përplasjes.

Teknikat e manipulimit

Për të manipuluar me informacionin e tij, autori është thirrut në autoritetin e kryeministrit, vetëm për të diskredituar nënkryetarin e LSDM-së. Për të arritur këtë qëllim ai ka përdorur edhe metodën e sulmit personal ose argumentit kundër personit. Është interpretuar sikur Zekiri nuk është i autorizuar të japë mendimin e tij, duke e diskredituar atë.

Për lexuesit

Në këtë tekst shumë qartë mund të vërehet qëllimi i autorit për të shkruar kundër dikujt duke keqinterpretuar qëndrimin publik të personave që i prek ajo çështje. Mungon prezantimi objektiv i qëndrimit të kryeministrit, mungon sqarim për qëndrim paraprak të Zekirit dhe mungon prezantimi objektiv dhe i paanshëm i lajmit që në titull. Komentet e autorit i japin tekstit një kahje tjetër nga zhvillimi real.