Jo çdo reagim që arrin në redaksitë e mediave mund të bëhet lajm

Foto nga lajmi që recensojmë

Jo çdo informacion, reagim, revoltë e qytetarëve apo grupeve të caktuara që arrin në redaksitë e mediave mund të bëhet lajm. Në shumë raste ato reagime a denoncime duhet të verifikohen dhe nëse është nevoja mund të trajtohen edhe si tema. Por, gazetari nuk guxon që revoltën e vet, t’ia atribuojë një grupi të caktuar politik dhe për këtë të mos sjellë asnjë fakt. E kemi përmendur shpesh, se burimet anonime duhet përdorur kur zbulohen skandale të mëdha, pasi gjithmonë e më shumë humbet kredibiliteti i tyre. Pasi nuk ka asnjë provë për revoltën që është adresuar në këtë media, ky artikull mund tl konsiderohet një rast klasik manipulimi dhe plasimit të mendimeve të vetë autorit, por duke e mbrojtur veten nën petkun e ‘revoltës’ anonime.

Foto nga lajmi që recensojmë

Linku origjinal i artikullit: Revoltë në BDI: Halit Ajdini 13 vite funksioner zgjidhet edhe për 4 vite tjera

Data e publikimit: 17.04.2021

Data e recensimit: 22.04.2021

Recensuese: Naile Dauti

Në artikullin që recensojmë, pretendohet se në adresë të portalit Shqipmedia një grup i revoltuar i forumit rinor të BDI-së e kanë kontestuar ri emërimin e Halit Ajdinit si zv.drejtori i MIA-së.  Por për këtë, autori nuk ka sjellë asnjë dëshmi, asnjë emër, thjeshtë ‘një grup’. Por jo çdo reagim mund të merret dhe postohet ashtu në mënyrë tekstuale siç ka ndodhur në këtë rast. Të qenit gazetar nuk është vetëm botimi i lajmeve, por edhe filtrimi, shqyrtimi dhe verifikimi i tyre.

“Sipas të revoltuarve asgjë nuk do ishte diskutabile sikur të dëgjohej fjala e kryetarit Ali Ahmeti i cili para 2 viteve kërkoi që funksionarët e BDI-së mbi 10 vite të dorëhiqen nga postet e tyre. Por ja që kjo gjë nuk ndodh me Halit Ajdinin i cili që nga viti 2008 ushtron këtë funksion plot 13 vite dhe është zgjedhur edhe plus për 4 vite. Halit Ajdini nuk ka asnjë dit “stazh” pune si punëtor por direkt që 13 vite të plota ushtron funksion drejtori.
Kur do të vijnë në shprehje gjeneratat e reja pyesim kryetarin Ahmeti? Mjaftë më Halit Ajdini ose Ejup Rustemin tërë jeta funksionera si Titoja…thuhet në reagimin e grupit të revoltuar nga forumi rinor i BDI-së…”, shkruan në artikull.

Në formën siç është publikuar ky reagim, nuk ka asnjë dallim nga reagimet e qytetarëve që shkruajnë nëpër rrjetet sociale. Dhe ky nuk është qëllimi apo motoja e të qenit ‘zëri i popullit’. Lexuesit i duhen më shumë fakte. Vetë informacioni nuk mund të kontestohet. Pra, ndodh shumë shpesh që disa funksionar pavarësisht rezultateve të dobëta, vazhdojnë të mbeten aty ku janë, por mënyra e plasimit të reagimeve, pa asnjë përpunim dhe pa futur elementët e të bërit lajm, humbet qëllimi i vërtetë i asaj që ka dashur të thotë vetë autori.

Konceptet e manipulimit

Autori në këtë rast është Prirur të bëjë anim të vëmendjes dhe Konfirmim të këndvështrimit të vet. Me manipulimin e parë autori i ka kushtuar më shumë vëmendje informacioneve që sjellin më shumë vlera emocionale, se sa të merret me diçka faktike. Rastin konkret, autori ka mundur ta shfrytëzojë për të bërë një analizë për funksionarët e’përjetshëm’ ose të ngre si temë me interes, emërimin e funksionarëve partiak nga ana e Qeverisë në agjencinë shtetërore informative, në vend se emërimin në këto funksione të gazetarëve profesionistë. Në manipulimin e dytë, autori priret të kujtoj, favorizojë dhe gjurmojë informacione që konfirmojnë pikëpamjet e veta, që mund të mos jenë të gabuara, por mënyra se si ata prezantohen, me burime anonime dhe pa asnjë produkt të mirëfilltë gazetaresk nuk kanë lidhje aspak me profesionalizmin.

Për lexuesit

Lexuesit nuk duhet t’u japin kohën e tyre mediave që nuk iu ofrojnë informacione. Sa për reagime të tilla, mund të gjenden me bollëk nëpër rrjetet sociale. Por, qëllimi është që produkti gazetaresk të jetë i analizuar në të gjitha pikëpamjet e mundëshme për të mos lënë hapsirë për ekuivokë. Informacioni në vetvete i emërimit të këtij funksionari është i vërtetë, por mënyra si është trajtuar nuk është e duhura. Kërkoni për media profesionale, që nxisin mendimin kritik në një formë të një niveli të lartë.