Jo, nuk ka vdekur asnjë dy vjeçar nga koronavirusi në Maqedoni!

Fotografi nga lajmi që recensohet

Në kohën kur bota po ballafaqohet me një pandemi, “një armik të padukshëm”, siç e quajtën shumica e liderëve ndërkombëtarë, është shumë e lehtë që edhe nëpërmjet dezinformatave të kapësh vëmendjen e popullatës, që edhe ashtu kanë kufizim në lëvizje. Mjafton që në titull të ketë fjalët kyçe “coronavirus” apo “COVID 19” dhe askush nuk i shmanget një teksti të tillë. Megjithatë pikërisht në këtë moment, gazetarët nuk guxojnë të luajnë me ndjenjat e lexuesve, dhe të shkelin mbi parimet themelore të etikës gazetareske. Viktimat dhe të prekurit nga ky virus nuk mund të shihen vetëm si numra, nevojitet kujdes dhe nuk duhet lejuar që në nxitim për të treguar “numra” të thuhen dezinformata.

Fotografi nga lajmi që recensohet

Linku deri te artikulli: E dhimbshme: Vdes 2 vjeçari nga koronavirusi në Maqedoni

Data e publikimit: 23.03.2020

Data e recensionit: 27.03.2020

Recensuese:  Ajnur Bafqari

Autori nuk guxon pacientët t’i shpall viktima!
Në titullin e tekstit që po recensojmë autori “e ka shpallur të vdekur” një fëmijë dy vjeçar, për të cilin të dhënat e Institutit të Shëndetit Publik, e cilësojnë si pacientin më të ri me coronavirus në vendin tonë. I përhumbur në përkthim, ose thjesht për mbledhje klikimesh, autori e ka ngatërruar termin “pacient” me “viktimë” dhe në këtë mënyrë ka shpërndarë një dezinformatë që nuk përkon aspak me realitetin. Ky titull e shtyn lexuesin të bëjë interpretim të gabueshëm, e dezinformon lexuesin dhe arrin qëllime të tjera, të papranueshme nga aspekti i standardeve të etikës gazetareske.

“Një 2 vjeҫar në Maqedoni ka humbur jetën nga koronavirusi. Sipas të dhënave të publikuara në web faqen e Institutit të Shëndetit Publik, pacienti më i ri me koronavirus në Maqedoninë e Veriut është një fëmijë dy vjeçar ndërsa pacienti më i vjetër është i moshës 91 vjeçe. Në raportin e detajuar ditor të Institutit për Shëndet Publik, thuhet se “mosha e pacientëve varion nga 2 deri në 91 vjet (mesatarisht 42.2 vjet), dhe shumica e pacientëve (23 përqind) janë midis moshës 30 dhe 39 vjeçe”- thuhet në tekst.

Në titull thuhet tjetër gjë, në tekst gjë tjetër!
Autori në vazhdim të tekstit duke u thirrur te të dhënat zyrtare të Institutit të Shëndetit Publik “e kthen në jetë” dy vjeçarin dhe e rradhit në listën e pacientëve, si më i riu në territor të shtetit. Në këtë tekst autori ka mashtruar lexuesit e tij, të cilët të ndikuar nga situata me coronavirusin dhe nga mënyra se si është shkruar titulli, duke mbajtur frymën pezull kanë klikuar për të parë se çfarë ka ndodhur me fëmijën. Por ky tekst nuk jep përgjigje, lexuesi del pa e kuptuar se çfarë ka ndodhur me dy vjeçarin. Cilit version duhet t’i besojë, atij të titullit apo të tekstit?!

Koncepti i Manipulimit “Thirrja e emocioneve” dhe “Prirja për anim të vëmendjes”
Në këtë tekst manipulimi është bërë nëpërmjet titullit dhe janë përdorur dy koncepte të manipulimit. Autori në vend të fakteve ka vendosur që të shkruajë bindjen e vetë me qëllim që të ngjallë emocione tek lexuesit. Ai madje në fillim të titullit ka përdorur fjalën
“E dhimbshme” me qëllim dhënien e peshës më të madhe emocionale.  Ndërkaq nëpërmjet konceptit “Prirje për anim të vëmendjes” autori në titullin e tij, i ka kushtuar më shumë vëmendje (dez)informacionit  që sjellë më shumë vlera emocionale, ndërsa i injoron informacionet e tjera.

Ruaj shëndetin fizik nga COVID 19, ruaj shëndetin nervorë nga lajmet e rreme!
Në një gjendje të jashtëzakonshme, me një virus që të gjitha shtetet po i’a mbyllin kufinjtë, por po kalon çdo kufi, nuk duhet në asnjë mënyrë të besohet gjithçka që dëgjohet apo lexohet. Duhet patjetër të keni kujdes se prej ku po informoheni. Mos i merrni të gjitha informacionet e servuara si të vërteta, mos lejoni që një titull të ju shtyjë të bëni interpretim të gabueshëm. Nëse hasni në një tekst që nuk përputhet me titullin, injorojeni. Përpiquni që lidhur me temën të gjeni një tekst nga një burim më i besueshëm i informacionit, mbajeni mend faqen e internetit që ju mashtroi, mos lejoni që këtë ta bëjë përsëri!

Ky artikull është pjesë e raportimit special të Krithink-ut për dezinformatat në lidhje me epideminë e koronavirusit Kovid-19. Klikoni në linkun për lajmet më të fundit dhe për informacione të verifikuara në këtë fushë.