Jo, virusi korona nuk shërohet me alkool!

[Recension: JA ILAÇI PËR KORONAVIRUSIN: Prof. Dr Kantarxhiev pohon se alkooli e vret virusin brenda sekondave]

Të pohosh me shkronja të mëdha në vetë titullin se ka ilaç për koronavirusin është të paktën e papërgjegjshme dhe joetike. E të pretendosh se ilaçi është pirja e alkoolit, është një marrëzi totale dhe dezinformim.

Linku deri te artikulli origjinal: JA ILAÇI PËR KORONAVIRUSIN: Prof. Dr Kantarxhiev pohon se alkooli e vret virusin brenda sekondave

Data dhe koha e publikimit: 6.1.2020

Data e recensionit: 10.2.2020

Recenzues: Simona Atanasova

Burimi i vetëm i këtij pretendimi është një deklaratë e një mjeku bullgar, i cili pretendon se alkooli e vret virusin brenda sekondave. Por, nuk ka asnjë dëshmi që mund ta vërtetojë se dr. Todor Kantarxhievi me të vërtetë ka dhënë një deklaratë të tillë. Nuk është theksuar as se ku e ka dhënë këtë deklaratë, e as nuk ka ndonjë konfirmim se ai me të vërtetë e ka thënë atë që e pretendon titulli në mënyrë senzacionaliste. Në artikull nuk ka as link deri te ndonjë medie bullgare, ku mund të lexohet ose të shihet në mënyrë origjinale deklarata e tij e pretenduar.

Por, edhe sikur mjeku ta ketë deklaruar këtë me të vërtet, kjo nuk do të thotë se pohimi është i vërtetë dhe i bazuar në dëshmi. E aq më pak do të thotë se kjo duhet të transmetohet në media dhe kështu të përhapen të pavëreteta në mënyrë të papërgjegjshme, në një situatë kur njerëzit janë të frikësuar nga shfaqja e këtij virusi të ri dhe do të provonin metoda të ndryshme për ta parandaluar infeksionin ose për ta shëruar atë.

Problematike është edhe ajo se vetë teksti është kontradiktor. Së pari thuhet se duhet të ndiqen udhëzimet e Organizatës Botërore të Shëndetësisë, e më pas thuhet se përdoruesit e rregullt të alkoolit janë më të mbrojtur.

Të vetmen gjë që e thotë OBSH-ja në lidhje me alkoolin dhe koronavirusin është se rekomandohet që të përdoret mjet dezinfektues për duart me bazë alkooli, por, mbi të gjitha rekomandohet larja e shpeshtë e duarve. Kjo është mënyra e vetme se si alkooli mund të ndihmojë kundër koronavirusit. Edhe jo si ilaç, por vetëm si parandalim nga infeksioni.

Por, titulli nuk flet për parandalim, por se alkooli është pikërisht ilaçi, edhe atë nëse konsumohet rregullisht. Prandaj, lind pyetja nëse media përmes këtij teksti i inkurajon lexuesit e saj të pinë sasi të mëdha alkooli për ta shpëtuar veten nga koronavirusi? Dhe kjo pretendohet pa ndonjë mbështetje, hulumtim ose ndonjë provë të bazuar mjekësore, se është e vërtetë.

Dhe nuk ka nevojë të jesh doktor ose personel mjekësor për ta ditur se ilaç për këtë virus nuk ka. Ka ilaçe që ndihmojnë në trajtimin e simptomave të virusit, derisa prisni që sistemi imunitar ta luftojë virusin, ndërsa parandalimi më i mirë janë vaksinat.

Kështu, ky pohim është një dezinformatë tjetër në serinë e dezinformatave që lidhen me koronavirusin. Publiku duhet t’i lexojë me rezervë të madhe këto informacione dhe saktësinë ta verifikojë edhe nga burime të tjera. Institucioni i vetëm për të dhënë ndonjë rekomandim dhe këshillë në lidhje me virusin është Organizata Botërore e Shëndetësisë, dhe gjithçka që nuk vjen prej tyre duhet të merret me një dozë mosbesimi.