Kamçev nuk e pranoi se Filipçeja është i përfshirë në reket

 

[FILIPÇEJA I PËRFSHIRË NË REKET: Rrëfim skandaloz i Orce Kamçevit në gjykatë]

Këtë tekst e “zbukuron” një titull i gabuar që e dezinformon publikun. Është nxjerrë një konkluzion i gabuar nga dëshmia e njërit prej dëshmitarëve gjatë gjykimit për rastin “Reket”, njërin nga skandalet më të mëdha në Maqedoninë e pavarur.

Linku deri te artikulli origjinal: FILIPÇEJA I PËRFSHIRË NË REKET: Rrëfim skandaloz i Orce Kamçevit në gjykatë

Data dhe koha e publikimit: 6.12.2019

Data e recensionit: 8.12.2019

Recenzuese: Simona Atanasova

Orce Kamçevi, gjatë seancës së dytë për këtë rast, dëshmoi dhe shpjegoi se si ishte shantazhuar nga të akuzuarit në këtë rast, Bojan Jovanovski, Zoran Milevski dhe ish-prokurorja speciale, Katica Janeva.

Kamçevi, gjatë marrjes në pyetje në mënyrë të kryqëzuar nga Boki 13, në sallën e gjyqit ka thënë se në njërin nga takimet, në mes të tjerëve, ka qenë i pranishëm edhe ministri i shëndetësisë, Venko Filipçe. Dhe aq. Në asnjë kontekst ai nuk pretendoi se Filipçeja ka qenë pjesë e shantazhimit.

Por, për autorin e tekstit që i nënshtrohet këtij recensioni, përmendja e emrit të Filipçes ka mjaftuar që ai (autori) ta marrë rolin e prokurorit dhe pa vërtetim dhe pa prova ta akuzojë se është i përfshirë në rastin “Reket”.

Dhe e gjithë kjo është paketuar në një tekst me titull senzacionalist me shkronja të mëdha që pretendon se Filipçeja është i përfshirë në rastin “Reket” dhe se kjo është dëshmi e Orce Kamçevit. E në një situatë kur të gjithë presin informacione shtesë nga gjykimi, teksti i këtillë bëri jehonë në rrjetet sociale, ku lexuesit për një kohë shumë të shkurtër e dënuan Filipçen për përfshirje në këtë rast.

Pasi përfundoi seanca gjyqësore, Kamçevi në një deklaratë për mediat shpjegoi se Filipçeja nuk ishte i përfshirë në punët e biznesit të Bokit 13.

Nëse Venko Filipçeja do të kishte kërkuar diçka në atë takim, ta dini, me siguri do të ishte denoncuar. Unë dhe Venko Filipçeja kemi vite që jemi miq. Mbi 20 vjet. Ai ka punuar në spitalin tonë për një kohë të caktuar. Ai ka qenë miku im dhe do të jetë miku im. Bojan Jovanovski kishte idenë të krijonte një partneritet publiko-privat për ndonjë spital. Ne i thamë se kjo nuk është ide e mirë, edhe pse ai mund të lobojë për këtë përmes disa lidhjeve të tij. Dhe kjo ishte ajo që ndodhi në takim, shtoi Kamçevi pas gjyqit.

Takimin e konfirmoi edhe Filipçeja, i cili në një prononcim për Nova TV tha se asgjë nuk doli prej kësaj dhe se më pas nuk ka pasur asnjë takim tjetër.

Takimi i përmendur në gjykimin e sotëm për rastin “Reket” u mbajt me kërkesë të Bojan Jovanovskit, në të cilin Orce Kamçev dhe unë u ftuam të diskutonim për ndonjë partneritet publiko-privat për një spital që ai synonte ta bëjë.

Megjithëse Kamçevi dhe Filipçeja shpejguan se për çfarë bëhet fjalë, megjithatë intensiteti i shpërndarjes dhe i komentimit të lajmit fillestar ishte shumë më i madh.

Mediat dhe gazetarët duhet të jenë shumë të kujdesshëm gjatë raportimit nga seancat gjyqësore, veçanërisht për raste kaq të mëdha, për të cilat interesohet i gjithë vendi. Meqenëse incizimi me kamera nuk lejohet gjatë seancave gjyqësore, publiku mund të informohet vetëm përmes raporteve të mediave dhe për këtë arsye është shumë e rëndësishme që ato të jenë precize, të sakta dhe të lira nga çdo sensacionizëm dhe garë pas klikimeve.

Kjo është thënë qartë në nenin 8 të Kodit të gazetarëve.

Mënyra e informimit në rastet e fatkeqësive, katastrofave natyrore, luftërave, tragjedive familjare, sëmundjeve, proceseve gjyqësore duhet të jetë e çliruar nga sensacionalizmi. Në proceset gjyqësore duhet të respektohet parimi i supozimit të pafajësisë, të raportohet për të gjitha palët e përfshira në mosmarrëveshje dhe nuk duhet të sugjerohet aktgjykimi.