Keqpërdorim i trilluar i parave shtetërore

 

[Recension: PËRSHËNDETJE NGA VAJZA E KRYEMINISTRIT: Përderisa fëmijët mbijetojnë me ilaçe për shkak të ndotjes, vajza e kryeministrit kënaqet në 3,249 metra lartësi mbidetare!]

 

Artikulli nuk zgjedh mjete dhe mënyra për të sulmuar kryeministrin, Zoran Zaev. Për këtë madje i përdor edhe anëtarët e familjes së tij. Për shkak të një qëllimi të caktuar propagandues, artikulli e ka përzier ndotjen e ajrit, fëmijët e sëmurë, paratë shtetërore, me kryeministrin Zoran Zaev dhe vajzën e tij.

Nuk ka asnjë lidhje midis ndotjes së madhe të ajrit, që është fakt, dhe pushimit të kryeministrit me familjen në Gjermani. Vendoset një paralele vetëm për ta përforcuar ndjesinë negative të lexuesit kur e lexon tekstin, e në realitet këto janë dy tema krejtësisht të veçanta. Për më tepër, me qëllim të forcimit të ndjenjës negative të lexuesit, në artikull në mënyrë tepër tendencioze dhe manipuluese është përdorur një fotografi nga profili i vajzës së kryeministrit Zoran Zaev në rrjetin social “Instagram”.

Linku deri te artikulli origjinal: PËRSHËNDETJE NGA VAJZA E KRYEMINISTRIT: Përderisa fëmijët mbijetojnë me ilaçe për shkak të ndotjes, vajza e kryeministrit kënaqet në 3,249 metra lartësi mbidetare!

Data dhe koha e publikimit: 20.1.2019

Data e recensionit: 24.1.2019

Recensuese: Simona Atanasova

Me këtë teksti dezinformohet publiku se vajza e Zaevit ka shkuar për pushime dimërore me para shtetërore. Kjo është një akuzë paushalle. Nuk ka asnjë dëshmi që do të mund ta konfirmonte se janë keqpërdorur para nga buxheti i shtetit, gjë që dënohet sipas Kodit Penal. Media, thjesht, ka ardhur në përfundim se kjo është kështu, pa e theksuar se si ka ardhur deri te ky përfundim. As që ka ndonjë konfirmim që do ta legjitimonte një përfundim të tillë.

Artikulli ia plason publikut një dezinformatë të këtillë, edhe pse më herët shërbimi i qeverisë për marrëdhënie me publik u njoftua për pushimin dimëror të Zaevit me familjen, për të cilin potencuan se do të jetë në regji private.

Kryetari i qeverisë është në vizitë private në Gjermani dhe shfrytëzon ditë të lira. Të gjitha shpenzimet për biletat e aeroplanit, qëndrimin në hotel dhe gjithçka që lidhet me qëndrimin atje, janë tërësisht në regji private, të mbuluara nga kryeministri Zaev. Me kryeministrin, në përputhje me ligjet, sipas detyrës zyrtare, i pranishëm është edhe sigurimi i tij – thuhet në konfirmimin që e ka marrë “Faktor”-i nga shërbimi i qeverisë për marrëdhënie me publikun.

Natyrisht, nga përvoja e deritanishme shumëvjeçare e keqpërdorimit të mjeteve buxhetore nga funksionarët shtetërorë, që e ka përjetuar Maqedonia, gazetarët duhet gjithmonë të jenë një syri vigjilent i publikut dhe të hulumtojnë se a i përdor ndonjë funksionar paratë shtetërore për qëllime private. Por, nëse zbulohet një rast i tillë, duhet të paraqiten edhe argumente që do të mbështesin pohimin. Përndryshe, bëhet fjalë për gënjeshtër dhe shpifje vetëm për ta njollosur reputacionin e ndonjë personi dhe ai para publikut të paraqitet në dritë të keqe.

Akuza të këtilla paushalle dhe spekulime pa dëshmi, me të cilat shkelet Kodi i gazetarëve edhe atë që në artikullin e parë, i cili thotë se “gazetari duhet të publikojë informata të sakta dhe të verifikuara“, jo vetëm që e dëmtojnë medien, por e dëmtojnë edhe reputacionin e gazetarisë si profesion.