Foto: Pexels
Nga Xhenis Sulimani
Dëshmi jo e plotë. Selektim të argumenteve. Injorim të dëshmive të vërteta. Vlerësim i njëanshmëm. Tentim për të bindur opinionin të pranojë ndonjë pozicion të caktuar, duke fshehur fakte apo duke i dhënë opinionit argumente për ta shtypur një të vërtetë. Janë këto tendenca manipulative që mediat sot dinë shpesh t’i përdorin për ta arritur ndonjë cak të caktuar, apo synim që ka për qëllim ushqimin e apetiteve të ndonjë klani, grup interesi apo ndonjë agjende partiake.
“Cherry picking”, është termi ndërkombëtar që fut në një ombrellë këtë lloj manipulimi mediatik.
“Cherry picking” është fenomeni që devijon paanshmërinë, raportimin e drejtë, të saktë dhe objektiv. Mediat sot, dinë shpesh të selektojnë argumente gjatë raportimit pavarësisht cilën ngjyrë partiake duan ta forcojnë, apo t’i japin ngjyrë më shumë.
Media del shpesh jashtë binarëve, kur ka në duar të saj “cherry picking”, duke selektuar argumente dhe duke bërë gazetari të njëanshme. Gazetaria kësi soji nuk respekton opinionin publik, por edhe humb kredibilitetin e saj, duke u bërë në këtë mënyrë vegël manipulimi.
Nëpërmes disa shembujve konkret do të zbulojmë se si manipulohet me “cherry picking”.
“Demiri: Presidenti i ardhshëm, lojal i partisë – s’do t’i përfaqësojë shqiptarët“. Është titulli i parë që do marrim si shembull i një “cherry picking” klasik.
Sot, kur tashmë janë shpallur zgjedhjet presidenciale 2019 çdo njohës i rrethanave politike ka të drejtën e mendimit dhe kategorizimit të presidentit të ardhshëm të Republikës së Maqedonisë së Veriut. Megjithatë, që produktet gazetareske të mos jenë të njëanshme, të paplota dhe vetëm me një argument, spektri i përfshirë në tekst duhet të jetë më laraman.
Edhe pse thuhet në tekst se qëndrimi i z. Demirit është pjesë e debatit për presidentin e ardhshëm, nuk kemi ndonjë qëndrim tjetër, ndonjë argument të ndonjë opinionisti tjetër për kategorizimin e presidentit të ardhshëm.
Se, presidenti i ardhshëm nuk do t’i prezantojë shqiptarët bazohet vetëm në argumentin e z.Demirit. Kjo përbën argument, për ne, për të vërtetuar se kemi të bëjmë me shembull ku kemi “cherry picking”.
“Analistët: LSDM është e vetëdijshme se ka reiting shumë të ulët“. Është shembull tjetër që ka të bëjë me selektim të argumenteve. Për dallim nga shembulli i parë, në këtë tekst gazetaresk kemi më shumë se dy qëndrime, mirëpo teksti nuk merret si objektiv për faktin se mungojnë statistikat, për ta vërtetuar titullin. Është çorientim i opinionit tendenca që titulli të bazohet në qëndrime opinionistësh dhe jo në statistika të rejtingjeve. Kjo qartazi dëshmon se mungesa e statistikave është tentuar të mbulohet me opinione analistësh.
Gazetari nuk duhet të drejtohet nga bindjet personale. Bazuar në dy shembujt e mësipërm; gazetari duhet të drejtohet ka përmbledhja e sa më shumë argumenteve, pa anime. T’i jepet hapësirë çdo qëndrimi rreth presidentit të ardhshëm. T’i jepet hapësirë çdo opinionisti. Megjithatë, kur mëtohet të tregohen rejtingje, e rendit është të dilet me numra.
Media, por edhe publiku, duhet të dijë rëndësinë e interesit publik.
“Paanshmëria është me rëndësi thelbësore gjatë raportimit. Lajmet duhet të bazohen në fakte, të cilat janë të verifikuara, të atribuara dhe të dëshmuara. Për të qenë i paanshëm gjatë plasimit të lajmeve dhe informacioneve, do të thotë që të përjashtohet çdo qasje ose mendim personal gjatë formësimit të tyre, ndërsa publikut t’i lihet të nxjerr vetë përfundime pa iu imponuar qëndrimet personale.”
Publiku duhet ta ketë të lehtë, pasur parasysh edhe rekomandimet e mësipërme, të dallojë kur autori i ndonjë produkti gazetaresk tenton që opinionin ta shëtisë ka bindjet e veta dhe jo te argumentet e mirëfillta. Një kokë e shëndoshë, kritike, gjithmonë duhet të kërkojë dy anë në çfarëdo produkti gazetaresk, ose më saktë, tezë të argumentuar me më së paku dy fakte.