Këta raste e shndërrojnë median në PR!

Foto: Huỳnh Đạt / Pexels

Trajtimi i një problematike nga mediat duhet të përmbajë më së paku dy palë, varësisht se çfarë publiku prek i njëjti problem. Por, disa media ndonjëherë e lënë anash këtë fakt, qëllimshëm ose jo, dhe në artikuj gazetaresk duke e përfshirë vetëm një palë. Kështu, rrezikojnë të shndërrohen edhe në PR (Public Relations) apo Marrëdhënie me Publikun.

Nga Fatbardha Curri

Parimi i parë i gazetarisë thotë se gazetari duhet të publikojë informacione të verifikuara, saktësia e të cilave duhet të provohet disa herë. Kjo nënkupton se gazetari duhet të përfshijë sa më shumë palë.

“Gazetari ka të drejtë për qasje të lirë në të gjitha burimet e informimit, që janë me interes publik. Gazetari duhet të botojë informata të sakta dhe të provuara dhe nuk do të fshehë të dhëna esenciale dhe të falsifikojë dokumente. Nëse informata nuk mund të konfirmohet, ose nëse bëhet fjalë për supozim, respektivisht spekulim, kjo gjë duhet të thuhet dhe të publikohet. Saktësia e informatës duhet të provohet sa më shumë të jetë e mundur”, thuhet në Kodin Etik të Gazetarëve.

Por, çfarë po bëjnë disa media?

Qëllimshëm ose jo, këtë parim janë duke e shkelur. Kjo, sepse janë duke publikuar informacione të cilat nuk janë duke i verifikuar disa herë dhe nuk kanë më shumë se një palë. Ose thënë ndryshe, publikojnë informacione që përmbajnë vetëm një palë që në rastet që do t’i përmendim më poshtë, janë institucione e ndërmarrje publike dhe parti politike.

Kjo bën që të jenë të njëanshëm dhe rrezikon të dezinformojë publikun. Kjo është evidentuar edhe në Doracakun e “Krithinkut”.

“Njëanshmëria – në kontekstin e gjuhës mediale paraqet një disbalans të padrejtë në qasjen e raportimit në favor të një pale kundër një pale tjetër”.

Kur njëanshmëria bëhet duke plasuar informacione që kanë vetëm një palë, dhe ato palë janë institucionet shtetërore, media rrezikohet të shndërrohet në PR. Për shembull kemi rastin:

Këta janë disa nga titujt e mediave të cilat kanë plasuar informacione ku si palë kanë vetëm institucionet. Të njëjtat janë shndërruar në PR, kjo edhe për faktin se në artikuj nuk sqarohet arsyeja e përcjelljes së kumtesës së institucionit, që në këtë rast, nuk shtjellohet fare problemi për të cilin kanë reaguar institucionet. Problemi thellohet më shumë, se mediat kanë publikuar reagimin e institucioneve, ndërkaq paraprakisht nuk kanë trajtuar problemin për të cilin kanë reaguar institucionet. Këtu kemi të bëjmë edhe me manipulim,ngaqë në artikull vërehet prania e konceptit “Thirrja për mungesën e provave të kundërta”. Ky koncept paraqet prirje për të besuar se një deklaratë është e vërtetë vetëm sepse i mungon prova që nuk është e vërtetë (si dhe anasjelltas). Kjo për shembull themi:

  • “Spitali Gostivarit: Deklaratave jo korrekte të Komunës do tu përgjigjemi me investime”, ndërkaq nuk dalim në terren për të verifikuar reagimin e Spitalit ndërkaq nuk tregojmë as se për çfarë reagon i njëjti.
  • “Flet EVN-ja: Ja pse nuk ka rrymë në Gërçec”, ndërkaq aty shohim se si banorët “dyshohen se janë vjedhës të rrymës elektrike”, ndërkohë si EVN por edhe media nuk e verifikon të njëjtën.
  • “Alternativa mbështet banorët e Gërçecit, kërkon llogari nga EVN-ja”, ndërkohë nuk shohim se si e kërkon llogarinë nga EVN-ja, nëpërmjet cilave instanca.

Gazetari apo PR?

Që mediat të mund ta dallojnë rolin e tyre, duhet t’ia parashtrojnë vetes pyetjen: “Se ka interes publik ky informacion?”, “A janë të përfshira të gjitha palët” dhe “A e mbroj interesin e qytetarëve apo të ndonjë pale tjetër?”.

Por në rastin e mediave të apostrofuara më lart, shohim se aty nuk ka përgjigje ndaj këtyre pyetjeve, andaj vlerësojmë se të njëjtat janë shndërruar në PR. PR mundëson informim të publikut vetëm për punën e institucioneve dhe ndërmarrjeve, mundëson gjithashtu që në mënyrë profesionale të mirëmbahet imazhi i favorshëm në publik i institucioneve dhe ndërmarrjeve.