Kjo s’është gazetari, por propagandë kundër deputetit Kahremani

Foto ilustrim

Artikulli gazetaresk duhet t’i qartësojë dilemat rreth titullit, dhe jo t’i shtojë të njëjtat. Në rast se dilemat shtohen edhe në artikull dhe u referohen funksionarëve shtetërorë, politikanëve dhe deputetëve, atëherë s’kemi të bëjmë me raportim objektiv, por me propagandë kundër personave të apostrofuar. E në artikullin që e recensojmë, është realizuar propagandë kundër deputetit Nexhmedin Kahremani.

TetovaSot: Nexhbedin Kahremani bojkoton Alternativen në Tetovë, a do kthej mandatin e deputetit në Lëvizjen BESA?
TetovaSot: Nexhbedin Kahremani bojkoton Alternativen në Tetovë, a do kthej mandatin e deputetit në Lëvizjen BESA?

Linku deri te artikulli: “Nexhbedin Kahremani bojkoton Alternativen në Tetovë, a do kthej mandatin e deputetit në Lëvizjen BESA?”

Data e publikimit: Nuk ka datë të publikimit

Data e recensionit: 17.12.2019

Titull dhe artikull që vetëm shtojnë dilema

Media në fjalë ka hapur dilemë që në titull. Më pas të njejtën e ka bërë edhe në shkrim. Nëse autori ka dilema, gjëja më e vogël që duhet të bëjë është të mundohet t’u jep përgjigje atyre duke siguruar verifikime me burime të ndryshme dhe material adekuat. Nuk është e pranueshme që një shkrim të hapë dilema dhe as mos tentojë të jep përgjigje në të njejtat.

“Dje Alternativa e Afrim Gashit mbajti kuvendin e Forumit Rinor në Tetovë, ku zgjodhi edhe kryetarin e të rinjve, Afan Elezi nga Gostivari. Ajo që ka rënë në sy, gjatë mbrëmjes së djeshme ishte mungesa e deputetit, Nexhbedin Kahremani, i cili siç duket kohën e fundit po bojkoton Alternativën e Afrim Gashit”, thuhet në pjesën e parë të artikullit.

Manipulim i publikut

Nëse vazhdohet më tej leximi, shihet se media ka realizuar edhe propagandë kundër deputetit Nexhmedin Kahremanit. Kjo mund të vërehet edhe në pjesën ku thotë se ditëve në vijim pritet të dorëzojë mandatin. Për këtë, bind fakti se media nuk ka bërë përpjekje për të kontaktuar Kahremanin dhe partinë, fillimisht për të pyetur se pse ai nuk ka qenë i pranishëm në Forumin Rinor të Tetovës, e pastaj për atë se a do të dorëzojë mandatin te Lëvizja Besa. E nëse këtë gazetari e ka bërë, por nuk ka marrë përgjigje, për këtë duhet ta njoftojë publikun.

“Nëse gazetari pengohet të arrijë deri te informata e kërkuar, ai ka të drejtë për këtë të informojë opinionin”, thuhet në Kodin Etik të Gazetarëve.

Media ka manipuluar me publikun, ngaqë në artikull mund të vërehet përdorimi i koncepteve të manipulimit: “Prova selektive” dhe “Argumente kundër personit”.

Me përdorimin e “Provave selektive”, media përpiqet të tregojë fakte që flasin për mbështetje të një pretendimi dhe në të njëjtën kohë injoron faktet që janë kundër të njëjtës, ndërkaq “Argumentet kundër personit” nënkuptojnë prirje për sulm ndaj ndonjë pretendimi përmes sulmit të personit që e përfaqëson atë, në këtë rast deputeti Kahremani.

Propagandë kundër Kahremanit

Duke e parë se media me çdo kusht është përpjekur të krijojë bindjen se mes Kahremanit dhe Alternativës ka pakënaqësi, e cila do të rezultojë edhe me dhënien e mandatit prej deputeti, vlerësojmë se në artikull është bërë edhe propagandë kundër Kahremanit.

E për këtë, Doracaku i “Krithinkut” për luftim dhe detektim të dezinformatave, me qëllim të nxitjes dhe zhvillimit të mendimit kritik, thotë:

“Informacioni ose pako informatash që nuk janë objektive dhe përdoren që të ndikojnë në mendimin ose sjelljen e njerëzve për përmbushjen e një agjende (politike, korporative, etj.). Propaganda zakonisht përdor një mesazh emocional dhe jo racional. Ekzistojnë shumë lloje dhe nëntipe të propagandës, por është e zakonshme të ndahen në politike, fetare dhe komerciale”, thuhet në Doracakun e Krithinkut.