Kolumnat paraqesin një vlerësim dhe trajtim të një problematike shoqërore nga këndvështrimi i një personi – kolumnistit, dhe nuk mund të merren “copy-paste” për t’u publikuar si artikuj gazetaresk. Në këtë drejtim, kolumnat mund të merren të plota, por të kategorizohen si kolumna apo opinione, apo si pjesë të deklaratës duke cituar autorin, që më pas të kategorizohen si lajme. Megjithatë, nuk duhet të dalin nga konteksti origjinal, pasi atëherë flasim për dezinformim, siç ndodh me lajmin që e recensojmë.
Linku deri te artikulli origjinal: “Për një vit qytetarët e Maqedonisë harxhojnë 100 milionë euro për prostitucion dhe drogë”
Data e publikimit: 04.10.2019
Data e recensionit: 06.10.2019
Recensuese: Fatbardha Curri
Titull tendencioz dhe fotografi me manipulim të rrezikshëm
“Për një vit qytetarët e Maqedonisë harxhojnë 100 milionë euro për prostitucion dhe drogë”, thuhet në titullin e lajmit që e recensojmë.
Vënia në titull të dy dukurive devijuese, prostitucioni dhe droga, është përdorur për të tërhequr syrin e lexuesit. Ai është tendencioz, sepse ka ndryshuar titullin origjinal, duke e nxjerrë nga kontesti tërë artikullin. Kjo vihet në pah edhe nga lloji i fotografisë e cila bën manipulim të rrezikshëm, ngaqë ilustron vetëm dukurinë e prostitucionit, e jo të dukurive të tjera trajtuese në artikull.
Sa për ilustrim, titulli origjinal është: “Ka ardhur koha që në Maqedoni të tatimohen makrotë dhe dilerët, ndërsa plotësisht të lirohen IKT kompanitë”.
Artikull joprofesional, komente, anshmëri dhe plagjiaturë
Manipulimi i fotografisë, vazhdon edhe me mënyrën se, si media ka vendosur ta plasojë në publik kolumnën. Në fillim, ajo është vendosur në kategorinë e lajmeve, gjë e cila është gabim. Se diçka nuk shkon me artikullin, kuptohet nga paragrafi i parë.
“Matematika tregon se qytetarët e Maqedonisë në vitin 2016 kanë shpenzuar rreth 107 milion euro për prostitucion dhe narkotikë. Sot kjo shumë me siguri është shumë më e madhe. Gjë e cila nuk mund të konfirmohet me statistikë sepse të dhënat përllogariten një periudhë të caktuar pas përfundimit të vitit në vijim e sipër”, thuhet në lajmin që e recensojmë.
Nga paragrafi i cituar, shihet se media nuk ka sqaruar se, cilat matematika e thonë atë të dhënë, edhe pse në disa raste ka cituar Entin Shtetëror të Statistikave. Ka zgjedhur të shpreh komente dhe vlerësim, duke thënë se, “kjo shumë me siguri është shumë më e madhe”, ndërkaq nuk ka treguar të dhëna për vitin 2017, 2018 dhe 2019. Këtu kemi edhe shtrembërim të fakteve, sepse edhe në vetë paragrafin thuhet se, “kjo nuk mund të konfirmohet me statistikë”, gjë e cila tregon se vlerësimi është i paverifikuar. Andaj vlerësojmë se media ka përdorur konceptin e manipulimit thirrje në “probabilitet” dhe “autoritet”. Kjo është në kundërshtim me Kodin Etik të Gazetarëve.
Parimi i parë: Gazetari ka të drejtë për qasje të lirë në të gjitha burimet e informimit, që janë me interes publik. Gazetari duhet të botojë informata të sakta dhe të provuara dhe nuk do të fshehë të dhëna esenciale dhe të falsifikojë dokumente. Nëse informata nuk mund të konfirmohet, ose nëse bëhet fjalë për supozim, respektivisht spekulim, kjo gjë duhet të thuhet dhe të publikohet. Saktësia e informatës duhet të provohet sa më shumë të jetë e mundur.
Parimi i trembëdhjetë: Gazetarët duhet të bëjnë dallim mes fakteve dhe mendimeve, mes lajmit dhe komentit.
Artikulli është i njëanshëm, sepse nuk ka gjithëpërfshirje të palëve në titull. Kjo shihet edhe nga mosvënia në pah të problematikës kryesore të kolumnës e cila është, moslirimi nga tatimi i kompanive me fushë të veprimit, Teknologjinë Informatike dhe Kompjuteristike (TIK). Këtu mund të flasim edhe për anashkalim të qëllimshëm ose të paqëllimshëm të një pjese të informatës, që mund të cilësohet si fshehje e informatave.
“Në të njëjtën kohë, u aplikua tatimi progresiv nga i cili më të goditur janë programuesit dhe profesionistët e tjerë nga IKT kompanitë edhe pse pikërisht ata kanë perspektivë më të madhe dhe më së shumti mund të kontribuojnë për zhvillim më të shpejtë ekonomik dhe për mbajtje të të rinjve në atdheun tonë”, thuhet në artikullin gazetaresk, ku vihet në pah problematika e moslirimit nga tatimi i kompanive me fushë të veprimit, Teknologjinë Informatike dhe Kompjuteristike (TIK).
Se kemi të bëjmë me plagjiaturë mund të kuptohet me kërkim shtesë të një pjese të artikullit. Kërkimet na dërguan në artikullin origjinal. Artikulli gazetaresk ishte “copy-paste” e tërë kolumnës. Kjo është në kundërshtim me Kodin Etik të Gazetarëve.
“Plagjiatura është e papranueshme. Citatet nuk nuk guxon të përdoren pa miratimin e burimit ose të autorit”, thuhet në Kodin Etik të Gazetarëve.
Për lexuesin: Informohuni në media të vendit për kur thirren informatat
Në rastin tonë, meqë media është nga Shqipëria, e kurse artikulli gazetaresk ka të bëj me Maqedoninë e Veriut, publiku duhet ta marrë me rezervë vërtetësinë e informacionit të publikuar. Çdo vlerësim dhe citim i informatave duhet të vërtetohet duke u thirr në burim të informatave relevante dhe të besueshme.