Konferencat për shtyp dhe “betimi për heshtje”

Mungesa e pyetjeve nga gazetarët në konferencat për shtyp tregon se ata më shpesh vijnë të papërgatitur për temën për të cilën flitet dhe se kanë shumë pak njohuri për të

 

Shkruan: Тeofil Bllazhevski

 

Konferencat për shtyp janë indikator i shkëlqyeshëm për nivelin e (mos)dijes dhe (pa)përgatitjes së gazetarëve për temat për të cilat flitet. Kjo posaçërisht vjen në shprehje në të ashtuquajturat konferencat tematike, ku prezantohen të dhëna për projekte të reja infrastrukturore, për rritjen e eksportit, prodhimtarinë, të hyrat dhe të dalat buxhetore, subvencionet, makro dhe mikro treguesit ekonomik, të dhëna për rritje në veprimtaritë propulzive… I ngjashëm është rasti edhe me konferencat për shtyp ku flitet për tema shoqërore ose politike, të lidhura ose të rregulluara me një sërë konventash, rezolutash, marrëveshjesh ndërkombëtare… Konferencat e këtilla për shtyp, me përjashtime të rralla, përfundojnë me heshtje, mu atëherë kur folësi duhet të “bombardohet” me pyetje.

 

Pa komunikim dykahësh

Mungesa e pyetjeve nga gazetarët në konferencat për shtyp tregon se ata më shpesh vijnë të papërgatitur për temën për të cilën flitet, se nuk kanë ose kanë shumë pak njohuri për të, se vetëm sipërfaqësisht, e jo thellësisht “mbulojnë” ndonjë resor që i paraqet si ithtarë të përcjelljes “postale” të informatave që njoftohen. Kjo, në numrin më të madh të rasteve, është edhe shkaku që ata nuk bëjnë analizë të asaj që është thënë, e as nuk parashtrojnë pyetje pas të cilave publiku do të fitonte një pasqyrë më të qartë dhe më të detajuar për gjendjen në ndonjë sferë të caktuar. Duke e përkrahur në mënyrë të vazhdueshme heshtjen në vend të pyetjeve, gazetarët tashmë një periudhë më të gjatë reflektojnë një fotografi për veten si subjekte inferiore në procesin e informimit, të cilët në mënyrë vullnetare heqin dorë nga komunikimi dykahësh ndërmjet tyre dhe subjektit që jep informata. Të shndërruar në mbajtës të mikrofonëve dhe stilografit, që pa asnjë kërshëri profesionale në mënyrë rutinore e shënojnë atë që folësi ka për t’ua thënë, ata në mënyrë të drejtpërdrejtë ia kufizojnë publikut të drejtën për të marrë më tepër informata.

“A ka pyetje? Ka pyetje? Mirë, nëse nuk ka, ju faleminderit që morët pjesë në këtë konferencë për shtyp”. Me këtë frazë standarde përfundojnë numri më i madh i konferencave për shtyp. Inferioriteti i këtillë i gazetarëve automatikisht i mundëson pozitë superiore prezantuesit të informatave, ndërsa informatave të plasuara – status të së vërtetës absolute, që nuk i nënshtrohet verifikimit publik, më shpesh për shkak të mospërgatitjes së gazetarëve.

 

Përgatitja për konferencën për shtyp

Gazetarët e specializuar për fushat të caktuara duhet të disponojnë me numra në fushat të cilat i ndjekin profesionalisht, me të dhëna për trendet aktuale në vend, në rajon dhe në botë. Para se të vijnë në konferencën për shtyp ata duhet t’i kontrollojnë të dhënat më të reja për gjendjen aktuale dhe gjendjet e mëparshme, për projektimet e paralajmëruara, analizat, komentet dhe gjithçka që jep pasqyrë të plotë për temën e trajtuar. Kjo do t’u ndihmojnë gazetarëve t’i analizojnë numrat e prezantuara në konferencën për shtyp ose t’i vënë në mënyrë krahasuese në kontekst, për shembull, të buxhetit, të krizës, të shpenzimeve joproduktive dhe në përputhje me këtë, të konstatojnë dhe të pyesin pse numrat kanë trend rënës, rritës ose stagnojnë.

Ka edhe gazetarë, të cilët edhe përkundër mosnjohjes së gjendjeve në sferën përkatëse, përpiqen në mënyrë intuitive t’i interpretojnë dhe t’i komentojnë numrat, dhe përfundojnë si në formulën e njohur të anekdotës “gazetari + numrat = gabim”. Që të mos ndodhë kjo, është e domosdoshme që gazetari “të pajiset” me të gjitha të dhënat relevante për temën. Nëse bëhet fjalë për ndonjë temë jashtëzakonisht të ndërlikuar dhe të panjohur, për të cilën gazetari nuk disponon me të dhëna dhe njohuri, para konferencës për shtyp është mirë të sigurojë brifing me ekspertë nga ajo fushë ose nga ndonjë gazetar me përvojë dhe i specializuar, i cili me vite e ndjek atë temë. Nga bieda me ta mund të kuptojë se cilat janë problemet aktuale në atë sferë, kështu që lehtë mund t’i skicojë pyetjet e vërteta dhe t’i parashohë përgjigjet dhe nënpyetjet e mundshme për to.

Kur të përfundojë kjo përgatitje e themeltë, ajo që i mbetet gazetarit është t’i parashtrojë pyetjet thelbësore dhe të insistojë në përgjigje precize. Është me rëndësi edhe që t’i kundërvihet përpjekjeve të moderatorit ose të folësit, nëse ai kërkon që përnjëherë t’i parashtrohen disa pyetje, për shkak se në rastet e tilla gjithmonë ekziston mundësia t’u përgjigjet vetëm atyre më të thjeshtave, dhe t’i “harrojë“ më të rëndat. Me përfundimin e konferencës për shtyp nuk përfundon mundësia për të parashtruar edhe pyetje plotësuese. Duhet drejtuar folësve para se ta lëshojnë hapësirën, për shkak se shumicca prej tyre me kënaqësi do të përgjigjen edhe në pyetje të tjera nëse shohin se gazetari e njeh mirë temën.

 

Ky artikull edukativ fillimisht është publikuar nga Shërbimi për verifikimin e fakteve në media, ndërsa КriThink e ripublikon për ta informuar publikun për tema që kanë të bëjnë me njohuritë elementare mediatike dhe mendimin kritik