Kur autori nuk ka dëshmi për atë që shkruan, gjithçka konsiderohet trillim

Në kërkim të klikimeve dhe kaosit mediatik, gjithnjë e më shumë po prodhohen lajme që nuk e kanë as “L”-në nga lajmi. Shkruhen tekste që vendosen në kategorinë e lajmeve, por që nuk kanë asgjë informative. Nuk kanë as burime të besueshme, referenca, e as kuptim, dhe kjo fatkeqësisht ka filluar dalë ngadalë të bëhet rregull i keq i pashkruar në gazetari.

Foto schreenshot nga lajmi që recensohet
Foto schreenshot nga lajmi që recensohet

Linku deri te artikulli: Rrihen mes veti dy drejtorë “integristë”, lutuni për shëndetin e tyre!

Data e publikimit: 26.03.2019

Data e recensionit: 31.03.2019

Recensuese: Ferikan Iljazi

Titullin e bën tërheqës që të manipulojë më lehtë më tej!

Manipulimi dhe tentativa për të “joshur” lexuesit me tekste boshe duket që në titull.  “Rrihen mes veti dy drejtorë “integristë”, lutuni për shëndetin e tyre!”. E çfarë lë të nënkuptojmë ky titull, në përkthim do të thotë se dy funksionarë të BDI-së rrihen mes vete dhe janë në gjendje të rëndë shëndetësore, por brenda tekstit nuk ka asgjë që konfirmon titullin që ta bëjë të besueshëm.

Teksti shkruhet si të ishte vazhdimësi që ta bëjë më bindëse ngjarjen

Autori i këtij teksti ka tentuar që këtë “informacion” ta shesë si të ishte një ngjarje e lidhur nga e kaluara, ose një praktikë e shpeshtë e “rrahjes së integristëve”  ose funksionarëve të tjerë mes vete, por duke mos dhënë askund referenca ose përkujtime se kur më herët kanë ndodhur ngjarje të tilla, në mënyrë që ta argumentojë pohimin e tij se “Pas një pauze, janë rikthyer incidentet në skenën politike në Maqedoni

Kujdes kur lexoni tekste të ndjeshme që vijnë nga burime partiake, kanë axhendë

Autori i këtij teksti ka tentuar ta bëjë të besueshëm lajmin duke u thirrur në burime partiake. Jo që burimet anonime janë të ndaluara, por ndalohet keqpërdorimi i tyre, dhe këtu duket qartë se ka patur keqpërdorim të termit “burime partiake”. Fundja çfarë lajmi me vlerë është ky për gjoja incident mes dy funksionarëve që të përdoren burime partiake si referencë.
Po të kishte vetëm një elemente, një foto, një video, një deklaratë, ndoshta lajmi do të merrte peshë, peshë do të kishte po të ishin vendosur edhe emrat, por kështu siç është shkruar lajmi vetëm me hamendësimë dhe në formë “gjëegjëze” nuk ka asnjë vlerë.

“Sipas këtyre burimeve, të hënën ka ndodhur një incident, pasi janë rrahur mes veti dy bashkëpartiakë, prej të cilëve njëri drejtor në Ndërmarrjen lokale të pyjeve, kurse tjetri drejtor në një shkollë. Këto burime thonë se bëhet fjalë për drejtorë nga radhët e “integristëve”, pa dashur të përmendin emrin konkret të partisë. “Mjafton ta shkruani se drejtori i rrahur është nga radhët e ‘integristëve’ dhe qytetarët e Maqedonisë do ta kuptojnë se për kë bëhet fjalë”, kanë thënë për mediat këto burime partiake Sipas tyre, rrahja ka ndodhur në një komunë në të cilën do të mbahen së shpejti zgjedhje lokale. Më së keqi ka kaluar Drejtori i ndërmarrjes lokale të pyjeve”, shkruan në tekstin që po e recensojmë.

Për lexuesit: Kur është një lajm i vërtetë, atëherë gjithmonë ekzistojnë mundësi  për verifikim
Ju lexues në këtë rast i keni duart e lidhura pasi nuk keni se si ta konfirmoni  ngjarjen nëse ka ndodhur vërtetë, por ajo që mund të bëni është që mos u jepni vëmendje teksteve që janë me hamendësimë, burime anonime dhe duket se nuk mund të jenë të vërteta. Kur është një lajm i vërtetë, atëherë gjithmonë ekzistojnë mundësi  për verifikim, por kur është i rremë, gjenden mënyra për ta kamufluar nën petkun e burimeve anonime. Kështu që, bëni kujdes me çfarë e harxhoni kohën tuaj.