Në kohën kur bota po ballafaqohet me një virus që është shtrirë në të gjithë planetin, përveç frikës për shëndetin, frikë tjetër paraqet edhe fusha ekonomike tek e cila ky virus po shkakton dëme të mëdha. Duke parë se si po zhvillohet situata, të gjithë punëtorët janë të shqetësuar se çfarë do të ndodh me pagat e tyre dhe me vendet e tyre të punës dhe çdo informacion që lidhet me këtë fushë, paraqet interes të madh për opinionin. Disa media online e shfrytëzojnë këtë moment dhe vendimet ekonomike të marra nga qeveria, i vendosin në anën e peshores së partive të caktuara politike, me qëllim mundësimin e përfitimeve politike për ta.
Linku deri te artikulli: BDI vulos, nuk preken rrogat e administratës, ja masat e reja nga qeveria
Data e publikimit: 31.03.2020
Data e recensionit: 07.04.2020
Recensuese: Ajnur Bafqari
Masat i miraton qeveria dhe jo vetëm një subjekt i caktuar politik
Në tekstin që po recensojmë, që në titull vërejmë se diçka nuk shkon me të. Nëse hedhim një shikim të dytë, na asocon me një titull, teksti i të cilit mund të jetë i sponzorizuar nga një parti politike. Sipas titullit, të gjitha vendimet që në fakt i ka marrë qeveria, paraqiten si të jenë marrë nga partia politike në fjalë. Titulli nuk është adekuat, ai e shtyn lexuesin që të keqinterpretojë informacionin. Me përdorimin e termit “vulos” autori i tekstit e vulos joprofesionalizmin dhe njëanshmërinë e tij. Vetëm leximi i titullit krijon konfuzion, në fillim i jep peshë partisë politike në fjalë, në vazhdim e tregon informacionin, pra masat e marra, ndërsa në fund e potencon se këto masa në fakt i ka marrë qeveria.
Titull, komunikatë, publikim!
Tekst i autorit është vetëm titulli, pasi në gjithë përmbajtjen e tekstit janë vendosur vetëm pjesë të komunikatës së qeverisë me vendimet e marra në seancën e saj. Duke mos e shkruar as një rresht ku do të sqaronte se këto vendime i ka marrë qeveria, autori deri në fund të tekstit e mbështet qëllimin e tij kryesorë, i paraqet si merita të partisë në fjalë, të gjitha vendimet të cilat i ka marrë qeveria.
“Nuk preken rrogat e administratës shtetërore dhe publike✅
▶️Të gjithë funksionerët dhe të emëruarit në nivel shtetëror dhe lokal do të marrin rrogë minimale prej 14.500 den për muajt prill dhe maj, të vitit 2020✅
▶️Përkrahje financiare për të prekurit nga kriza, subjektet juridike, punëdhënësit nga sektori privat për muajt prill dhe maj të vitit 2020, me vlerë të rrogës minimale (14,500 denarë në muaj) për punëtor.”- thuhet në tekst
Kur shtrembërimi i të vërtetës përdoret për manipulim
Autori në tekstin e tij, madje ka përdorur shenja të caktuara, të cilat ngjasojnë me shenjat e partisë politike në fjalë gjatë kohës së fushatës. Teksti ngjan me një banderolë partiake, në kohë fushate. Artikulli në mënyrë të drejtëpërdrejtë nuk përmban gënjeshtra, por as nuk e paraqet të vërtetën e plotë, pra ka shtrembërim të të vërtetës (spin) dhe kjo shkon në favor të një partie politike, që në këtë rast e bën autorin të njëanshëm politikisht.
Anshmëria në mediume nënkupton përzgjedhje se cilat ngjarje do të mbulohen dhe mënyrën se si bëhet ajo. Në këtë tekst kemi të bëjmë me anshmëri politike që nënkupton manipulim me lajmin, apo shtrembërim të pjesëve të artikullit me qëllim që të hidhet dritë pozitive ndaj një partie të caktuar politike.
Koncepti i manipulimit “Efekti i pritshmërisë së monitoruar”
Për shkak se ndodhemi në një gjendje të jashtëzakonshme dhe gjithçka është pezulluar shkaku i koronavirusit, përfshirë këtu edhe zgjedhjet të cilat ishin caktuar për në prill të këtij viti, media të caktuara e shfrytëzojnë edhe gjendjen në të cilën ndodhemi, për të siguruar pikë pozitive politike për parti të caktuara politike. Autori i këtij teksti me anë të konceptit të manipulimit “Efekti i pritshmërisë së monitoruar” vepron si të jemi në një kohë fushate. Ai atribuon vlerë më të madhe të (në këtë rast ) arritjeve të subjektit politik në fjalë, që konfirmojnë pritjet nga ata që nuk i mbështesin. Gjegjësisht thekson të dhëna që shkojnë në dobi të pritjeve dhe shpërfill të dhëna që nuk flasin në dobi të tyre.
Rrini në shtëpi, selektoni mediat online nga ku dëshironi të informoheni!
Duhet të keni parasysh se ndonjëherë mes të vërtetës së plotë dhe asaj të shtrembëruar ekziston vetëm një fije e hollë dhe ajo mban emrin “konfuzion”. Nëpërmjet konfuzionit, autorët e teksteve të sponzorizuara, manipulojnë me lexuesit dhe kështu arrijnë qëllimet e tyre të caktuara, hedhin dritë pozitive mbi një grup (subjekt) të caktuar politik dhe lajnë trurin e lexuesve. Nëse hasni në një tekst të tillë thjesht injorojeni, në një krizë me pandeminë, nuk keni nevojë për një reklamë të paguar politike.
Ky artikull është pjesë e raportimit special të Krithink-ut për dezinformatat në lidhje me epideminë e koronavirusit Kovid-19. Klikoni në linkun për lajmet më të fundit dhe për informacione të verifikuara në këtë fushë.