Edhe pse në publik njihet proverbi se “fotografia flet sa një mijë fjalë”, në media ajo ka raste që nuk vlen dhe në vend se të informojë saktë, dezinformon publikun. I tillë është artikulli që do ta recensojmë.
Linku deri te artikulli: “Aleanca për shqiptarët forcohet në Shkup, ja kush i bashkohet? (FOTO)“
Data e publikimit: 31.12.2019
Data e recensionit: 03.01.2019
Recensuese: Fatbardha Curri
Titull që thotë se “Bashkim Bakiu iu ka bashkuar Aleancës”
Duke u nisur nga informacioni që jepet në titull, media ka bërë përpjekjet që në publik të krijohet përshtypja se ish kandidati i Lëvizjes BESA për kryetar të Komunës së Sarajit, Bashkim Bakiu iu ka bashkuar partisë tjetër, Aleancës për Shqiptarët. Kjo përpjekje kuptohet me përfundimin që është krijuar nga media dhe që qëndron në titull:
“Aleanca për shqiptarët forcohet në Shkup, ja kush i bashkohet? (FOTO)”.
Por, kur hapet artikulli, informacioni që qëndron në titull fillon të zbehet. Kjo vërehet me përdorimin e fjalës “duket” që përdoret në situata kur supozohet për një situatë.
“Aleanca për Shqiptarët duket se ka ndezur motorët për zgjedhjet e parakohshme parlamentare të 12 prillit”, thuhet në artikullin që e recensojmë.
Artikull që thotë se “nuk dihet nëse Bakiu iu ka bashkuar Aleancës”
Zbehja e informacionit në titull, kulmon me përdorimin e fjalës “nuk dihet”.
“Nuk dihet nëse Bakiu ka kaluar në partinë e Selës apo ka qenë thjesht një takim miqësor me Taravarin”, thuhet në artikullin që e recensojmë.
Media as nuk ka bërë përpjekje për të verifikuar informacionin, pasi nuk bën të ditur se nëse ka kërkuar për qëndrim ndonjërin nga të apostrofuarit në artikull. Duke e pasur parasysh këtë, vlerësojmë se në vend se të informojë, media ka spekuluar. Me këtë media edhe ka shkelur parimin bazë të Kodit Etik të Gazetarëve.
“Gazetari ka të drejtë për qasje të lirë në të gjitha burimet e informimit, që janë me interes publik. Gazetari duhet të botojë informata të sakta dhe të provuara dhe nuk do të fshehë të dhëna esenciale dhe të falsifikojë dokumente. Nëse informata nuk mund të konfirmohet, ose nëse bëhet fjalë për supozim, respektivisht spekulim, kjo gjë duhet të thuhet dhe të publikohet. Saktësia e informatës duhet të provohet sa më shumë të jetë e mundur”, thuhet në Kodin Etik të Gazetarëve.
Fotografia – grep për të manipuluar publikun
Media edhe ka manipuluar publikun, duke shtrembëruar faktet, që në këtë rast është fotografia, sepse edhe pse në artikull thotë se “takimi ka qenë miqësor”, sërish ka zgjedhur të manipulojë nëpërmjet saj, duke sjellë përfundimin se “Bakiu ka kaluar në Aleancë”. Këtu kemi përdorim të konceptit të manipulimit “Thirrje të mundësisë”. Nëpërmjet saj media ka treguar prirje për të bindur publikun, se nëse është ulur Bakiu bashkë me Taravarin, ai ka kaluar në Aleancë.