Komenti dhe lajmi nuk janë e njëjta gjë dhe nuk mund që komenti të shitet si lajm. Në këtë artikull, i cili është shpërndarë nga disa media me të njëjtin titull, ndodh pikërisht kjo gjë. Gjendet në kategorinë e lajmeve të vendit, por është i mbushur me opinione të vetë autorit. Ndërkohë, për pretendimet që janë ngritur nuk është sjellë pothuajse asnjë provë.
Linku origjinal i artikullit: Opozita shqiptare bashkë me VMRO-në vazhdojnë t’i bllokojnë qytetarët
Data e publikimit: 20.04.2021
Data e recensimit: 22.04.2021
Recensuese: Naile Dauti
Titull tendencioz
Titulli është tendencioz dhe për këtë ka elementë që e vërtetojnë këtë gjë. Autori qëllimisht e ka përmendur opozitën shqiptare bashkë me VMRO-DPMNE-në, sepse në këtë formë dëshiron të ngjallë idenë e bashkëpunimit midis këtyre partive dhe gjithashtu kërkon vëmendjen e votuesve të opozitës shqiptare. Padyshim që ka votues të kësaj opozite që janë kundër VMRO-së dhe në këtë mënyrë autori e di që nëse jo përfundimisht mund të ndikojë mjaftueshëm në përcaktimin e atij votuesi. Një element tjetër për çka mund të konstatohet se titulli dhe vetë artikulli është tendencioz është fakti se, pasi nuk ka prova që vërtetojnë atë që thuhet, nënkuptohet si sulm dhe njollosje të partisë politike të apostrofuar në artikull.
Komente me bollëk, por asnjë provë
Artikullin e karakterizojnë opinione dhe komente të shumta. Gazetari mund edhe të komentojë, të japë opinione brenda lajmit, por të njëjtat duhet të mbështeten edhe në prova, pasi në të kundërtën nuk mund të konsiderohet lajm.
“Pasi dëmtuan qytetarët duke i lënë pa paga për dy muaj me radhë përmes bllokimit të punës së Kuvendit, opozita shqiptare ASH-AA të sinkronizuar me VMRO-në e Mickoskit vazhdojnë të bllokojnë përsëri punën e Kuvendit duke mos marrë pjesë në seancë dhe duke keqpërdorur gjendjen e deputetëve të infektuar me COVID19”, thuhet në artikull.
Gabimi i parë profesional në këto katër rreshta është në fjalinë ‘opozita shqiptare ASH-AA të sinkronizuar me VMRO-në e Mickoskit’, e cila bart me vete edhe akuzë, të cilën nuk e ka mbështetur në fakte. Në realitet, autori, qëllimisht nuk ka dashur të analizojë ngjarjet që kanë ndodhur kohët e fundit, ku madje VMRO-ja ishte ajo që parashtroi amendamente ndaj ligjit për shtetësi të propozuar nga opozita shqiptare. Në fjalinë e fundit, autori madje shpreh edhe “shqetësim” për keqpërdorimin e gjendjes së deputetëve të infektuar me Kovid-19, kur në fakt ata u ftuan nga vetë LSDM-ja.
Një fakt tjetër që autori nuk ka dashur ta përmend është se miratimi i ligjeve të tilla që pengohen nga mijra amendamente ka qenë e mundur të kalohen shumë më herët në komisionet përkatëse të Kuvendit, siç ndodhi shumë shpejt me ligjin për shtyrjen e regjistrimit.
“Për çka paguhen deputetët e opozitës? Kë po e përfaqësojnë dhe çka po punojnë? Këto janë pyetjet në mendjen edhe të votuesve që votuan për ata e që zhgënjimi tyre vërehet në kritikat që vlojnë në rrjetet sociale ndaj tyre. Vihet në pikëpyetje se me çfarë guximi do të kandidojë në zgjedhjet e ardhshme parlamentare ndonjë nga grupi parlamentar aktual i opozitës pas gjithë këtyre skandaleve!”, thuhet në artikull.
Artikull-shkruesi ngre disa pyetje retorike, kjo më tepër për të revoltuar dhe nxitur lexuesin apo votuesin dhe jo sepse vërtetë shqetësohet për zhgënjmet që ata marrin. Gazetari që shqetësohet për situatën e qytetarëve dhe bëhet roje e gabimeve të funksionarëve, definitivishtë nuk është kjo mënyra me të cilën shkruan.
Gjithashtu, autori nuk mund ta di se ata që shkruajnë në rrjetet sociale, për çka nuk ka sjellë asnjë provë, janë votues të asaj partie, që pastaj të mund të konsiderohet si zhgënjim.
Dhe ‘pika mbi i-në’ vendoset në fjalinë e fundit kur autori thotë: “Vihet në pikëpyetje se me çfarë guximi do të kandidojë në zgjedhjet e ardhshme parlamentare ndonjë nga grupi parlamentar aktual i opozitës pas gjithë këtyre skandaleve!”, çka është një propagandë e pastër mediatike kundër një partie të caktuar politike.
Në këtë rast janë shkelur disa parime të Kodit Etik të Gazetarëve, por ne do të përmendim dy më të rëndësishmet:
Raportimi për proceset politike, veçanërisht për zgjedhjet, duhet të jetë i paanshëm dhe i balancuar. Gazetari patjetër duhet të sigurojë distancë profesionale nga subjektet politike.
Gazetari do ta ruajë namin dhe dinjitetin e profesionit të tij, do të nxisë solidaritetin reciprok dhe pluralizmin e mendimeve dhe nuk do ta përdorë mediumin e tij për qërim hesapesh me persona duke përfshirë edhe kolegët e tij.
Konceptet e manipulimit
Provat selektive dhe Prirje për të konfirmuar këndvështrimin e vet janë dy manipulime më të theksuara në artikullin në fjalë. Në rastin me provat selektive, autori ka favorizuar akuzat që në fakt janë bërë vazhdimisht nga partitë në pushtet për opozitën, t’i paraqesë si prova, por ka injoruar fakte që mund të hedhin poshtë atë që thotë. Nga ana tjetër me manipulimin e konfirmimit të këndvështrimit të vet, autori ka tentuar që bllokimin e Kuvendit nga ana e opozitës ta paraqesë si dëshmi që konfirmon besimin e vet dhe njëkohësisht të partive në pushtet për opozitën shqiptare.
Për lexuesit
Me afrimin e zgjedhjeve lokale, lexuesit do të hasin në shumë shkrimet të tilla. Kjo ndodh sepse hapsira mediatike nuk është e pastër nga media të ngjyrosura politikisht, të cilat më tepër se sa mediave, u ngjajnë militantëve partiak. Duke qenë të tilla disa media, tentojnë që të ndikojnë në bindjen e qytetarëve se për cilën parti duhet votuar. Por ju, nuk duhet të lejoni të jeni preja e askujtë. Vota është e drejtë e gjithsecilit dhe votuesi, nëse i ndjek mediat profesionale në vazhdimësi, duke marrë informacine të sakta mbi ngjarjet politike, mund të krijojë një pasqyrë më të realtë për opsionin që duhet votuar.