Situata me pandeminë e Kovid-19 nxori në pah mungesën e parimeve bazike gazetareske në disa mediat të Maqedonisë së Veriut. Për shembull, nuk mundet që të flasim për ulje apo ngritje të rasteve të caktuara në shoqëri, siç janë vjedhjet dhe dhuna në familje, e ndërkaq të mos publikojmë numra në artikull. I tillë është artikulli që do ta recensojmë.
Linku deri te artikulli origjinal: “Koronavirusi, hajnitë pakësohen – përleshjet në familje shtohen”.
Data e publikimit: 04.04.2020
Data e recensionit: 13.04.2020
Recension: Fatbardha Curri
Titull që paralajmëron numra
“Koronavirusi, hajnitë pakësohen – përleshjet në familje shtohen”, thuhet në titullin e artikullit që e recensojmë.
Nëse a analizojmë titullin, krijohet përshtypja se në artikull do të publikohen numra apo statistika të cilat do të tregojnë se derisa vendi është në vetë-izolim, ka shënuar ulje të rasteve të vjedhjeve. Kjo sepse në të gjitha shtëpitë gjenden pronarët e tyre. Nga ana tjetër, thuhet se ka rritje të dhunës në familje, kjo sepse anëtarët e familjeve janë më gjatë kohë bashkë, edhe kjo për shkak të izolimit.
Artikullit i mungojnë faktet që janë numrat
Artikulli citon Ministrinë e Punëve të Brendshme, në drejtim të konfirmimit të përfundimit të nxjerrë në titull, megjithatë, nuk flet me “numra”. Do të thotë nuk publikon informacion se sa është numri i rasteve të vjedhjeve gjatë muajit mars të këtij viti dhe vitit të kaluar dhe nuk publikon informacion as për pjesën tjetër, se sa është numri i rasteve të dhunës familjare gjatë muajit mars të këtij viti dhe të vitit të kaluar.
“Në polici thonë se ka rënie të krimit javëve të fundit. Kjo dëshmohet me raportet e përditshme që forcat e rendit i publikojnë çdo 24 orë e në të cilat ka më pak raste të paraqitura të paktën nga 13 marsi e këndej”, thuhet në artikullin që e recensojmë.
Në artikull gjithashtu thuhet se përfundimi në titull dëshmohet prej raporteve ditore policore, por sërish nuk tregon se çfarë thotë raporti policor i fundit. Ky moment tregon se media ka dezinformuar duke manipuluar publikun, ngaqë ka përdorur konceptin e manipulimit si “Analogjia false”. Ky koncept nënkupton “prirje për të bërë një analogji midis dy gjërave të palidhura, dhe pastaj analogjinë ta përdorim për të bërë një supozim”. Në këtë rast, media është përpjekur që masën e orës policore ta ndërlidh me uljen e rasteve të vjedhjeve dhe të rritjes së dhunës familjare. Por, edhe pse thotë se kjo dëshmohet me raportet policore, sërish nuk tregon të dhëna statistikore.
Këtu kemi edhe shkelje të Kodit Etik të Gazetarisë. Për shembull neni 13 thotë se: “Gazetarët duhet të bëjnë dallim mes fakteve dhe mendimeve, mes lajmit dhe komentit”.
Ky artikull është pjesë e raportimit special të Krithink-ut për dezinformatat në lidhje me epideminë e koronavirusit Kovid-19. Klikoni në linkun për lajmet më të fundit dhe për informacione të verifikuara në këtë fushë.