Informimi për heqjen e masave restriktive për shkak të virusit Kovid-19, bëri që disa nga mediat t’i “ngatërrojnë kabllot” në ndarjen e kompetencave të institucioneve. Rasti eklatant është me rihapjen e kufijve të Maqedonisë së Veriut, për të cilin në media u tha se do të ndodh më 1 qershor, por kjo nuk është e vërtetë.
Nga Fatbardha Curri
A do të hapet apo jo kufiri më 1 qershor?
Të gjithë po pyesni, se a do të hapet apo jo kufiri më 1 qershor. E pyetja nuk erdhi vetvetiu, sepse një pjesë e konsiderueshme e mediave e publikuan si informacion. Por, ky vendim nuk është miratuar nga Qeveria, për faktin se 1 qershori siç raportuan mediat ishte propozim i Komisionit për Sëmundje Ngjitëse.
“Shkupi hap kufijtë në 1 qershor, fillimisht lëvizja do të nisë me vendet fqinje”, shkroi “Top channel”.
“Maqedonia e Veriut lehtëson masat ndaj koronavirusit, ja kur do hiqen pengesat kufitare”, shkroi Lajmifundit.al.
“Maqedonia e Veriut heq kufizimet për daljen, baret dhe restorantet hapen nga e enjtja”, shkroi Lajmi.net.
Propozimi edhe pse nga mediat u paraqit si “punë e kryer”, i njëjti nuk ka hyrë në fuqi ditën që u publikua informacioni nga mediat, për shkak se Qeveria në mbledhjen e mbajtur më 27 maj nuk solli vendim që të hapen kufijtë më 1 qershor. Për këtë, vlerësojmë se më 27 maj nuk pati vendim që kufijtë e Maqedonisë së Veriut të hapen nga 1 qershori.
Ora policore për festën e Fitër Bajramit s’u propozua nga LSDM
Rasti i dytë i cili gjithashtu vlen të vlerësohet për nga vërtetësia, është informacioni se “Partia Lidhja Socialdemokrate e Maqedonisë ka propozuar orë policore të tejzgjatur për festën e Fitër Bajramit”.
Edhe këtu mediat, qëllimshëm ose jo, kanë harruar faktin se masat i propozon Komisioni për Sëmundje Ngjitëse, në përbërje të së cilit janë udhëheqës të institucioneve shëndetësore, e jo pjesëtarë partiak. Do të thotë masat nuk propozohen nga partitë, aq më pak nga LSDM-ja.
Kafenetë s’i hapi Shtabi i Krizës
Kishte edhe raste të tjera, siç ishte me hapjen e kafeneve në Gostivar. Vendimin e Shtabit të krizës që “Në Gostivar kafenetë të hapen nga 1 maji me formën “Merr dhe shko”” një pjesë dërmuese e mediave dhe institucionet relevante e kishin publikuar si vendim i cili hynë në fuqi nga 1 maji. Edhe këtu, nga mosnjohja e hierarkisë së sjelljes së vendimeve, u harrua fakti se vendimet për nisjen me punë të kafeneve e sjellë Qeveria por me propozim paraprak të Komisionit për Sëmundje Ngjitëse. Dhe si përfundim u vlerësua se kafenetë në Gostivar nuk do të hapen më 1 maj, prandaj edhe ky informacion s’ishte i vërtetë.
Nga këtu sqarojmë, se masat e caktuara restriktive propozohen nga Komisioni për Sëmundje Ngjitëse, por duhet të miratohen nga Qeveria.
Këto dezinformime janë bërë duke përdorur konceptet e manipulimit si “Thirrje në autoritet” e cila paraqet Prirje për t’i atribuuar vërtetësisë një deklarate nëse thuhet nga autoriteti. Media ka manipuluar me publikun, duke i paraqitur informacionet si të vërteta:
- në rastin e kufijve – sepse citohet Komisioni për Sëmundje Ngjitëse
- në rastin e orës policore për festën e Fitër Bajramit – sepse citohet LSDM e cila është në Qeveri
- në rastin e kafeneve në Gostivar – sepse citohet Shtabi i Krizës.
Pavarësisht asaj se media ka manipuluar edhe me konceptet të tjera, ajo gjithashtu ka bërë shkelje të parimeve bazë gazetareske që është: informacioni duhet të verifikohet dhe si burim të informacioneve duhet të merren institucionet relevante. Në rastet që i numëruam, heqja e masave të caktuara nuk u bazuan në institucion relevant.
Për ju lexues, nëse shihni ndonjë informacion ku thuhet se është hequr ndonjë masë restriktive apo rasti është se kufijtë do të hapen në x datën caktuar, duhet të shikoni nëse atë deklaratë e ka thënë ndonjë institucion relevant. Në këtë rast është Qeveria e Maqedonisë së Veriut. Në rast se në masat e caktuara citohet Komisioni për Sëmundje Ngjitëse, mësojeni se aty flasim për propozim, por që patjetër duhet të miratohet nga Qeveria.
Ky artikull është pjesë e raportimit special të Krithink-ut për dezinformatat në lidhje me epideminë e koronavirusit Kovid-19. Klikoni në linkun për lajmet më të fundit dhe për informacione të verifikuara në këtë fushë.