Ky nuk është lajm, por propagandë kundër Selës

Fotografi nga teksti qe recensohet

Faza parazgjedhore në Republikën e Maqedonisë së Veriut, paralelisht me politikanët, ka mobilizuar edhe mediat onlajn, kryesisht duke shndërruar informimin në propagandë kundër figurave të caktuara politike. Kjo bëhet duke mos e respektuar as edhe një parim gazetaresk. I tillë është edhe artikulli që e recensojmë.

Linku deri te artikulli: Si Ziadin Sela e humbi simpatinë e shqiptarëve pas 27 Prillit?”

Data e publikimit: 02.11.2019

Data e recensionit: 03.11.2019

Recensuese: Fatbardha Curri

Artikull që nuk i ngjan lajmit

Mediat kanë liri të patjetërsueshme, por nuk duhet ta keqpërdorin atë duke plasuar informata që nuk japin përgjigje në pesë pyetjet kryesore: “Kush, ku çfarë ku dhe pse?”. Përgjigjja e këtyre pyetjeve, do të tregojë se kush e ka thënë informatën që është plasuar nga media, ku e ka thënë, çfarë ka thënë dhe pse e ka thënë. Zakonisht, kjo pjesë është në paragrafin e parë të artikullit gazetaresk, përveç pyetjes “Pse?” e cila mund të qëndrojë edhe në paragrafin e fundit.

Siç mund të shihet nga artikulli, në të nuk është dhënë përgjigje për pyetjet e parashtruara, prandaj dhe artikulli nuk mund të cilësohet lajm.

“Kur më 27 Prill Ziadin Sela u rrah në Kuvend, nuk mbeti asnjë shqiptar që nuk ndjeu keqardhje për këtë akt mizor ndaj tij. Atë kohë njerëzit kishin një revoltë sepse urrenin një pushtet në ikje që kishte qenë tmerrues deri në fund dhe u largua me gjakderdhje. Sela s’mund të përjashtohej dhe paguajti një çmim të madh njerëzor. Atë kohë Sela dukej si hero sepse njerëzit pavarësisht bindjeve politike nuk mund ta shihnin një shqiptar më shumë se një politikan të shtrirë dhe të gjakosur nga huliganë maqedonas. Por ajo ngjarje e 27 Prillit duket se nuk po ndahet dot as sot dhe tani që po afrojnë zgjedhjet, Sela shpërfaq atë moment duke atakuar pa nevojë oponentët e tij politik”, thuhet në artikullin që e recensojmë.

Gazetari megjithëse mund të transmetojë informata, ide dhe mendime dhe kanë të drejtë të komentojnë, nuk duhet të harrojë se të njëjtat duhet bazohen në vlera etike dhe standardet profesionale në transmetimin e informatave. Ata duhet të jenë të ndershëm, objektivë dhe të saktë.

Parimi i parë gazetaresk, thotë se mediat duhet t’a informojnë publikun me informata që thirren në burime, qofshin ato formale dhe joformale dhe të verifikuara. Këtë, ky artikull që e recensojmë nuk e ka përfshirë.

“Gazetari ka të drejtë për qasje të lirë në të gjitha burimet e informimit, që janë me interes publik. Gazetari duhet të botojë informata të sakta dhe të provuara dhe nuk do të fshehë të dhëna esenciale dhe të falsifikojë dokumente. Nëse informata nuk mund të konfirmohet, ose nëse bëhet fjalë për supozim, respektivisht spekulim, kjo gjë duhet të thuhet dhe të publikohet. Saktësia e informatës duhet të provohet sa më shumë të jetë e mundur”, thotë parimi i parë në Kodin Etik të Gazetarëve.

Rregulli tjetër gjithashtu thotë se mediat nuk duhet të ndikojnë në publik duke imponuar bindje politike, gjë të cilën gazetari është munduar ta bëj me propagandë kundër liderit të Aleancës për Shqiptarët, Ziadin Sela.

“Gazetari me vetëdije nuk do të krijojë ose përpunojë informata, që cenojnë të drejtat dhe liritë e njeriut, nuk do të përdorë gjuhën e urrejtjes dhe nuk do të nxisë dhunë ose diskriminim mbi çfarëdo lloj baze qoftë (kombëtare, fetare, racore, gjinore, shoqërore, gjuhësore, politike, orientimi seksual…)”, thotë parimi i dhjetë i gazetarisë.

Krahas kësaj, teksti edhe nuk është i balancuar. Nga këtu del se ai ka përdorur edhe konceptin e manipulimit “Argumente kundër personit”, i cili kryesisht përdoret për të sjellë informata edhe deklarata që janë vetëm kundër personit, vetëm e vetëm që të arrijë te qëllimi i tij, të dëmtojë personin a subjektin e apostrofuar.

Për lexuesin: Shmanguni artikujve tendencioz

Pavarësisht titullit tendencioz dhe përmbajtjes që kryesisht e cilësuam si propagandë kundër personit dhe subjektit të caktuar, me rëndësi për ju është të besoni në lajme të cilat më së paku mund të thirren në deklarata nga persona të caktuara. Media në këtë rast nuk është thirrur në deklarata dhe as burime të caktuara.