Lexuesi duhet të dijë se komentet nuk kanë vend në lajme

Screenshot nga lajmi që recensohet

Screenshot nga lajmi që recensohet

Është e patjetërsueshme për gazetarin që të “zhveshë” veten nga emocionet, vlerësimet personale, komentet dhe pikëpamjet e tij, përpara se të shkruajë një lajm. Ka raste kur komentet shfrytëzohen për të plotësuar një informacion, ndoshta për t’i dhënë më shumë ngjyrim lajmit, por është formë e gabuar e raportimit, si që e kemi rastin në fjalë.

Recension: “Ivanovi mund të dënohet deri me 5 vite burg!

Data dhe koha e publikimit: 07.11.2018

Data e recensionit: 09.11.2018

Recensues: Fatlume Dervishi

Komente të fshehura në lajm

Presidenti përballet me padi për çështje shumë të rëndësishme për të cilat mediat shpesh kanë ngritur shqetësimin dhe veprimi i tij është kontestuar. Në këtë tekst, është në rregull pjesa e raportimit për paditë dhe për periudhën kohore për të cilën rrezikohet burg, në rast se gjykata konstaton se është bërë shkelje. Por teksti në vetë ka edhe komente.

Për një pasqyrë më të qartë, do t’i radhisim disa nga komentet që përdor autori.

  • … i shkruhet fati i zi…
  • … pas kokfortësisë së tij…
  • … i ka shkaktuar dëm të madh…
  • … ndikoi tek mendjet e turbullta…

Ekspertët nuk mund të jenë anonim!

“Ekspertët theksojnë për “Zhurnal” se presidenti i ka shkaktuar dëm të madh imazhit të Maqedonisë, e posaçërisht me fjalimin e tij në OKB ndikoi tek mendjet e turbullta që janë kundër integrimit të vendit në NATO dhe BE.”

Ekspertët e konsultuar nga gazetari nuk mund te mbeten anonim. Ata janë njohës të fushës dhe titulli dhe emri i tyre shërben për ta bërë storjen të besueshme, të verifikuar dhe bindëse. S’mund të thirresh në emër te tyre për të dhënë vlerësime mbi atë që shkruhet. Këtë e definon qartë edhe Kodi etik i gazetarëve.

Kodi etik i gazetarëve

Gazetarët duhet të bëjnë dallim mes fakteve dhe mendimeve, mes lajmit dhe komentit.

Lexuesi duhet të dijë

Secili individ ka këndvështrimin e tij mbi zhvillimet, personalitetet, politikën, artin, funksionarët e caktuar, mbi fenomene të ndryshme. Lajmet, duhet që lexuesve t’u ofrojnë një pasqyrë të asaj që ka ndodhur, reale dhe objektive, që më vonë lexuesi të jetë i lirë të bëjë vetë vlerësimin mbi atë zhvillim, personalitet, funksionar ose fenomen, pa e pasur të imponuar mendimin e gazetarit. Sigurisht, edhe gazetarët mund të shkruajnë komente dhe opinione, dhe shpesh i shkruajne pikërisht për të sqaruar zhvillimet sipas pikëpmjes së tyre dhe për të ndikuar për krijimin e një opinioni publik por kjo formë e shkrimit është kategori e veçantë në kuadër të gazetarisë (medias, portalit) dhe duhet qartë të potencohet se bëhet fjalë për koment.