Lexuesi meriton informatën, jo talljen

Ilustrim

Komentim i një fotografie, thurrje vargjesh, fjalë të urta, përshkrime nga historia, pak “patriotizëm”, përdorim i një retorike që zakonisht dëgjohen nëpër fjalimet e përfaqësuesve politik, parashikime të pabazuara askund, vendosje të pikëpyetjeve dhe mosdhënie të asnjë informacioni. Kur një lexues ballafaqohet me një tekst që i përmban të gjitha këto elemente, ai lexon vetëm një koment që është vendosur në kategorinë “Lajme” dhe asgjë më shumë.

I tillë është lajmi që e recensojmë. Nëse komenti do të ishte në kategori tjetër, e jo në “Lajme” mbase nuk do të ishte subjekt i këtij recensioni. Por problemi qëndron kur këtë produkt e paraqesin si “lajm”.

Fotografi nga lajmi që e recensojmë

Linku deri te artikulli: Çfarë porosie i solli pëllumbi Bujar Osmanit në Venecia?!

Data e publikimit:06.12.2019

Data e recensionit:

Recensuese:  Ajnur Bafqari

Titull clickbait (karrem për klikime të përmbajtjes)

Titulli i tekstit hap gjoja dilemë, autori është munduar që të jetë kreativ kinse ka zbuluar diçka që lexuesi nuk e di. Është munduar të jetë dhe qesharak, por nuk ia ka dalë.
Nga kurioziteti mund edhe të përfundosh duke e lexuar përmbajtjen, e cila është e mbushur me përshkrime dhe komente dhe në asnjë rresht të vetëm nuk ofron asnjë pikë informacioni. Në fakt, janë vetëm disa rreshta që janë shkëputur nga kumtesat për paralajmërime, megjithatë asgjë në tekst nuk përbën lajm.

Një fotografi ndonjëherë është më shumë se kaq dhe rasti është mbreti i botës.Janë në fakt dy lajmëtar që piktakohen në një vend ku zëvendës kryeministri ka t’u kumtojë shqiptarëve të Maqedonisë së Veriut një lajm të madh derisa ndodhet në Komisionin e Venecias në një Plenum të rëndësishëm që mbahet atje dhe Bujar Osmani do t’i argumentojë të pranishmëve qëndrimin e tij se përdorimi i dygjuhësisë në banknota dhe në uniformë të ushtrisë është një praktikë në disa vende të botës” – thuhet në tekst.

Kur autori i një teksti ofendon intelegjencën e lexuesit
“Por çfarë porosie i sjellë pëllumbi që qëndron mbi shpatullat e Bujar Osmanit, kjo është “enigma” e kësaj fotoje.” Kjo pyetje e parashtruar nga autori i tekstit që nuk merr përgjigje askund deri në fund të tekstit. Autori në një pjesë të madhe të tekstit e luan rolin e përshkruesit të fotografisë. Ai ka marrë fotografinë që e ka postuar zëvendëskryeministri Bujar Osmani, në profilin e tij në Fejsbuk dhe e ka parë të arsyeshme që kjo të jetë lajm. Teksti nuk dallon nga ato tekstet e kategorisë rozë, por në këtë rast, autori ka zgjedhur një politikan dhe një çështje politike, duke e ofenduar edhe intelegjencën e lexuesit.

Kur nëpërmjet një teksti bën madje udhëtim në kohë, por assesi nuk informohesh

Autori e shpien lexuesin e tij herë nëpër histori, herë në Komisionin e Venedikut, e herë në ndonjë tubim diku. Lexuesi përmes këtij teksti udhëton në kohë, por nuk arrin ta gjejë informacionin, atë për të cilën supozohet të jetë shkruar teksti. Autori e ka paraqitur personazhin e tij si një “luftëtar” që ka shkuar të mbrojë të drejtat e shqiptarëve, ndërsa qëndrimet e tija nuk i ka bazuar askund. Ai nëpërmjet tekstit të tij herë shfaqet si ekspert për komentimin e fotografive, herë si historian, e herë si përfaqësues i partisë politike në fjalë. Teksti si i tillë, nuk përbën shkrim që do t’i takonte interesit publik.

Nëse keni kohë për të humbur, lexoni këtë
Lexues, në rast se ballafaqoheni me një tekst të këtillë ku nuk ka as deklaratë nga ndonjë komentues profesionist i fotografive e as deklaratë nga vetë protagonisti i fotografisë në këtë rast zëvendës kryeministri Bujar Osmani, lidhur me atë se çfarë edhe ai pret nga ajo ngjarje, ju nuk po lexoni informacion ose produkt tjetër gazetaresk.