Lexuesit nuk i duhen informacionet gjysmake, nuk ka çfarë të bëjë me to!

Është vetëm gjysma e punës grumbullimi i informatave, dokumenteve dhe të dhënave të tjera që sqarojnë ose dokumentojnë tezën me të cilën gazetari nis hulumtimin e tij, dhe është pjesa tjetër e punës kërkimi i prononcimit nga personi ose institucioni nga i cili drejtohet gishti. Ai që është në shënjestër duhet të ketë mundësinë dhe hapsirën për t’u sqaruar. Dhe lexuesit duhet ti servohen informata të përpunuara dhe kompakte, në këtë mënyrë ska çfarë të bëjë me to, mediumi krijon huti dhe bazë për lajme të rrejshme.

Linku deri te artikulli origjinal: “DOKUMENTE” Pse Universiteti Nënë Tereza harxhon vetëm 40% të buxhetit vjetor të planifikuar ?

Data dhe koha e publikimit: 05.02.2019, 22:27

Data e recensionit: 12.02.2019

Recensues: Fatlume Dervishi

Të shkosh përtej…

Autori i këtij teksti shkruan se ka zbuluar që Universiteti “Nënë Tereza” nuk harxhon më shumë se 40% të parave të buxhetit vjetor të destinuara për të. Pa u hyrë hulumtimeve dhe verifikimeve nëse kjo është e saktë, kjo është një pikënisje e mirë për një temë me interes.
Por, autori e ka mbyllur me aq informimin e tij duke parashtruar vetëm publikisht pyetje.

“Shtrohet pyetja pse nuk harxhohen mjetet buxhetore dhe vetanake të univeristetit  nëse dihet se ankesat nga stafi akademik dhe administrativ nga ky universitet flasin për paga shumë të ulta, kushte jo adekuate për realizimin e mësimit, etj.
Përse nuk harxhohen mjetet e planifikuara buxhetore në universitetin Nënë Tereza me mësim në gjuhën shqipe është me të vërtet një enigmë.” 

Çfarë i mungon tekstit?

E para, ankesat nga stafi akademik vetëm janë përmendur shkarazi por nuk janë cituar ose të paktën nuk është thënë se kur dhe ku janë bërë këto ankesa. E dyta, nuk është kërkuar sqarim nga Universiteti. Të zbardhësh një aspekt që “nuk shkon” është gjysma e punës, gjysma tjetër është të kërkosh sqarime dhe përgjegjësi se pse situata është ashtu. Me këtë, përveç që i jep mundësinë të sqarohet atij të cilin e ke target në informimin tënd (që është e detyrueshme), i jep edhe një pasqyrë më të plotë lexuesit për ta kuptuar se si qëndron puna dhe pse mjetet e buxhetit të ndara për këtë universitet nuk shfrytëzohen.

Kodi etik i gazetarëve:

Saktësia e informatës duhet të provohet sa më shumë të jetë e mundur.

Gazetari duhet të zbërthejë enigmat për publikun

Është detyrë e gazetarit që të zbërthejë enigmat që mbulojnë funksionimin e institucioneve publike ose organeve që financohet nga paratë publike. Nuk mjafton qe gazetari vetëm të bëjë publike se ku qëndron enigma ose të hapë dilema dhe të mos bëjë asnjë hap drejt zbardhjes së tyre. Hulumtimin dhe informimin e plotë për tema që janë me interes, gazetari ja ka borxh publikut.