Mbajtja e maskave nuk shkakton pleurit

Një postim në Facebook dezinformon që mbajtja e maskave tek fëmijët mund të shkaktojë pleurit. Ky është një pretendim i rremë, nuk ka asnjë provë përkatëse mjekësore se mbajtja e maskave mund të shkaktojë pleurit, ose inflamacion të membranës së mushkërive. Pleuriti, siç theksojnë mjekët, mund të shkaktohet nga infeksionet respiratore, kushte gjenetike të trashëguara ose ilaçe të caktuara

Në një postim në Facebook, në formën e një fotografie me tekst, pretendohet se mbajtja e maskave për më shumë se 3 orë tek fëmijët mund të shkaktojë pleurit, pra inflamacion të membranës rreth mushkërive.

Kjo është një maskë për një fëmijë pas 3 orësh përdorimi. Nëse jeni pro maskës, shikojeni mirë këtë. Fëmija juaj do të sëmuret shumë shpejt dhe nuk do të jetë nga korona. Do të jetë pleurit (inflamacion i membranës rreth mushkërive), thuhet në postimin e shoqëruar me një foto që tregon një maskë të ndyrë. 

Pretendimi se mbajtja e maskave tek fëmijët mund të shkaktojë pleurit është i rremë. Faqja learnaboutcovid.org e vërteton këtë. Faqja u krijua nga një ekip global i ekspertëve të shëndetit publik që ofron njohuri të rëndësishme për Covid-19 për gazetarët, verifikuesit e fakteve dhe udhëheqësit e informacionit të komunitetit.

Ata shkruajne:

 

Pleurit, i njohur gjithashtu si pleuritis, është një inflamacion i pleurit, indit që ndan mushkëritë nga muri i gjoksit. Mund të shkaktohet nga infeksione të frymëmarrjes, kushte gjenetike të trashëguara ose ilaçe të caktuara. Ekspertët e shëndetit publik dhe mjekësisë deri më tani nuk kanë identifikuar pleurit si rezultat i mbajtjes së një maske për të parandaluar transmetimin e Kovid-19.

Pleuriti i shkaktuar nga maska nuk është konfirmuar në literaturën shkencore ose mjekësore. Shefi mjekësor i Shoqatës Amerikane të Mushkërive tha se nuk ka “asnjë provë të besueshme nga ana mjekësore se mbajtja e një maske shkakton pleurit”.

Ata më tej theksojnë se mbajtja e maskave zakonisht konsiderohet e sigurt për fëmijët dhe të rriturit. Ekzistojnë disa përjashtime, për fëmijët shumë të vegjël (nën 2 vjeç në Shtetet e Bashkuara) dhe për njerëzit me probleme shëndetësore që e bëjnë të vështirë mbajtjen e maskës (p.sh. probleme të caktuara ekzistuese pulmonare ose të zemrës, kushte të shëndetit mendor, aftësi të kufizuara). Për shumicën dërrmuese të njerëzve, mbajtja e maskave është një mënyrë efektive për të ndihmuar në zvogëlimin e transmetimit të Kovid-19 pa shkaktuar ndonjë efekt të madh anësor, për sa kohë që maskat pastrohen dhe përdoren si duhet.

Departamenti i Shëndetësisë në shtetin australian të Victorias nuk rendit maskat e fytyrës si shkak i shfaqjes së pleuritit. Gjendja, thonë ata, është shkaktuar nga një infeksion viral, një infeksion bakterial, kancer, një mpiksje e mushkërive dhe gjendje autoimune.

Klinika Mayo në Shtetet e Bashkuara thotë se “pleuriti është një gjendje në të cilën pleura, dy shtresa të mëdha dhe të holla të indeve që ndajnë mushkëritë nga muri i gjoksit, marrin inflamacion”. Pleuriti shkakton dhimbje të mprehtë në gjoks që përkeqësohet gjatë frymëmarrjes. Një larmi kushtesh themelore mund të shkaktojnë pleurit, duke përfshirë infeksione virale, infeksione bakteriale, infeksione mykotike, çrregullime autoimune ose çrregullime të tjera të indeve.

Klinika Cleveland komunikoi: “Ka pasur spekulime në mediat sociale se mbajtja e një maske mund të bëjë që ju të thithni sërish dioksidin e karbonit që nxirrni dhe kjo ju bën të sëmureni. “Ndërsa thithja e niveleve të larta të dioksidit të karbonit është e rrezikshme, nuk ka gjasa të ndodhë nga mbajtja e një maske fytyre .” Përveç kësaj, ka mijëra punonjës në shëndetësi të cilët në mënyrë të sigurt mbajnë maska ​​për fytyrën çdo ditë.

Shërbimi për verifikimin e fakteve Agjencia France-Presse vlerëson gjithashtu se mbajtja e maskave nuk shkakton pleurit.

Shërbimi citoi Dr. Leon van den Thorne, president i Shoqatës Hollandeze të Mjekëve Pulmonarë dhe të Tuberkulozit dhe një pulmonolog në Qendrën Mjekësore të Universitetit Erasmus, i cili hodhi poshtë pretendimin se maskat shkaktonin pleurit si “marrëzi të plotë”.

 “Thjesht nuk ka asnjë indikacion që maska ​​në fytyrë paraqet ndonjë rrezik për shëndetin,” deklaroi van den Thorne.

Nuk ka asnjë provë përkatëse mjekësore se mbajtja e maskave mund të shkaktojë pleurit, ose inflamacion të membranës së mushkërive. Pleuriti, thonë mjekët, mund të shkaktohet nga infeksione të frymëmarrjes, kushte gjenetike të trashëguara ose ilaçe të caktuara. Pretendimi që fëmijët, nëse mbajnë maskë për më shumë se 3 orë, do të marrin pleurit, është i rremë, manipulues dhe i dëmshëm për shëndetin publik.
(vertetmates.mk)