Këtë postim mund ta lexoni edhe në: Maqedonisht
Organizimi dhe veprimi i partive politike paraqet një forcë lëvizëse të proceseve demokratike. Partitë dallojnë njëra nga tjetra për nga ideologjia që avokojnë, dhe kanë për qëllim pushtetin- forcën institucionale – për të udhëhequr me proceset politike që kanë të bëjnë me interesin e përgjithshëm. Fjala parti (politike) rrjedh nga fjala latine pars – që do të thotë “pjesë” dhe fjala partie– që do të thotë ndarje. Nga këtu, mund të themi se një parti politike është vetëm një pjesë e interesit publik apo e tërësisë shoqërore.
Prandaj, mediat nuk duhet të fokusohen vetëm në një parti politike. Sepse, qëllimi i medias është interesi publik si tërësi, e jo vetëm një pjesë e tij. Media ka për qëllim të japë një pasqyrë për koloritin partiak dhe politik. Në këtë mënyrë, media ia mundësuar opinionit pasqyrën reale mbi rrethanat politike, përpjekjet e partive dhe rezultatet. Një qasje e këtillë do t’i jepte vlerë shtesë demokracisë dhe do të krijonte hapësirë që qytetarët vetë, në mënyrë të informuar të vendosin për ngjyrimet partiake dhe ideologjike.
Në Maqedoni,media të ndryshme tanimë janë ngjyrosur politikisht duke propaganduar për një “pars”(lexo: interes parcial/grupor/klanor) të shoqërisë dhe duke përjashtuar si të joekzistuese apo jorelevante një pjesë tjetër.
Debatet politike janë mënyra më e mirë për të përfunduar këtë çështje që kam ngritur në këtë leksion. Debati, si njëra nga hapësirat ku mund të “ndeshen” idetë e partive të ndryshme për konceptet politike dhe politikbërjen, është në interes të publikut që të përcillet nëpërmes mediave në mënyrë transparente dhe pa anime.
Në vazhdim do të jap disa shembuj negativ të përcjelljes apo transmetimit të debateve politike në media tjera, ku në vend se të raportohet për debatin si tërësi, jepen lajme vetëm të një linje partiake. Kështu, në vend se media të kryejë shërbimin ndaj shoqërisë, duke dhënë informacione të plota dhe në interes të publikut, ajo i shërben vetëm një “pars-i” të tërësisë.
Mexhiti ka një përgjigje për Ibrahimin e “Besës”
Ndërkohë, nënkryetari i BDI-së Izet Mexhiti ka pasur një përgjigje deri tek përfaqësuesi i Lëvizjes “Besa” Zeqirija Ibrahimi i cili në tryezën e rrumbullakët sot të mbajtur në Shkup, kishte parashtruar një pyetje ndaj Mexhitit. “Deri te shoku im Zeka, kam një përgjigje: Kur bëni kritika prej në mëngjes deri në mbrëmje dhe durojmë, duroni edhe një kritikë të vogël ndaj juve.
Gazetari nuk duhet t’i japë vetes privilegjin për të qenë i dirigjuar nga bindjet partiake kur ushtron profesionin e gazetarisë. Dhe, për asnjë moment nuk guxon të vërë theks vetëm mbi njërën palë duke e injoruar palën tjetër që merr pjesë, gjithashtu, në po të njëjtin debat.
Zeqirija Ibrahimi ia bën 8 me 2 Izet Mexhitit?!
Në një debat të djeshëm, të organizuar nga Albinfo.ch, ku diskutonin partitë shqiptare dhe analistë dhe studiues të vendit, nga Zvicra dhe nga Kosova, në fjalën e tij nënkryetari i BDI-së, Izet Mexhiti, pa qenë muhabeti askund, akuzoi Lëvizjen BESA se i ka në pronësi të saj dy media.
Animet partiake s’kanë të bëjnë asgjë me gazetarinë. “Gazetari duhet të sigurojë distancë profesionale nga subjektet politike”, këshillon edhe Kodi Etik i gazetarisë.
Demokracinë e karakterizon numri i madh i partive politike, konceptet e ndryshme që vihen në pah për zhvillimin e shoqërisë, si dhe qasja objektive e mediave ndaj mendimeve ndryshe rreth politikbërjes. Prandaj, roli i medias është i rëndësishëm dhe ndihmon në zhvillimin e demokracisë. Mirëpo, kjo ndodh vetëm në moment kur u qaset të gjitha partive si pjesë përbërëse të tërësisë, e jo duke i ndarë e duke i veçuar sipas bindjeve personale apo mënyrave tjera. Lexuesi duhet të ketë pasqyrë reale për të gjitha konceptet politike që i spikasin partitë, e në fund, me anë të vullnetit të tij, të zgjedhë konceptin të cilin ai/ajo e pëlqen. Por, ritheksoj, vetëm në moment kur media i ofron objektivisht të gjitha ideologjitë partiake. Çdo qasje tjetër konsiderohet si jo demokratike dhe tendencë për të forcuar sisteme të njëmendësisë.
NEZIRI, RAMADANIT: Pse asnjëherë nuk dhatë sqarim për Bit Pazarin?!
Madje, shefi i Shtabit qendror zgjedhor të BDI-së Bekim Neziri ka thënë se në kontinuitet në historikun e shqiptarëve gjatë pluralizmit, ka pasur raste të tilla si që ka qenë ai i Kumanovës, apo “Monstra”, (kur edhe kanë qeverisur parti tjera shqiptare), që si pyetje ishte drejtuar nga ana e ish deputetit të PPD-së, Ismet Ramadani, tani analist politik.
Një qasje tjetër, apo mënyrë për ta “gozhduar” partinë dhe ideologjinë tjetër, favorizon dhe spikat ‘sulmuesit’, por jo edhe palën që sulmohet.
Ismet Ramadani e ‘gozhdon’ Bekim Nezirin
Analisti i njohur shqiptar në Maqedoni, Ismet Ramadani në debatin ‘Click plus’ në TV21 ka hedhur kritika të ashpra në adresë të partisë shqiptare në pushtet, gjegjësisht ndaj përfaqësuesit të kësaj partie Bekim Nezirit, transmeton agjencia e lajmeve INA.
Partitë politike, duke e pasur parasysh fuqinë e ndikimit të mediave, shpesh mundohen që t’i joshin materialisht pronarët e mediave. Kjo tendencë, nëse do të arrinte sukses të plotë, atëherë media dhe gazetarët do të bëheshin shërbëtorë vetëm të një pjese të shoqërisë, e jo shërbëtorë të interesit të përgjithshëm publik – që është mision kyç i gazetarisë.
Si përfundim, gazetarët duhet të bëhen “mercenarë” vetëm të interesit publik, e jo të partive politike. Media duhet të kultivojë dhe përforcojë demokracinë dhe të mos propagandojë vetëm për një parti, veprim që çon drejt sistemeve jo demokratike dhe autoritare.
Ky leksion gazetaresk është përgatitur nga kuadër të Projektit të USAID-it për përforcimin e mediumeve në Maqedoni – Komponenta Shërbimi për verifikimin e fakteve nga mediumet, që implementohet nga fondacioni Metamorfozis.. Ky leksion gazetaresk është mundësuar me përkrahjen e Agjencisë amerikane për zhvillim ndërkombëtar (USAID). Përmbajtja e analizës është përgjegjësi e autorit dhe nuk i paraqet qëndrimet e fondacionit Metamorfozis, USAID-it ose të qeverisë së SHBA-ve. Për më tepër informata për punën e USAID-it në Maqedoni, ju lutemi vizitoni ueb-faqen e USAID-it: (http://macedonia.usaid.gov) dhe faqen e USAID-it në Facebook: (www.facebook.com/USAIDMacedonia).