Media si prodhues i politikës dhe krijues i realitetit të ri

Media dhe politika, janë dy fusha që herë përputhen e herë përplasen njëra me tjetrën. Por një gjë është e sigurt, ato nuk munden pa njëra – tjetrën dhe në shoqëritë moderne gjithmonë janë bashkëudhëtare në proceset shoqërore. Jo rastësisht përmendet termi “procese shoqërore”, për të bërë me dije se gjithçka që prodhon politika apo media, në fund të ditës të dyja këto, janë pjesë e një shoqërie të caktuar. Dhe, është po ajo shoqëri që mban mbi supe këto profesione në dimensionet e tyre shoqërore, sa kundërthënëse aq edhe të nevojshme.

Nuk është ndonjë risi nëse thuhet se të gjitha mediat janë të ndikuara nga politika. Asnjë media në botë nuk ka një pavarësi të plotë tej-politike. Kjo jo gjithmonë nënkupton se mediat patjetër duhet të mbajnë ndonjë krah për t’u konsideruar si politike. Mund edhe të mos anojnë ndaj subjekteve politike, por nuk mund të jenë të zhveshura nga çdo ideologji që ka prodhuar njerëzimi.

Ka shumë debat për këtë se si ka mundësi që media, e cila thirret në emër të lirisë së shprehjes dhe interesit publik, të bëhet peng i një ideologjie të caktuar?! Në këtë moment duhet bërë një ndarje. Është një gjë të besosh në diçka dhe të punosh në atë drejtim. Tjetër është të paguhesh për diçka dhe të bëhesh sikur beson në të. Dhe, fare tjetër është kur drejtimin tënd e shndërron në dogmë që duhet ndjekur nga të gjithë, me idenë se kjo është rruga e vetme që i nevojitet shoqërisë. Po e mbyllim këtu këtë shpalosje të obcioneve, duke e lënë të hapur si diskutim, me një konkluzion të përgjithshëm se politika prodhon median.

Ekziston edhe një pyetje tjetër e rëndësishme: A ka mundësi të ndodhë e kundërta, ku media do të prodhojë politikën? Studijuesit e mediave thonë se po, një gjë e tillë është e mundur.

Një nga sociologët e komunikimit, Pierre Bourdieu, ka arritur në një konkluzion shumë interesant kur thotë se televizioni nuk e pasqyron një ngjarje të caktuar politike, por e prodhon atë nga e para. Gjithsecili mund të shtrojë dilemën se si ka mundësi të ndodhë një gjë e tillë. Faktet janë shumë thjeshtë të interpretueshëm.

Maqedonia sapo kaloi një fushatë intensive zgjedhore. Pothuajse të gjitha tubimet që mbanin partitë politike, ndiqeshin nga një pjesë e madhe e mediave. Dhe, çfarë ndodhi? Për shembull, çdo televizion kishte pasqyrimin e vet mbi këto tubime. Të njëjtat tubime dukeshin ndryshe – në kanale të ndryshme televizive. E pse? Sepse gazetarët e këtyre televizioneve nuk kishin shkuar aty për të njëjtin qëllim. Një gazetar i një televizioni pro-qeveritar, shkëpuste sekuencat më të bukura nga fjalimi i një pushtetari, krahas një gazetari të një televizioni opozitar, i cili përpiqej të kapë ndonjë shprehje kontradiktore të po të njëjtit politikan.

Dhe, kur publiku ulet para televizorit, përballet me dy realitete që kundërshtohen, mbi të njëjtin tubim. Ai (publiku) ndodhet përpara një hutie se kush është duke e thënë të vërtetën. Përgjigja është se të dy palët janë duke thënë të vërtetat e tyre. Ose, një pjesë të së vërtetës. Ndërkohë që ekziston edhe një e vërtetë ‘e tretë’. Por kjo e vërtetë nuk arrin deri tek shikuesi i ekranit. Ajo i takon publikut që ndodhet prezent në tubim. Kushtimisht thënë, këto tre të vërteta, janë për tre audienca të ndryshme, e para është audienca që ka qenë prezente në tubim dhe që ka ndjekur ngjarjen politike, ndërsa dy të tjerat (apo një e vetme) janë ato që kanë ndezur televizorin dhe kanë parë dy produkte të ndryshme mediatike.

Le të marrim një shembull tjetër pak më kompleks. Nëse ndiqni një seancë në parlament nga fillimi deri në fund, mund të konstatohet se ekziston një dallim shumë i madh në mes diskursit të politikanëve në kohën kur janë të pranishme kamerat televizive dhe atëherë kur mungojnë ato. Zakonisht, në momentin që nuk ka kamera në parlament, debati në mes pushtetit dhe opozitës është shumë më i qetë. Në momentin që deputetët vërejnë se dikush është duke i inçizuar, përnjëherë fillojnë ta ashpërsojnë fjalorin politik, duke ngritur zërin dhe duke potencuar fuqishëm atë që kanë për t’i thënë oponentit të tyre. Kjo është ajo që quhet efekti i kamerave dhe krijimi i mizanskenave nga ana e politikanëve. Gjithçka që ndodh, është për shkak të prezencës së kamerave.

Por, kjo nuk është e gjitha. Gazetarët të cilët janë duke ndjekur seancën, kur kthehen në redaksitë e tyre, duhet të bëjnë një kronikë, e cila në maksimum zgjat dy minuta. Kësisoj, ata zgjedhin momentet më pikante të debatit, duke u munduar që me pak fjalë dhe me disa imazhe, të përshkruajnë atë që ka ndodhur sot në kuvend. Sado të aftë e profesionistë të jenë gazetarët, është e pamundur që të pasqyrojnë të gjithë realitetin që ka ndodhur gjatë tërë ditës brenda parlamentit dhe seancave. Kështu pra, gazetarët krijojnë një realitet të ri mbi diksutimin në sallë. Kjo nuk do të thotë se ka kundërthënie midis këtyre dy realiteteve, por ka një dallim të madh midis diskutimit në sallë që zgjat me orë të tëra dhe kronikës së gazetarit që zgjat vetëm dy minuta.

Ndërkohë, në qoftë se kemi parasysh kanalet që transmetojnë drejtpërsëdrejti seancat parlamentare, kemi të bëjmë me një element krejtësisht të ri. Në këtë rast kamera televizive luan rolin e një kamere sigurie që xhiron çdo gjë që kap brenda kuadrit të vet. Por mungon gazetari në mes, i cili do të përzgjidhte, kombinonte dhe montonte momentet më interesante. Në këtë kuptim, këtu kemi vetëm një transmetim direkt, pa asnjë lloj elementi gazetaresk. Në rastet e transmetimit “live” të këtyre seancave, tek publiku krijohet një përshtypje se është duke ndjekur gjithçka që po ndodh aty. Nuk është e vërtetë. Publiku ndjek vetëm atë pjesë që kamera është duke xhiruar në atë moment. Ta zëmë, në kohën kur kamera është fokusuar në foltoren e deputetit dhe po xhiron folësin e momentit, në të njëjtën kohë diku kah fundi i sallës, mund të ketë me dhjetëra deputetë që rrinë në Facebook dhe nuk e kanë fare idenë se çfarë është duke folur kolegu i tyre, por publiku i televizionit nuk arrin ta shikojë këtë pjesë. Edhe në këtë rast, kemi një realitet të ri të sajuar mediatik, krahasuar me atë që po ndodh vërtetë në sallë. Kështu ndodh në të gjitha rastet ku ka kamera.

Përveç efektit të kamerës, një ndër faktorët kryesorë të krijimit të një realiteti të ri mediatik janë edhe studiot televizive, apo më saktë, raporti i gazetarit me të ftuarit. Filozofi dhe komunikologu i njohur shqiptar Artan Fuga, thekson se duke pasur një status formal të paanshëm dhe duke e ruajtur me xhelozi këtë paanshmëri sipërfaqësore, gazetari bëhet një faktor përcaktues në fushën e komunikimit të politikës. Është ai që i bën pyetjet politikanit, është ai që përcakton agjendën e diskutimit publik, që vë në dukje apo fsheh të metat e politikanëve gjatë shfaqjes politike televizive, që jep kohën në dispozicion të çdo politikani që ndodhet përpara kamerave dhe që, në fund të fundit, përzgjedh nuancat që dëshiron mbi figurën dhe paraqitjen televizve orale dhe fizike të çdo politikani.

Në shkurt të vitit 2016, në studion e edicionit të lajmeve në Televizionin Sitel, ishte i ftuar në një intervistë kryetari i LSDM-së Zoran Zaev përballë gazetarit Dragan Pavlloviq – Llatas. Kjo ishte intervista e parë që mban mend publiku ku Zaev ndodhet në këtë studio. Ndërkaq, në gusht të po të njëjtit vit, ishte i ftuar kryetari i VMRO-DPMNE-së, Nikolla Gruevski, rregullisht paraqitet si mysafir i lajmeve dhe programeve tjera në këtë televizion. Nëse i krahasoni këto dy intervista, do të shihni se bëhet fjalë për dy gjëra krejtësisht të ndryshme, duke filluar që nga pyetjet që u parashtrohen të ftuarve, raporti i gazetarit me të ftuarin, presioni apo komoditeti që u ofrohet atyre në kuptimin e kuadrit të kamerës, si dhe një sërë çështjesh të tjera që flasin për atë që quhet prodhim i ri mediatik i politikës. Këtu më nuk ka lidhje politika, gjithçka që po ndodh është një realitet i konstruktuar i medias. Ajo qasje që u bëhet të ftuarve nuk ka të bëjë fare me politikat e tyre. Është një konstrukt origjinal, i ri i realitetit, i prodhuar nga ky televizion. Kështu ndodh në çdo rast. I njëjti personazh i cili do të fliste për të njëjtën temë por në studio të ndryshme televizive, do të dilte me projeksione të ndryshme në sytë e publikut, varësisht orientimeve politike që proklamon ai televizion.

Këto tre shembuj që u paraqitën këtu, mund të shërbejnë si një dritë iluminuese apo hapje e një perspektive tjetër për ata që janë të interesuar të shkojnë një hap përtej konstrukteve të realitetit që u ofrohen çdo ditë në media, duke bërë një vlerësim krejtësisht individual dhe kritik mbi hapësirën dhe kohën që do t’u kushtonin këtyre prodhimeve, sa atraktive, aq edhe tekanjoze.

Në shtetet perëndimore, për shembull, në familjet e arsimuara edhe në kuptimin e arsimimit mediatik, ka trend për të hequr nga përdorimi apo për të përdorur në mënyrë shumë të kufizuar televizorin si aparat argëtimi. Ndërkohë në Maqedoni, mund të ketë familje që akoma nuk kanë arritur të kenë një televizor në shtëpitë e tyre. Një mes i artë gjithmonë do të ishte i mirëpritur.


Ky leksion gazetaresk është përgatitur në kuadër të Projektit të USAID-it për përforcimin e mediumeve në Maqedoni – Komponenta Shërbimi për verifikimin e fakteve nga mediumet, që implementohet nga fondacioni Metamorfozis.. Ky leksion gazetaresk është mundësuar me përkrahjen e Agjencisë amerikane për zhvillim ndërkombëtar (USAID). Përmbajtja e analizës është përgjegjësi e autorit dhe nuk i paraqet qëndrimet e fondacionit Metamorfozis, USAID-it ose të qeverisë së SHBA-ve. Për më tepër informata për punën e USAID-it në Maqedoni, ju lutemi vizitoni ueb-faqen e USAID-it: (http://macedonia.usaid.gov) dhe faqen e USAID-it në Facebook: (www.facebook.com/USAIDMacedonia).