Mediat kanë rëndësi të madhe në ruajtjen e gjuhës, ja pse dhe si

Foto ilustrim

Shkruan: Naile Dauti

Gjuha është mjet shumë i rëndësishëm për të përçuar mendimet, idetë, ndjenjat në mënyrë sa më të saktë. Si e tillë, gjuhës duhet t’i kushtohet vëmendje serioze sidomos nga  mediat, sepse sot, në kohën e internetit gjuha është më e rrezikuar se kurrë. Mediat kanë një rol pa diskutim shumë të rëndësishëm në ruajtjen dhe kultivimin e gjuhës shqipe, por edhe në rrezikimin e saj, duke futur fjalë të huaja apo duke zëvendësuar sintaksën e saj me të një gjuhe tjetër.  Në media, sidomos në ato onlajn, vërejmë gabime të shumta drejtshkrimore, morfologjike, sintaksore, etj., të cilat ndonjëherë janë të pafalshme. Lexuesi, i cili has në gabime të njëjta të përsëritura në vazhdimësi, me shumë gjasa, gabimet drejtshkrimore, pas një kohe do t’i duken të sakta. Më poshtë do t’i sqarojmë disa gabime që i hasim shumë shpesh në mediat shqipe.

Përdorimi i fjalëve të huaja edhe kur të njëjtat i ka gjuha shqipe

Kuptohet se zhvillimi i pandërprerë i industrisë, i tregtisë dhe i transportit, i teknikës dhe i shkencës, kërkojnë dita – ditës nga gjuha plotësimin e fjalorit të saj me fjalë e me shprehje të reja, të domosdoshme për veprimtarinë politike, ekonomike, shoqërore, etj. Për të plotësuar këto kërkesa lindin fjalë të reja, që quhen neologjizma. Lindja e fjalëve të reja bëhet edhe për një shkak tjetër: Nga leksiku i gjuhës dalin jashtë përdorimi, d.m.th vjetrohen shumë fjalë, për t’i zëvendësuar duhen krijuar fjalë të tjera. Shumë fjalë të huazuara me kohë, kanë dalë nga përdorimi i gjerë, për shkak se janë zhdukur vetë sendet e konceptet që shprehin ato (si historizmat breshanë, kumbara, xhandar, shishanet  etj.) ose se janë zëvendësuar nga fjalë të krijuara me brumin e shqipes. Por kur fjalët e huaja pranohen e përdoren pa nevojë, atëherë e prishin gjuhën. Nuk duhet të merren e të përdoren fjalë të huaja në gjuhë kur kemi fjalët tona, veçse në atë rast kur ato sjellin një kuptim të ri, një nuancë të re, një ngjyrim emocionues a stilistik etj., që nuk e japin vetë mjetet e shqipes. Por në media, fjalët e huaja nuk përdoren për shkakun që përmendëm, sepse të njëjtat i ka gjuha shqipe dhe nuk japin ndonjë nuancë të re apo ngjyrim emocionues a stilistik. Në vijim ju sjellim shembuj me fjalët e huaja që janë përdorur në media.

Ajo theksoi se kjo është çantë fallco (e rremë)

…mirëpo, më vonë u adaptuan (u përshtatën)

Ministri apeloi që të gjithë qytetarët (Ministri u bëri thirrje)

Ata të cilët janë kurioz të dinë (Ata të cilët janë kureshtarë)

…sekretari i përgjithshëm evitoi të përgjigjet drejtpërdrejtë. (sekretari iu shmang…) etj.

Fjalë të tjera të huaja që përdoren në media:

abrogoj –shfuqizoj, adaptoj – përshtas, afirmoj – pohoj, aman – të lutem, angazhohem – zotohem, indinjatë – zemërim, perfekt – i përkryer, karshi – kundrejt, superioritet – epërsi, proporcion – përpjesëtim, refuzoj – kundërshtoj, i komplikuar – i koklavitur, unanimisht – njëzëri, sinjal – shenjë, insistoj – këmbëngul, prezent – i pranishëm

Shquarsia tek emrat e përveçëm dhe drejtshkrimi i emrave të huaj

Emrat e përveçëm lakohen njëlloj si emrat e përgjithshëm, prandaj, për sa i përket kategorisë së shquarsisë dhe të pashquarsisë, ata u nënshtrohen po atyre rregullave, d.m.th. mund të përdoren  në të dyja trajtat. Në këtë pikë shqipja dallohet nga disa gjuhë të tjera. Por në media hasim raste kur nuk merren fare parasysh këto rregulla, sidomos për emra të përveçëm të huaj, por edhe për institucione etj. Në vijim mund t’i shihni shembujt me gabimet në media dhe mënyrën drejt të të shkruarit.

Nga zyra e Han në Bruksel njoftuan se në agjendë nuk parashihet takim me prokuroren e re publike Katica Janeva.  (Nga zyra e Hanit në Bruksel njoftuan…)

Prokurori publik në Republikën e Maqedonisë së Veriut, Lubomir Joveski realizoi takim me kryetarin e Eurodrejtësi, Ladisllav Hamran. (Prokurori publik në Republikën e Maqedonisë së Veriut, Lubomir Joveski realizoi takim me kryetarin e Eurodrejtësisë, Ladisllav Hamran.)

Hoyt Brian Yee do të zëvendësojë Jess Bailey… ( Hojt Brajan Ji do ta zëvendësojë Xhes Bejlin…)

…dërgoi letër të hapur deri te ministri i shëndetësisë… ( …i dërgoi letër të hapur ministrit të Shëndetësisë…).

Duke qenë se gjuha shqipe ka edhe lakim të emrave, shquarsi dhe pashquarsi, përdorimi i tillë si deri te, është përkthim tekstual nga gjuha maqedonase si p.sh. до работниците. Lakimi është vlerë e gjuhës shqipe që nuk e kanë shumë gjuhë të tjera, prandaj si e tillë duhet ruajtur.

Kur flasim për emrat e huaj, ata, zakonisht shkruhen ndryshe ndërsa lexohen ndryshe dhe për një lexues shqiptar që nuk ka njohuri për ndonjë emër të caktuar, sigurisht se nuk do të di si ta lexojë. Prandaj, emrat e huaj si p.sh. Kate Маry Burns (Kejt Mari Bërns), Donald Trump (Donald Tramp), Jess Baily (Xhes Bejli), Richard Houit (Riçard Hojt), duhet të shkruhen me drejtëshkrimin e shqipes, ndërsa në kllapa mund të shkruhet emri origjinal. Më poshtë ju sjellim disa shembuj se si mediat i kanë përdorur këto emra.

Fajon mesazh Francës: Turp i madh, Macron hap sytë!

Ambasadori amerikan në Shkup, Jess Baily, do të dorëhiqet?

Hoyt Brian Yee do të emërohet ambasador i SHBA në Maqedoni

Sipas eurodeputetit, Richard Houit, respektimi i marrëveshjes në Maqedoni është në interes të perspektivës evropiane të vendit. 

Sinkronizimi i filmave duhet të bëhet për të ruajtur gjuhën

Sinkronizimi i filmave në një gjuhë të caktuar, bëhet pikërisht për të ruajtur gjuhën dhe jo për ta prishur më shumë atë. Për shkak të gabimeve të shumta dhe përdorimit të fjalëve të huaja në sinkronizimin e filmave në gjuhën shqipe, dalim në përfundimin se qëllimi i këtyre dublimeve nuk është ruajtja e gjuhës ose se nuk është kuptuar drejt sinkronizimi.
Ne kemi analizuar një prej episodeve të filmit “Më fal”, i cili transmetohet çdo ditë në Televizionin Alsat prej më tepër se dhjetë vitesh. Aty kemi vërejtur mënyra të gabuara të përdorimit të foljeve dhe fjalë të huaja.

Min.11:24 – Mund ti jep (xh)gjakderdhje (shkronja gj në shqiptim tingëllon si xh), në vend se Mund t’i shkaktojë gjakderdhje.

Min. 13:02, 17:57 – Do të jep, Do të na jep në vend të Do të japë, Do të na japë

Në të ardhmen e lidhores dhe në të ardhmen e tashme, foljet e parregullta dhe gjysmë të rregullta e ruajë a-në tematike te format veprore , me përjashtim të vetës së dytë shumës ku ajo kthehet në e. Pra do të na japë dhe jo do të na jep.

Min. 22:24 – Çdo gjë do të del në shesh, në vend të Çdo gjë do të dalë në shesh

Min. 28:24 – Ti insiston shumë, në vend të Ti këmbëngul shumë

Shembuj të tjerë të ngjashëm nga mediat e shkruara:

…kushdo që do t’i premton këtë mbijetesë me atë do të shkon.(…kushdo që do t’i premtojë këtë mbijetesë me atë do të shkojë)

 dhe do të tenton LSDM-ja që të mbanë këtë numër të votuesve...(…dhe do të tentojë që LSDM-ja të mbajë këtë numër të votuesve…)

Lëvizja Besa paralajmëron se ka gjasa që në Njësinë Zgjedhore 2 ta merr edhe një deputetë, prandaj do të dorëzojnë edhe një ankesë...( Lëvizja Besa paralajmëron se ka gjasa që në Njësinë Zgjedhore 2 ta marrë edhe një deputet…)

Akuzë për kosovarin që tentoi të futë drogë në burgun e Idrizovës (Akuzë për kosovarin që tentoi të fusë drogë në burgun e Idrizovës)

Shqiptim i gabuar i shkronjave xh – gj, rr – r, ç – q

Shqiptimi i shkronjave të sipërpërmendura shpeshherë është i gabuar, me çka hiqen nga përdorimi në shqiptim shkronjat gj, q dhe rr. Më lart e patëm një shembull të tillë gjatë analizës së filmit, por nëse i dëgjoni me vëmendje ka pa fund gabime të tilla në shqiptim.

 kemi bërë thirje është për unifikimin… (…kemi bërë thirrje për unifikimin…)

Gabimet në numër ndërmjet trajtave të shkurtra

Ka gabime të shumta në përdorimin e trajtave të shkurtra, por në media shpesh gabimet në numër ndodhin ndërmjet trajtave të shkurtra të vetës së tretë njëjës e shumës të rasës dhanore, duke u përdorur njëjtë si në vend të shumësit. Kështu, trajta e shkurtër i e vetës se tretë dhanore ndeshet shpeshherë e përdorur gabim në vend të trajtës së shkurtër u të vetës së tretë shumës dhanore si:

Hristijan Mickoski i bëri thirrje qytetarëve që… (Hristijan Mickoski u bëri thirrje qytetarëve që…)

Sot kur çdo njeri përdor internetin për tu informuar është më i prirur se kurrë për të keqkuptuar drejtshkrimin, sintaksën dhe fushat tjera të gramatikës. Duke u nisur nga gabimet që i kemi përmendur më lart, kuptojmë se në fushën e medias ka mungesë të  lektorëve, puna e të cilëve është pikërisht korrigjimi i gabimeve të tilla. Jo vetëm kaq, por edhe institucionet përkatëse duhet të veprojnë në këtë drejtim, që të bëhet e obligueshme prezenca e lektorëve a gjuhëtarëve në institucionet ku gjuha rrezikon të prishet.