Medium, sipas definicionit, është përçues mesazhi nga dhënësi deri te marrësi, por ky përshkrim është shumë teknik. Sipas kësaj, media sot janë edhe celularët sepse edhe ata janë pajisje që shërbejnë për përçim mesazhi. Megjithatë, nuk do të merremi më shumë me teorinë e komunikimit, por do të përqendrohemi vetëm te mediat në kontekst të lajmit dhe informimit.
Shkruan: Fatlume Dervishi
Ndoshta u ka rënë në sy se si shumë “fan page” në “Facebook” në përshkrimin e veprimtarisë së tyre vetë-deklarohen si media, edhe pse ata nuk i kanë të gjitha karakteristikat e nevojshme për të qenë media të mirëfillta. Ja një shembull!
Me 10894 ndjekës (në momentin që bëhet analiza) Politico plus, në “Facebook” është e regjistruar si “Media/News Company”. Nga kërkimet në “Google” nuk gjendet asnjë ueb faqe e këtij të vet-quajtur medium.
Pse këto faqe nuk janë relevante?
Mediat në Maqedoni, që të bëhen anëtare të Këshillit Etik të Mediave (trup rregullator për etikën e mediave) duhet të përmbushin disa kritere. I pari; mediat duhet të kenë “impresum” (emra redaktorësh dhe gazetarësh të cilët prodhojnë lajmet), kontakte dhe adresë ku veprojnë. Ata duhet të jenë të regjistruara si persona juridik dhe të respektojnë Kodin etik të gazetarëve dhe rregulloret e tjera për punën e mediave, të kenë financa transparente, sipas ligjit, dhe të shënohen autorët e teksteve që botohen.
“Politico plus” nuk përmbush pothuajse asnjërin prej këtyre kritereve
Në “Facebook”, prej te kjo faqe shpërndahen linqe të mediave të tjera ose edhe video, fotografi dhe tekst në mur. Produktet e mediave të tjera që ndoshta i përmbushin kriteret e theksuar për një medie, shpërndahen të gatshme në “fan page”-in Politico plus. Përveç asaj, kjo faqe shpërndan edhe përmbajtje të tjera (dez)informuese, që shpesh kanë mangësi të theksuara dhe shkelje të parimeve etike të informimit. Kjo është arsyeja e kësaj analize. Ky i ashtuquajtur medium, në disa raste, ka shpërndarë përmbajtje kontestuese që shkelin parimet etike të informimit.
Në kohë pandemie dhe kur akoma janë në fuqi masat mbrojtëse ndaj virusit, kjo faqe fton për rezistencë nga ana e qytetarëve dhe nxit veprime në kundërshtim me masat dhe vendimet e Qeverisë, për shkeljen e të cilave pasojnë edhe gjoba.
Sipas Kodit etik të gazetarëve, “Gazetari do të respektojë ligjet e shtetit, mirëpo nuk do të publikojë ose fshehë asgjë që është në kundërshtim me interesin publik.”
Nxitjet nëpër publikime të ngjashme shihen gjithandej. Përveç që nxit lexuesit për rezistencë, autori i këtyre publikimeve bën përçarje fetare dhe etnike. Edhe ky veprim është në kundërshtim me Kodin etik të gazetarëve.
“Gazetari me vetëdije nuk do të krijojë ose përpunojë informata, që cenojnë të drejtat dhe liritë e njeriut, nuk do të përdorë gjuhën e urrejtjes dhe nuk do të nxisë dhunë ose diskriminim mbi çfarëdo lloj baze qoftë (kombëtare, fetare, racore, gjinore, shoqërore, gjuhësore, politike, orientimi seksual…)”
Pas një sërë publikimesh të ngjashme kontradiktore, shpërndarje të informacioneve të pasakta dhe nxitëse, kryesisht rreth pandemisë, “Facebook” ka “shoshitur” një pjesë të tyre dhe ka bllokuar një pjesë të përmbajtjes së kësaj faqeje. Kjo d.m.th. se këto përmbajtje janë në kundërshtim edhe me politikat e “Facebook”-ut. Në publikimin “Ja Coronavirusi e verteta shikonja!”, qëndron një mbishkrim nga “Facebook” se bëhet fjalë për informacione të rrejshme dhe përmbajtja e tyre nuk është e qasshme.
“Facebook” që në mars kishte informuar se do të largojë të gjitha përmbajtjet keqinformuese për virusin korona, të cilat mund të dëmtonin përdoruesit.
Nuk ka rregullore të posaçme për punën e “fan-page”-eve që vetë-deklarohen si medium ose faqe për informim. Të tilla “media” që veprojnë vetëm në “facebook” dhe që nuk janë media të mirëfillta, mund të ketë edhe të tjera. Por kjo nuk i amniston nga përgjegjësia (etike dhe morale) për shpërndarjen e informatave të rrejshme dhe informacioneve kontradiktore. Tek e fundit, as portalet (faqet elektronike të informimit) nuk funksionojnë sipas një ligji të caktuar. Ata mbetet të funksionojnë sipas parimit të vetë-rregullimit, duke e pasur të nevojshme të respektojnë të gjitha parimet etike të punës së një mediumi dhe të punës së gazetarëve.
Të bëjmë dallimin
Lexuesi duhet të bëjë dallimin mes faqeve profesionale informuese dhe atyre manipuluese. Hapi i parë është të kontrollohen emrat e autorëve të lajmeve, “impresumi” i mediumit dhe historiku që ka ajo në qasjen profesionale ose joprofesionale ndaj zhvillimeve. Thjeshtë, të kontrollohet nëse ajo është vërtetë një medie siç duhet të jetë. Pas kësaj, është më e lehtë të dallohet niveli i profesionalizmit të asaj medie në përgjithësi. Mediumi duhet gjithmonë të shfrytëzojë burime zyrtare, informacione të konfirmuara dhe të respektojë ligjet e shtetit. Nuk duhet të nxisë urrejtje, nuk duhet të bëjë përçarje dhe të promovojë teori konspirative të cilat nxisin frikë dhe panik tek qytetarët.