Kur gazetarët supozojnë në tekstet e tyre kjo gjë nuk siguron besueshmëri për lexuesit. Madje, kur supozimi përdoret në situata që i takojnë së kaluarës dhe që nuk ka rezultuar në ngjarje me pasoja të prekshme, bën që mediat të krijojnë “drama” të panevojshme vetëm për klikime. I tillë është lajmi që e recensojmë.
Linku deri te artikulli origjinal: “BDI para dy javëve për “një qime” i ka shpëtuar përjashtimit nga Qeveria!?”.
Data e publikimit: 24.09.2019
Data e recensionit: 04.10.2019
Recensuese: Fatbardha Curri
Titull sensacional dhe fotografi manipuluese
“BDI para dy javëve për “një qime” i ka shpëtuar përjashtimit nga Qeveria!?”, thuhet në titullin e lajmit që e recensojmë.
Sensacionalizmi i titullit ndodh në vlerësimin “për një qime”, e cila paraqitet si hapësirë fizike e cila ka pamundësuar përjashtimin e partisë Bashkimi Demokratik për Integrim (BDI) nga Qeveria. Sensacionalizmi vazhdon më tej, në përdorimin e shenjave të pikësimit të cilat nuk sqarohen brenda në artikull. Përdorimi i fotografisë ku shihen anëtarë të BDI-së duke duartrokitur, shenjë kjo e triumfit dhe gëzimit, i jep edhe dozë të manipulimit tërë artikullit.
Raportimi për ekzistimin e një drame që demantohet nga aktualiteti
Sensacionalizmi i synuar në titull, vazhdon edhe brenda artikullit gazetaresk duke e paraqitur ngjarjen që supozohet të ketë ndodhur si dramë.
Ajo çfarë thuhet në titull dhe brenda në artikull, demantohet nga vetë aktualiteti kur është shkruajtur ai, sepse veçmë Jovo Vangellovski është shkarkuar nga posti i Gjykatës Supreme, dhe partia Bashkimi Demokratik për Integrim (BDI) vazhdon të jetë pjesë e koalicionit.
Ta zëmë se mund edhe të kenë ndodhur dramat që synon autori, por nëse kjo nuk dëshmohet nga i njëjti atëherë artikulli mbetet veç “llaf-muhabet”.
“Zyrtarisht edhe në qeveri edhe në BDI thonë se raportet brenda koalicionit janë normale dhe se nuk përzihen në funksionimin e gjyqësorit”, thuhet në lajmin që e recensojmë.
Koncepti i Manipulimit “Thirrje në autoritet” dhe “Probabiliteti”
“Pas krijimit të kësaj situate, me ndihmën e faktorit ndërkombëtar Zaev ka arritur të sigurojë numrat e deputetëve në Parlament për krijimin e një shumice të re qeveritare. “Kur është përballur me këtë realitet, BDI ka lëshuar pe dhe e ka debllokuar shkarkimin e Vangellovskit””, thuhet në lajmin që e recensojmë.
Me artikullin është tentuar të manipulohet publiku me përdorimin e koncepteve si “Thirrje në autoritet”, që në këtë rast janë “ndërkombëtarët” dhe kryeministri Zoran Zaev. Edhe pse përmenden, ndërkombëtaret nuk paraqiten veçmas si emra, dhe as nuk përcillet deklaratë nga të njëjtit kur mund. Pa deklaratë, artikullit thirret edhe në autoritetin e Zaevit dhe Qeverisë së Republikës së Maqedonisë së Veriut.
Supozimi se BDI-ja ka insistuar në mosshkarkimin e Vangellovskit, dhe shpëtimi nga përjashtimi i Qeverisë “për një qime”, bën që në artikull të përdoret edhe “probabilitetit”. Kjo zakonisht ka për qëllim të plasohet në publik një hipotezë ka mundur të ndodh, por nuk ka ndodhur.
Kjo është në kundërshtim edhe me Kodin Etik të Gazetarëve.
“Gazetari ka të drejtë për qasje të lirë në të gjitha burimet e informimit, që janë me interes publik. Gazetari duhet të botojë informata të sakta dhe të provuara dhe nuk do të fshehë të dhëna esenciale dhe të falsifikojë dokumente. Nëse informata nuk mund të konfirmohet, ose nëse bëhet fjalë për supozim, respektivisht spekulim, kjo gjë duhet të thuhet dhe të publikohet. Saktësia e informatës duhet të provohet sa më shumë të jetë e mundur”.
Për lexuesit: kërkoni së paku një konfirmim zyrtar
Nuk është e ndaluar që gazetarët të shkruajnë për prapaskenat e ndonjë ndodhie. Por kjo duhet të bëhet në pajtim me rregullat e gazetarisë. Pasi të ketë kaluar një gjë mund të krijohen tregime e përalla pafund, andaj detyra e gazetarit është të shkruajë vetëm për atë që ka fakte dhe dëshmi. Ndërsa lexuesit të kenë kujdes kur hasin në tekste të këtilla, të kërkojnë së paku një konfirmim zyrtar në të.