Sarkazma dhe ironia në tekstet informative nuk duhet të zë vend, aq më pak kur bëhet fjalë për emra, figura historike ndërmjet dy etnitetesh, të cilat mund të nxisin urrejtje ndëretnike. Autori i teksti që zgjodhëm për recensim, ka tejkaluar kornizën e vet që është informimi, duke përdorur pikërisht këto dy elemente. Përmes ironisë glorifikohen figura politike, duke ua atribuuar arritjet kolektive vetëm një personi. Mënyra e raportimit të tillë në kohë parazgjedhore, nuk kuptohet ndryshe veç si fushatë ndaj një subjekti politik.
Linku origjinal i artikullit: Çka i bëri Ismail Qemali i BDI-së Zhinzifovit të Zoranit
Data e publikimit: 04.03.2020
Data e recensionit: 14.03.2020
Recensuese: Naile Dauti
Titulli tendencioz
Titulli i lajmit (Çka i bëri Ismail Qemali i BDI-së Zhinzifovit të Zoranit) është shumë ngacmues dhe tendencioz. Vërtetë librin nuk mund ta gjykojmë nga titulli i tij, por në shkrimet gazetareske nuk vlen ky rregull. Titulli i lajmit madje flet shumë për brendinë e artikullit.
Lëvdatat në ajër nuk janë cilësi e gazetarit
Teksti fillon duke i thurë lëvdata BDI-së dhe kreut të saj Ali Ahmetit. Ky i fundit është e paqartë se përse është përfshirë në tekst, pasi e gjithë ngjarja ka të bëjë me Ministrinë e Arsimit dhe kreun e LSDM-së, i cili në fillim tha se riemërtimi i shkollave është bërë në mënyrë joligjore.
“Ta fitosh Ali Ahmetin është vështirë sepse ai bën politikë me staza të gjata dhe në fund ai fiton kudo informon Tetova Sot. U ngritën të gjithë kundër emrit të shkollës në Çair dhe që të gjithë një e nga një ,Ali Ahmeti dhe BDI i mposhti edhe kësaj rradhe.Një ditë më herët mund të thuash çfarë të duash ,por një ditë më pas fillon t’i zbusësh tonet dhe jo ligjorja e Zaevit bëhet ligjore.Deklaratat e tij pompoze ranë në ujë dhe sërish “nokauti” politik i Ahmetit triumfoi përcjellë TetovaSot.”, thuhet në tekstin që recensojmë.
Mënyra se si është përcjellë lajmi është tërësisht joprofesionale, që nëse do ti lejohej ta bëjë dikush, është vetëm një portal apo faqe që karakterizohet si komike apo sarkastike. Por të profilizohesh si portal për informimin e drejtë të publikut dhe t’i servosh publikut këtë lloj informimi është jashtë çdo rregulli gazetaresk. Në tekstin në fjalë veç tjerash ka dy shkelje të theksuara të Kodit Etik të Gazetarëve, nenit 10 dhe 14.
“Gazetari me vetëdije nuk do të krijojë ose përpunojë informata, që cënojnë të drejtat dhe liritë e njeriut, nuk do të përdorë gjuhën e urrejtjes dhe nuk do të nxisë dhunë ose diskriminim mbi çfarëdo lloj baze qoftë (kombëtare, fetare, racore, gjinore, shoqërore, gjuhësore, politike, orientimi seksual…)”
“Raportimi për proceset politike, veçanërisht për zgjedhjet, duhet të jetë i paanshëm dhe i balancuar. Gazetari patjetër duhet të sigurojë distancë profesionale nga subjektet politike.”
Koncepti i manipulimit “Analogji false” dhe “Thirrje e emocioneve”
Autori i tekstit bën analogji midis figurave historike dhe politike, që në këtë rast ishte jo vetëm i panevojshëm por edhe jo etik, sepse mund të ngjallë urrejtje ndermjet etniteteve. Me “Thirrjen e emocioneve”, autori në të vërtetë po lavdëron figurat aktuale politike, por pavetëdijshëm duke u ndikuar nga emocionet e veta mund të ngjallë kështu emocione te lexuesi shqiptar, për diçka që nuk ka nevojë. Gazetari duhet të jetë i përmbajtur qoftë kur kritikon dikë për korrupsion edhe kur ka fakte, qoftë kur e lavdëron dikë edhe kur ka vërtetë merita.
Për lexuesit
Siç e përkufizon edhe Doracaku i Krithinkut gjuha e urrejtjes është keqpërdorimi i çdo forme të shprehjes, rezultati përfundimtar i së cilës është të inkurajojë dhe mundësojë kryerjen e krimeve të tjera, në këtë rast nxit urrejtje ndëretnike. Urrejtjeve të tilla duhet t’ju vij fundi dhe media duhet të kontribuojë në këtë drejtim dhe jo në të kundërtën. Prandaj lexuesit duhet që të mos bien pre e manipulimeve të tilla dhe t’i marrin me emocione e eufori “lajmet” e këtij lloji. Vetëm duke kontribuar të gjithë, qoftë edhe si lexues, mund të jemi shkaku për të pasur një botë pa urrejtje.