Zbulimi i grupit “Dhoma publike” në rrjetin social “Telegram”, ku publikohen foto dhe video eksplicite nudo, ngriti shumë pluhur dhe shtroi shumë çështje dhe probleme kontraverze me interes publik.
Është e paqartë se si ky grup, për të cilin kryeministri teknik, Oliver Spasovski tha se ishte formuar rishtas, ka arritur më shumë se 7.000 anëtarë për një kohë të shkurtër. Disa nga mediat nxituan të publikojnë në mënyrë sensacionaliste se ish-funksionarë të lartë, menaxherë të kafeneve, gazetarë dhe biznesmenë janë pjesë e grupit.
Prandaj, lind pyetja se të gjithë ata që janë anëtarë të këtij grupi, a kanë qenë të vetëdijshëm se ku figuron emri i tyre. A janë futur njerëzit në këtë grup me iniciativën e tyre apo dikush i ka futur pa dijeninë e tyre.
SI FUNKSIONON “TELEGRAM”-i?
Në grupet publike në ”Telegram” mund të inkuadrohet çdokush. Anëtarësimi në grupet e mbyllura, siç është ky, është pak më ndryshe, por edhe kjo nuk është shumë e vështirë, sepse bëhet përmes linkeve ftuese. Edhe mediat që raportonte për rastin, informuan se anëtarësimi bëhet duke dërguar mesazhe private, dhe më pas ai që e pranon porosinë automatikisht bëhet pjesë e grupit. Çdo anëtar i grupit mund t’i dërgojë kujtdo link me ftesë për t’u inkuadruar në grup dhe duke e klikuar linkun menjëherë bëhet anëtar i grupit. Këtë e konfirmon edhe administratori i grupit, i cili thotë se “puna doli jashtë kontrollit” me atë që “(…) një administrator shtoi një anëtar, një tjetër shtoi një të tretë dhe kështu për dy ditë grupi kishte afro 500 anëtarë“.
Aplikacioni rus “Telegram” me seli në Dubai gjithashtu ofron mundësi që personi që e përdor atë ta fshehë numrin e tij të telefonit dhe të paraqitet veten me pseudonim. Kështu, nëse dikush është nënshkruar si Tërpe Tërpevski, nuk do të thotë se ky është emri i tij i vërtetë. Në fakt, me këtë mund të bëhen manipulime dhe dikush të nënshkruhet me emrin dhe mbiemrin e një personi që është person publik dhe i njohur për të gjithë.
EDUKIM NË VEND TË SPEKULIMIT
Megjithëse rasti është shumë aktual dhe ngre një çështje shumë të rëndësishme që përfshin të miturit dhe ndërgjegjëson për pasojat që ata mund t’i pësojnë përmes grupeve të këtilla, megjithatë mediat duhet të jetë veçanërisht të kujdesshme në publikimin e të dhënave të këtilla.
Problematike janë edhe publikimet e pamjeve të ekranit (screenshot) nga postimet e bëra. Në fotografitë me përmbajtje intime, edhe pse të mjegulluara, megjithatë, qartë shihet se për çfarë bëhet fjalë. Ndërsa fotografitë me lëndë narkotike janë transmetuar qartë në media.
Para se të publikohen të dhëna spekulative mbi këtë temë, si mediat ashtu edhe përdoruesit e rrjeteve sociale duhet të presin që të përfundojë hetimi zyrtar i institucioneve kompetente, i cili duhet të japë përgjigje në shumë paqartësi lidhen me këtë rast.
E, në ndërkohë, pasi detyra e mediave, përveç informimit, është edhe edukimi, nevojiten më shumë artikuj edukativë në këtë temë që do ta rrisin vetëdijen e publikut për ekzistimin, parandalimin dhe zgjidhjen e problemeve të këtilla.