Mënyra e komunikimit në “bombat” e El Çekës, njohësit me qëndrime të ndara për modelin e instaluar

Përgjimi i bisedave telefonike,
Përgjimi i bisedave telefonike, "Bombat"

Pavarësisht se a kanë ose jo interes publik materialet e përgjuara apo “bombat” të publikuara nga i ashtuquajturi person “El Çeka”, një element tjetër që duhet të vlerësohet është edhe niveli i komunikimit apo vokabulari i shfrytëzuar nga aktorët e “bombave”, që thuhet se janë nga pjesëtarët e partisë politike Bashkimi Demokratik për Integrim (BDI). Për shkaqe etike nuk mund t’ua ilustrojmë nivelin e komunikimit, por reagime ndaj të njëjtës pati edhe nga akademikë e pjesëtarë të partisë. 

Për njohësit e çështjes së komunikimit publik, materialet e përgjuara paraqesin komunikim në nivel të privatësisë, ndërkaq ata janë të ndarë për çështjet: Llojin e komunikimit mes pjesëtarëve partiak, përfshirë këtu edhe liderin? A mund që ky komunikim të jetë model komunikimi në struktura shtetërore, duke e pasur parasysh se pjesëtarët partiak emërohen funksionarë shtetërorë?

Xhabir Deralla, "CIVIL"
Xhabir Deralla, “CIVIL”

Për drejtorin e Qendrës për Liri “CIVIL”, Xhabir Deralla lloji i komunikimit në nivel privat mund të jetë element vlerësimi i personalitetit dhe karakterit të politikanëve, por duke e pasur parasysh se të njëjtit ka zënë periudhë dhe vend të caktuar në shoqëri, sigurisht se ato mund të jenë indikatorë për atë se si ato do të silleshin nëse do ishin bartës të funksionit shtetërorë.

“Vokabulari i cili shfrytëzohet nga politikanët dhe personat publikë të cilin e ndjekim nga publikimi i materialeve të përgjuara, flet për një nivel të ulët të individëve në nivel personal, në një nivel, siç mund të shihet, karakteri i individëve të cilët i dëgjojmë në këto biseda. Sigurisht se ai është një indikator se si ata sillen apo do të silleshin në një pozitë përgjegjësi në të cilën do të gjendeshin. Personaliteti dhe karakteri në nivel privat të personave që janë publikë dhe në politikë, mund të themi se mund të jetë punë e tyre nëse ata kryejnë punën mirë kur ata do të ishin në funksion, megjithatë në këtë rast shohim se ato dy punë disi lidhen. Secili person publik, pavarësisht asaj se a është në orar të punës ose jo, flet për funksionin që e ka okupuar për një periudhë kohore në shoqëri. Kjo gjithashtu lidhet edhe me rekomandimet e Komisionit të Venedikut e cila porositi që duhet të gjitha bisedat që janë përgjuar, duhet të publikohen, përfshirë edhe ato private, veçanërisht nëse ato janë indikator për interesin publik. Kjo praktikisht flet gjithçka”, tha Deralla.

Për njohësin tjetër të komunikimit publik, Agim Jonuzi në përditshmërinë politike të Maqedonisë së Veriut komunikimi privat i politikanëve është një çështje irelevante, dhe më shumë ka të bëjë me sjellje etike dhe morale.

Agim Jonuz
Agim Jonuz

“Në çdo rast, komunikimi publik ka rregullat e saj, por në përditshmërinë tonë politike, komunikimi publik në të cilin marrin pjesë shumë persona në nivel privat tregon se nuk kanë sjellje etike dhe morale, dhe krijon një situatë krejtësisht irelevante. Gjeneralisht, komunikimi ndërmjet politikanëve në nivel privat, lejon ndonjëherë komunikim të nivelit më të ulët, kjo në kuptim të kualitetit, në kuptim të fjalorit të përdorur dhe kështu me radhë, sepse kjo është bisedë personale. Nuk mund të presim komunikim akademik në nivel privat, edhe nëse ata janë politikanë apo kushdoqoftë në shtet. Përveç asaj që “bombat” shkelën shumë të drejta, të cilat secili person në aspekt privat ka të drejtë t’i bëjë, në politikë, në diskurs publik, kur dikush publikon komunikatë, kur dikush thotë qëndrim publik, kur dikush përcjell mendim të një grupi, atëherë ajo ka aspektin zyrtar, megjithatë, i njëjti person nuk do të thotë se pajtohet me 20 persona përnjëherë, dhe në aspekt privat ajo kuptohet se ai ka të drejtë përleshet, të përdor ofendime, që është njerëzore, por kjo nuk duhet të jetë substrakt që dikush do ta përdor si kundërfushatë”, tha Jonuz.

A duhet të futet një lloj sistemi brenda partive për të krijuar pjekuri partiake – politike që më pas të kemi edhe pjekuri demokratike të një shoqërie?

Për Xhabir Derrallën niveli i komunikimit nuk do të kishte vëmendjen e caktuar, po që se personat e caktuar do ta kryenin punën mirë, por sipas tij, komunikimi është duke e dëshmuar të kundërtën e asaj që është shkruar në dokumentet e themelimit të partive.

“Unë nuk do të doja të flas se si duhet të duken vlerat të cilat përkëdhelen në kuadër të një partie, veçanërisht për atë se ata janë persona të pjekur dhe do të duhej të dinin se çfarë është sjellje e mirë, çfarë është vlerë dhe çfarë duhet të përkrahet. E shohim se partitë politike, veçanërisht në këto lloje komunikimi, tregojnë se personat janë bartës të funksioneve për qëllime krejtësisht të kundërta nga qëllimet që flasin dokumentet e themelimit të partive të tyre”, tha Deralla.

Përndryshe, gjatë studimit të komunikimit publik, komunikimi politik – partiak paraqet një nga shkencat që merret pikërisht me mënyrën se si informacionet përhapjen dhe ndikojnë në politikë dhe në krijimin e politikave. Komunikimi politik në aspekt teorik paraqet lidhjen e politikës me qytetarët nëpërmjet ndërveprimit ë grupeve të caktuara me njëra-tjetrën. Ajo studion mediat, fjalimet e politikanëve në luftën  tyre për të ndikuar në publik si nëpërmjet bisedave formale, edhe ato joformale ndërmjet pjesëtarëve të publikut, dhe më gjerë.

Sipas kontribuuesve të konsiderueshëm të komunikimit politik në Amerikë, Robert E. Denton dhe Gary C. Woodward të cilët duke studiuar ndikimin në mjedisin politik, ata kanë analizuar komunikimin publik të të gjithë personave që kanë autoritet të ndajnë burimet publike, për të marrë vendime, që në kuptimin praktik sipas tyre, atë që e bën dikë “amerikan”,  me çka kanë sjellë përfundimin se, “faktori kryesor që e bën komunikimin ‘politik’ nuk është mesazhi, por është kontesti dhe qëllimi i tij”.