Mizrahi nuk është shkarkuar nga posti ministror sepse është hebreje

[Recension: HITLERI DHE GEBELSI U RINGJALLËN NË MAQEDONI – Shkarkohet ministresha Rashella Mizrahi!]

 

Teksti të cilin e recensojmë flet për një antisemitizëm joekzistues, dhe, mbi të gjitha, e ndërlidh këtë me shkarkimin e ish-ministres teknike për punë dhe politikë sociale, Rashela Mizrahi. Vendosja e këtyre dy gjërave në kontekstin e njëjtë e bën këtë tekst spinues dhe problematik.

Rashela Mizrahi nuk u shkarkua sepse është hebreje, gjegjësisht për shkak të përkatësisë së saj fetare ose kombëtare. Ajo nuk u shkarkua për shkak të diçkaje që dikush e ka shkruar në “Twitter” ose “Facebook”, e aq më pak për shkak të antisemitizmit. Mizrahi u shkarkua zyrtarisht për mosrespektim të vazhdueshëm dhe të përsëritur të Kushtetutës dhe të ligjeve, për të cilën gjë edhe Greqia dërgoi notë verbale për mosrespektimin e marrëveshjes ndërkombëtare (Marrëveshja e Prespës).

Linku deri te artikulli origjinal: HITLERI DHE GEBELSI U RINGJALLËN NË MAQEDONI – Shkarkohet ministresha Rashella Mizrahi!

Data dhe koha e publikimit: 20.12.2017, 5:11

Data e recensionit: 17.2.2020

Recenzues: Mirosllava Burns

 

Askund në kërkesën për shkarkimin e Mizrahit nuk thuhet se ajo është shkarkuar sepse ishte hebreje ose për ndonjë arsye tjetër të deklaruar në tekst.

Titulli “Hitleri dhe Gebelsi u ringjallën në Maqedoni, shkarkohet ministresha Rashela Mizrahi” çon në mendimin se shkarkimi ka të bëjë me përkatësinë etnike të ish-ministres teknike, ose me faktin që ajo është hebreje, gjë që nuk është e vërtetë. Këto dy aspekte nuk janë të lidhura njëra me tjetrën. I gjithë shkarkimi ka të bëjë me mos përdorimin e emrit kushtetues në tabelën në sallën e konferencave për shtyp në Ministrinë e Punës dhe Politikës Sociale.

Ndërsa krahasimet me Gebelsin dhe Hitlerin, janë qesharake. Gebelsi dhe Hitleri askënd nuk e “shkarkonin” në mënyrë demokratike, duke votuar në Bundestagun gjerman, por në një mënyrë krejtësisht tjetër, e cila në historinë botërore paraqet shembull të çnjerëzimit dhe simbol i mizorisë.

Fotografitë e përdorura në tekst në mënyrë tendencioze e etiketojnë ish-kryeministrin, Zoran Zaev, dhe kryeministrin teknik, Oliver Spasovski, si nazistë, që është një turp për një produkt gazetaresk.

Po ashtu, në tekst me lehtësi thuhet se gjoja ka pasur:

… Qindra sulme antisemitike nga funksionarë dhe anëtarë të LSDM-së, ndërsa në opinion komentohet se sulmet udhëhiqen nga rruga e Ilindenin p.n. dhe ekipi propagandues i Marjan Zabërçanecit.

Qindra sulme është një numër paushall dhe i pambështetur me fakte, e kjo bëhet me qëllim që të “pompohet” teksti dhe provokimet e individëve të caktuar të vendosen në korelacion me personalitetin e  Marjan Zabërçanecit.

Përndryshe, sulmet kundër Mizrahit, për të cilat shkruan teksti, jo vetëm që u dënuan publikisht nga të gjitha subjektet e brendshme politike, si edhe nga bashkësia ndërkombëtare, por ndaj një personi të dyshuar u ngrit kallëzim i duhur penal nga ana e Ministrisë së Punëve të Brendshme.

Në tekst mungojnë detajet nga të cilat do të konstatohej arsyeja aktuale e shkarkimit të Mizrahit, që lidhen me faktin se në ministri ka një sallë për konferenca për shtyp, që është e pajisur plotësisht, dhe e cila është përdorur nga ish-ministrja Milla Carovska. Kjo sallë është e pajisur me një baner me emrin zyrtar kushtetues të vendit, i cili kurrë nuk është përdorur nga ish-ministrija teknike, Mizrahi.

Për dallim nga qëndrimet personale, në marrëdhëniet ndërshtetërore ka rregulla të dakorduara reciprokisht, të cilat vendet i kanë pranuar dhe që i rregullojnë marrëdhëniet midis shteteve.

Prandaj, shikuar në tërësi, lexuesve iu ofrohet një tekst joprofesional, manipulues, që krijon një pasyqyrë plotësisht të shtrembëruar të arsyeve për shkarkimin e ministres teknike për punë dhe politikë sociale.