Në Bogovinë nuk është instaluar rrjeti 5G, s’ka ngordhje të zogjve!

Disa media gjatë kohës së fundit kanë filluar të publikojnë dezinformata në lidhje me rrjetin 5G. Duke analizuar llojin e tyre, shohim se të njëjtat janë kopjuar nga dezinformatat që edhe kohë më parë janë publikuar nga mediat vendore dhe ndërkombëtare.

Nga Fatbardha Curri

Bëhet fjalë për video ku shihet antenë, e cila në portale dhe rrjete sociale shoqërohet me mbishkrimin se “në Bogovinë (fshat në rajonin e Pollogut) janë instaluar antena të rrjeti 5G”.

Por siç njoftojnë nga operatori A1 në përgjigjen që ia dërgojnë kryetarit të Komunës së Bogovinës, Albon Xhemailit, antenat nuk kanë për qëllim të transmetojnë rrjetin 5G, por të përforcojnë rrjetin aktual të internetit.

“Aktivitetet në këtë bazë nuk lidhen me kyçjen apo aktivizimin e rrjetit 5G, sepse frekuencat për shfrytëzim të shërbimeve 5G ende nuk janë ndarë nga Agjencia për Komunikime Elektronike”, thanë nga A1.

Të njëjtën e kanë konfirmuar edhe nga Telekom Maqedoni.

Me këtë, media edhe ka manipuluar, pasi në mbishkrim shihet përdorimi i konceptit “Fakte selektive”. Ky koncept paraqet prirje “për të treguar fakte që flasin për mbështetje të një pretendimi dhe në të njëjtën kohë injorim të fakteve që janë kundër të njëjtës”. Këtu për shembull kemi paraqitjen e antenës që vendoset në Bogovinë, por nuk tregohet funksioni i antenës.

Pas videos me antenën, u publikua edhe një video tjetër me mbishkrimin “Zogjtë mbyten nga rrjeti 5G thonë qytetarët! Video nga fshati Siniçan, Bogovinë”, duke dashur të përcjellin informacionin se zogjtë bien nga qielli pasi ngordhin. Kjo vjen pas videos me 5G, pas çfarë në publik u krijua përshtypja se zogjtë janë duke ngordhur si pasojë e instalimit të rrjetit 5G.

Këtu kemi prezencë të konceptit të manipulimit “Pas kësaj do të thotë për këtë”. Ky koncept paraqet “prirje për të besuar se nëse një ngjarje i paraprinë një të dyte, ajo është shkaku i shfaqjes së saj”. Në rastin tonë, media është përpjekur t’i thotë publikut se meqë kishim video me antenë, ngordhja e zogjve po vjen si rezultat i rrjetit 5G.

Nga këtu vlerësojmë se portalet kanë bërë edhe shkelje të Kodit etik të gazetarëve, sepse nuk kanë burim të informacionet dhe të njëjtat nuk janë verifikuar.

Këto lloj informacione kohë më parë u plasuan edhe për vendet tjera, por edhe aty u vlerësua se bëhet fjalë për dezinformatë. Puna shkoi deri aty sa u ngrit një peticion për ta ndaluar rrjetin 5G në Maqedoni.