Në kohë fushate mediat e internetit “mbijnë” si kërpudhat pas shiut

Foto ilustrim

Maqedonia e Veriut përgatitet për zgjedhjet e parakohshme parlamentare, të cilat janë caktuar për më 12 prill. Në periudha të tilla, gjithmonë aktivizohen fushatat e partive politike, të cilat pretendojnë mbledhjen e numrit më të madh të votave. Por bashkë me fushatat aktivizohet  edhe “propaganda e zezë”, rritet numri i lajmeve të rrejshme, rritet po ashtu edhe numri i mediave të internetit që në periudha të tilla,“mbijnë” sikur kërpudhat pas shiut. Gjithmonë kur në horizont shihen zgjedhjet,  mediat e internetit e zgjerojnë shtrirjen e tyre më shumë se në cilëndo periudhë tjetër. Media të tilla shpikin informata të ndryshme me përmbajtje mashtruese, me qëllim që të ndikojnë në bindjen e votuesit.

Shkruan: Ajnur Bafqari

Emër i ri, apo emër i ngjajshëm me një media tjetër, pak rëndësi ka. Qëllimi është i njejtë!
Vetëm tek “agregatët” e lajmeve mund të hasen plot emra të rinj të mediave të internetit, për të cilat paraprakisht qytetarët asnjëherë nuk kanë dëgjuar. Ndonjëherë faqet e reja të internetit vendosin emra pothuajse identik me një emër të ndonjë medie tjetër ekzistuese, duke shfrytëzuar besueshmërinë që e gëzojnë ato media dhe duke hutuar lexuesit, të cilët nuk janë shumë “detajistë”.

Zgjerimi i tyre bëhet më i lehtë nëpërmjet sinkronizimit me rrjetet sociale, falë të cilave promovimi tashmë është më i lehtë. Në këtë mënyrë hidhet hije mbi mediat profesionale dhe rritet qarkullimi i lajmeve të rrejshme dhe spineve që lëshohen nga ana e këtyre mediave online manipuluese. Shpeshherë, në periudha parazgjedhore publikohen tekste me përmbajtje hipotetike, të cilat kanë për qëllim që “t’i masin pulsin” votuesve se çfarë mendojnë rreth disa çështjeve të caktuara. Feedback-u që e marrin ato, vendoset më pas në shërbim të grupeve apo subjekteve të caktuara politike.

Ilustrim

Numri i mediave të internetit edhe këtë herë është rritur dukshëm. Crithink ju sjell vetëm disa nga emrat e rinj që kanë “mbirë”në këtë periudhë.

 

Linqet deri te disa media të reja elektronike:

ShkurtShqip

multinfo

Sharri.info

TOPshqip.mk

portaliarena

InfoAlb

Anshmëri politike, tituj provokativë, tekste boshe.. Gjithçka në një!
Ngjyrimet politike janë ato që më së pari bijnë në sy në momentin kur hapet cilado nga mediat elektronike në fjalë. Nëpër ballinat e tyre menjëherë vërehet numri i “lajmeve” të publikuara në favor të një subjekti politik, apo atyre në  dëm të subjekteve të tjera “kundërshtare”.
Tituj provokativë, të mbushura me komente dhe tekste boshe të pabazuara  askund, janë vetëm disa nga gjërat me të cilat lexuesit ballafaqohen nëpër media të tilla.
Autorët bëjnë përzgjedhjen e ngjarjeve që mbulojnë dhe mënyrën se si i mbulojnë ato, bëjnë shtrembërim të pjesëve të artikullit që nuk përkojnë me të vërtetën e plotë ose janë e vërtetë e pjesshme dhe e gjithë kjo bëhet me qëllim që të potencohet në dritë pozitive ose t’i bëhet dëm politik ndonjë partie, ideologjie ose personi.

Por pse këto fenomene më së shumti hasen te mediat e internetit?!
Mediat si televizionet, radiot dhe gazetat janë të rregulluara me ligj, ndërsa këto dispozita ligjore nuk vlejnë njëjtë edhe për mediat e internetit, për të cilat vetërregullimi është baza e vetme mbi të cilën duhet të veprojnë.  Mediat online krijojnë përmbajtje informacioni me kosto të ulët dhe potencial të lartë të shpërndarjes,  gjë që ka krijuar hapësira të reja për ata të cilët ndjekin interesa të ndryshme. Në këtë rast atyre që duan të shfrytëzojnë këtë mundësi, u mjafton vetëm të krijojnë një faqe interneti dhe të dijnë se si ta promovojë nëpër mediat sociale.

Verifikoni në kujtesën tuaj, ose në “kujtesën” e arkivit!
Prandaj lexuesit duhet të jenë më të kujdesshëm se nga ku zgjedhin të informohen. Nëpërmjet projektit Crithink, ekipi tashmë një kohë të gjatë po u sqaron se si të dalloni lajmet e vërteta nga ato të rreme. Megjithatë nëse në këtë periudhë një “informacion” ju huton, mundohuni të kujtoni nëse e mbani mend emrin e medias, nëse jo, bëhet fjalë për një të ri që qëllim nuk e ka informimin tuaj, por “punon” në favor të dikujt tjetër. Nëse emri është thuajse identik me ndonjë media që e keni lexuar deri më tani, shihni në publikimet e vjetra se deri në cilën datë arrijnë, nëse në arkiv nuk ka shumë tekste, ju tashmë e dini se për çfarë “mediumi” bëhet fjalë.