[Irani i përgjigjet SHBA-së me sulmin në bazat irakiane, duke vrarë të paktën 80 njerëz]
Informacioni se Irani sulmoi dy baza amerikane në Irak pas vrasjes së kryer nga SHBA-të të gjeneralit iranian Kasim Sulejmani ka bërë jehonë të fuqishme në hapësirën mediatike, ku mediat bënë gabime në dëshirën e tyre për të informuar sa më shpejtë.
Linku deri te artikulli origjinal: Irani i përgjigjet SHBA-së me sulmin në bazat irakiane, duke vrarë të paktën 80 njerëz
Data dhe koha e publikimit: 8.1.2020
Data e recensionit: 10.1.2020
Recenzues: Simona Atanasova
Pasi Garda Revolucionare e Iranit gjuajti raketa balistike në dy baza amerikane në Irak, televizioni shtetëror iranian nxitoi të njoftojë se në sulmet mbi bazat ishin vrarë të paktën 80 amerikanë. Dhe nuk tregoi se si u fitua ky numër, nuk ofroi asnjë burim, e as nuk prezantoi diçka që do ta konfirmonte pretendimin.
Dhe mediat pa bërë asnjë kontroll të mëtejshëm ose pa pritur që informacioni të konfirmohet nga të paktën edhe një burim tjetër relevant, nxituan ta publikojnë atë të paverifikuar dhe ta dezinformojnë publikun.
Edhe më problematike në këtë situatë është se ky informacion është marrë dhe është publikuar nga Agjencia shtetërore e lajmeve MIA, dhe më pas ishte marrë nga një numër mediash dhe portalesh të tjera në internet. MIA si agjenci shtetërore e lajmeve duhet të jetë shërbim që mediave të tjera do t’u ofrojë informacione që duhet të jenë të sakta, të verifikuara dhe të paanshme.
Nuk do të thotë se nëse televizioni shtetëror iranian raportoi se ishin vrarë të paktën 80 njerëz, kjo është automatikisht e vërtetë. Sidomos pasi që informacioni vjen nga një medie në pronësi shtetërore të vendit që e kreu sulmin. Kjo duhet të jetë shenjë shumë e qartë se informacioni mund të jetë lëshuar me qëllim që të shkaktohet huti te publiku dhe për të provokuar ndjenja të caktuara, veçanërisht në mesin e popullatës iraniane.
Kur lexohet vetëm titulli, i cili thotë se janë vrarë 80 njerëz, fitohet përshtypja se informacioni është i saktë dhe i verifikuar. Do të ishte më e përshtatshme në këtë rast të theksohet që në titull se ky numër pretendohet nga televizioni shtetëror iranian, në mënyrë që publiku ta ketë të qartë se prej ku vjen informacioni dhe se duhet marrë me rezervë.
Kjo u demantua nga autoritetet amerikane të cilët thonë se gjatë sulmit nuk kishte viktima.
Në një fjalim prej Shtëpisë së Bardhë drejtuar kombit, presidenti amerikan Donald Trump tha se asnjë Amerikan nuk u vra e as nuk u plagos gjatë sulmit me një duzinë raketash balistike kundër dy bazave ushtarake në Irak.
Nuk u humbën as jetë amerikane e as irakiane si rezultat i masave të marra paraprakisht dhe i sistemit të paralajmërimit të hershëm që funksionoi shumë mirë, DEKLAROI TRUMPI.
Siç raportoi Washington Post, autoritetet amerikane e dinin disa orë para sulmit se do të vinin raketat iraniane, pasi u njoftuan nga shërbimet e inteligjencës dhe për këtë arsye u shmangën viktimat.
Është e rëndësishme të theksohet se edhe dy ditë pas publikimit të këtij spekulimi, MIA ende nuk kishte bërë korrigjim të artikullit, dhe ky lajm mund të gjendet ende nën këtë titull.