Nga burime të afërta me “Facebook”-un…., në televizionin kombëtar

Rrjetet sociale plotësisht e ndryshuan mënyrën e komunikimit dhe i dhanë një dimension krejtësisht të ri komunikimit, raportimit dhe transmetimit të informatave, e me këtë e ndryshuan edhe qëndrimin e medieve ndaj raportimit. Përzgjedhja e informatave të publikuara në rrjetet sociale si burim prioritar i informatave është gjithnjë e më i shpeshtë te mediet, gjë që krejtësisht e ndryshon raportin e publikut dhe të medies, me ç’rast publiku bëhet pjesë e procesit të informimit.

Shkruan: Еlena Stojanovska

Nëse merret parasysh fakti se gazetarët gjithnjë e më shumë i shfrytëzojnë rrjetet sociale si burim i informatave dhe faktin se përdoruesit e “Facebook”-ut deklarohen se ky rrjet social është njëri nga burimet më të besueshme të informatave ku ata mbështeten, është e pashmangshme të paraqiten pyetjet e mëposhtme që u bëhen gazetarëve:

  • Cila nga informatat që mund të gjenden në “Facebook” është relevante që të transmetohet në medie?
  • A kanë kohë gazetarët që ta verifikojnë informatën me tërë përmbajtjen e saj?
  • Ku do t’i vendosë redaksia kufinjtë ndërmjet asaj që është relevante dhe asaj që në mënyrë të drejtpërdrejtë e shkel të drejtën e dikujt?

Menjëhesë pas stuhisë së madhe dhe vërshimeve në Shkup, televizioni kombëtar publikoi një kronikë në pjesën e programit informativ, ku në gjysmën e kohës u emetuan statuse të publikuara në profilet private në Facebook të personave që janë aktivistë të partive politike, shoqatave të qytetarëve, mirëpo edhe të personave, statuset e të cilëve janë vënë në konotacion me të cilin supozohet orientimi i tyre politik, qëndrimet dhe mendimet e tyre.

 

NGA ANA TJETËR E PRIVATËSISË

Shfrytëzimi dhe transmetimi i statuseve të huaja në Facebook, në esencë është problematike dhe hap shumë dilema. Para së gjithash, duhet nisur nga ajo se çdokush që ka profilin e tij në këtë rrjet social, informatat që i publikon janë të dedikuara për publikun që e ka zgjedhur ai vetë, e ata janë miqtë e tij në Facebook dhe ata që e ndjekin, në qoftë se e ka lejuar këtë. Publikimi në Facebook është publik, mirëpo kjo nuk nënkupton se mund të jetë në dispozicion për gjithë publikun.

Që të mund të problematizohet tema e shkeljes së privatësisë, duhet nisur nga ajo se statuset e kujt publikohen, mirëpo ajo që është edhe më me rëndësi, në çfarë konteksti janë transmetuar ato. Në qoftë se bëhet fjalë për persona që janë të njohur për publikun, ushtrojnë funksione publike, janë krijues të mendimit publik dhe publikojnë informata me karakter publik, transmetimi i statuseve të tyre si qëndrime mund të bëhet, mirëpo vetëm në qoftë se janë publikuar në profil të cilin personi e shfrytëzon si profil publik.

Në kronikën që është marrë si shembull, janë publikuar statuset e personave që nuk janë persona publikë. Përveç statuseve janë publikuar edhe fotografitë e tyre të profilit dhe emrat e plotë të profilit. Poashtu, për një pjesë të tyre, edhe pse nuk është e dukshme qartë nga fotografia që është bërë për profilet e tyre, janë dhënë informata për aktivitetet e tyre në shoqata të caktuara qytetare. Me mënyrën e këtillë të publikimit bëhet edhe lidhje e drejtpërdrejtë e këtyre njerëzve me parti të caktuar politike, e poashtu supozohet edhe orientimi i tyre seksual, informata këto të cilat, në bazë të Ligjit për mbrojtjen e të dhënave personale janë të ndjeshme dhe janë pjesë e kategorive të veçanta të të dhënave personale, publikimi i të cilave në këtë rast nuk është i lejuar.

Kategori të veçanta të të dhënave personale janë të dhënat personale që  e zbulojnë përkatësinë racore apo etnike, politike, fetare, filozofike apo ndonjë bindjeje tjetër, anëtarësimin në organizatë sindikaliste dhe të dhënat të cilat kanë të bëjnë me shëndetin e njerëzve, duke i përfshirë edhe të dhënat gjenetike, biometrike apo të dhënat të cilat kanë të bëjnë me jetën seksuale.

 

A I ARSYETON QËLLIMI MJETET?

Në llojin e këtillë të “lajmeve”, kur redaksia ka vendosur se burim i informatave do të jetë Facebook-u, ndërsa mënyra e publikimit të informatave nga profilet private është krejtësisht joadekuat, gjëja e parë që duhet të shihet ëshhtë qëllimi i informatës. Qëllimi i medies mund të jetë që të tregojë se si reagojnë shfrytëzuesit e rrjeteve sociale ndaj ndonjë situate të caktuar, si aktivizohen gjatë ndonjë fatkeqësie, cilat janë qëndrimet dhe mendimet e komunitetit në internet. Kjo nuk është aspak kontestuese. Nëse ky është qëllimi i transmetimit të statuseve nga Facebook-u, atëherë prezantimi i tyre duhet të bëhet me shumë kujdes, gjegjësisht me fotografi dhe emra të mjegulluara të profilit. Mirëpo, mosndërmarrja e këtyre masave nuk mund dhe nuk guxin të jetë mjet për publikimin e informatave në mënyrë në të cilën shihet se ka tendencë për etiketimin e personave dhe shfrytëzimin e profileve të tyre private për qëllime politike.


Ky leksion gazetaresk është përgatitur nga kuadër të Projektit të USAID-it për përforcimin e mediumeve në Maqedoni – Komponenta Shërbimi për verifikimin e fakteve nga mediumet, që implementohet nga fondacioni Metamorfozis.. Ky leksion gazetaresk është mundësuar me përkrahjen e Agjencisë amerikane për zhvillim ndërkombëtar (USAID). Përmbajtja e analizës është përgjegjësi e autorit dhe nuk i paraqet qëndrimet e fondacionit Metamorfozis, USAID-it ose të qeverisë së SHBA-ve. Për më tepër informata për punën e USAID-it në Maqedoni, ju lutemi vizitoni ueb-faqen e USAID-it: (http://macedonia.usaid.gov) dhe faqen e USAID-it në Facebook: (www.facebook.com/USAIDMacedonia).

 

Ky artikull edukativ fillimisht është publikuar nga Shërbimi për verifikimin e fakteve në media, ndërsa КriThink e ripublikon për ta informuar publikun për tema që kanë të bëjnë me njohuritë elementare mediatike dhe mendimin kritik