Nga kuazigazetari përmes mjekut popullor e deri tek publikimi i marrëzive të rrezikshme!

 

Fjala shëron, por edhe vret! Këtë fjalë të urtë sot e kanë harruar shumica e njerëzve në shoqërinë tonë, si dhe ato që merren me gazetari. Ata persona që kanë hyrë në gazetari krejt rastësisht ose me qëllim, por normalisht që nuk janë gazetarë, simbolikën e fjalës „vret”, mund ta shndërrojnë në realitet me papërgjegjshmërinë e tyre ndaj profesionit dhe mungesën e etikës elementare, e të mos flasim për atë profesionale. Shkak për këtë konstatim është pasqyra e përgjithshme që e vëmë re nëpër mediet e Maqedonisë, e veçanërisht në hapësirën e internetit, kur bëhet fjalë për raportimet e tyre për mjekësinë dhe shëndetin në përgjithësi.

 

„Pas fjalëve duhet të ketë dije. Kuptimi i shkencës maqedonase është ajo që i ndan gazetarët që shkruajnë për shëndetësinë nga gazetarët që mbulojnë tema të përgjithshme… ju nuk duhet të jeni shkencëtar ose mjek, por duhet të dini se si funksionon shkenca, të mendoni se si do ta përktheni zhargonin e tyre dhe idetë e tyre në një gjuhë të kuptueshme.”

(Tomas Linden, profesor i gazetarisë mjekësore)

 

Shkruan: Teofil Bllazhevski

 

Para dhjetëra ditësh në Shërbimin për verifikimin e fakteve (SHVFM) u recensua një raportim i tillë i papërgjegjshëm nga kjo fushë.

Në faqen e Sitellit ishte postuar një tekst i cili në një mënyrë plotësisht të paargumentuar propagandon refuzim të vaksinave. Nevojitet një papërgjegjshmëri e plotë e gazetarit ose redaktorit, ose thënë më mirë kuazi gazetarit, që të plasohet një tekst pa asnjë mbështetje. Aq më shumë që teksti është i paqarte dhe i pakuptueshëm dhe duket si një tekst i përkthyer me ndihmën e Google Translate!

Kjo ishte shtysë për një shqyrtim të shpejtë të asaj që publikohet nëpër portalet e Maqedonisë në temën e mjekësisë dhe shëndetit në përgjithësi. Shumica e portaleve shpesh vendosin që të publikojnë lajme nga mjekësia dhe në përgjithësi nga problematika lidhur me shëndetin, ndërsa motivet janë të dukshme – lexueshmëri, klikime, shikueshmëri. Shumica e tyre madje kanë edhe rubrika të veçanta, shpesh të emërtuara shëndeti, të cilat janë ose të ndara ose janë të vendosura si nënrubrika në rubrikat jetë, shkencë, ose edhe stil (!?). Një pjesë më e vogël e portaleve informative (Telegraf, MKD.MK, Kurir…) asnjëherë nuk publikojnë (ose shumë rrallë) lajme nga shëndeti dhe mjekësia, që mund të konsiderohet edhe si virtyt – më mirë të mos ketë lajme të tilla sesa të jenë të gabuara, ose qesharake. Por, mediet e përmendura, nga ana tjetër, rregullisht publikojnë tekste në lidhje me shëndetësinë në Maqedoni në përgjithësi, ndërsa një pjesë e tyre ato tekste i publikojnë në mënyrë jo kritikuese dhe të njëanshme.

Gjatë shqyrtimit mund të vihet re edhe një veçanti – në këtë fushë me shumë korrektësi informojnë portalet që nuk kanë gazetarë të specializuar, por u përmbahen standardeve themelore profesionale, prandaj detyrimisht e vënë edhe burimin e lajmit, autorit dhe ndonjëherë edhe linqe. Shembuj të tillë pozitivë më së shumti gjetëm tek portalet Toçkakëtu edhe këtu dhe Кајgana, edhepse tek ky i dyti mund të haset edhe ndonjë shembull i keq. Shumica e teksteve në këto dy portale në rubrikën Shëndeti kanë burim ose autor dhe janë të plasuar relativisht në mënyrë korrekte. Tek portalet të cilët bëjnë pjesë në ato të famshme, ndërsa aspak nuk shënojnë burime për lajmet e këtilla mund t’i përmendim Femina dhe Idividi (këtu dhe këtu), edhepse edhe këtu mund të hasen përjashtime, ku ka jo vetëm burim të shënuar, por edhe linqe.

Ka edhe faqe/portale të tilla, të cilat janë, ose duhet të jenë të specializuara për këto fusha, por edhe te këto shpesh mund të hasni lajme dhe informacione që janë jashtë standardeve të gazetarisë. I tillë është shembulli vijues, të cilin e gjetëm te portali Zdravje i ubavina.

Shembujt pozitiv janë me të vërtetë shumë të rrallë. Mund të veçohen platformat online të Nova Makedonija dhe Dnevnik (ku ky i dyti që moti ka një shtojcë të veçantë Shëndeti), si dhe ato të NOVA dhe 24 Vesti. Tek këto medie tekstet shkruhen kryesisht nga gazetarë të specializuar që e mbulojnë shëndetësinë, e prej këtu edhe tekstet e tyre me temat e shëndetësisë (dhe edhe mjekësisë), janë nga më korrektet në aspektin e gazetarisë.

Tekste goxha korrekte në aspektin e plotësimit të standardeve të gazetarisë mund të hasen edhe në portalin Zdravstvo 24, por ky portal është pothuajse plotësisht i përkushtuar ndaj sistemit shëndetësor. Faqja definitivisht më e mirë e përkushtuar ndaj kësaj problematike është Doktori Doktori. Kjo është njëherit edhe shembulli i vetëm i suksesshëm tek ne në të cilin kultivohet e ashtuquajtura gazetari mjekësore. Tekstet dhe këshillat nga fusha e mjekësisë dhe shëndetësisë janë plotësisht relevante, dhe kjo midis tjerash, i referohet faktit që këtë faqe të specializuar e redaktojnë dhe shkruajnë vetëm mjekë, specialistë dhe subspecialistë dhe profesorë universitarë, ose bashkëpunëtorë të tjerë shkencor.

Kjo është pasqyra e përgjithshme dhe rasti për trajtimin e temave nga fusha e mjekësisë dhe shëndetit (duke përfshirë edhe shëndetësinë), për të cilën nuk themi se është më precizja, por se është relativisht e saktë.

640px-Aerobic_exercise_-_public_demonstration07

Aktiviteti fizik është i shëndetshëm, por jo edhe kur vuani nga disa sëmundje të caktuara.Foto: Wikipedia

 

Gazetari mjekësore – degë e panjohur

Gjendja e këtillë është shumë tragjike. Publikohen të tilla marrëzi siç është teksti i lartpërmendur kundër vaksinave, ose tekste në të cilat përshkruhet se pse duhet të vraponi çdo ditë, ose duhet të pini ujë së paku tre litra në ditë, pa u vendosur asnjë mbështetje, pa u theksuar veçoritë, e me këtë hapet rruga që mund të sjellë edhe pasoja tragjike. Për shembull, një të sëmurë me kancer mund ta inkurajoni që të mbështetet plotësisht tek mjekësia alternative, një të sëmurë nga zemra mund ta inkurajoni që të ecë/vrapojë, ndërsa pacientë të sëmurë me tension të lartë të gjakut mund t’i vdisni me atë që do tu besojnë dhe do të pinë më shumë lëngje, pa i ditur pasojat ose veçoritë e kësaj sëmundje!

Arsyeja për gjendjen e këtillë qëndron në atë se tek mediet e Maqedonisë asnjëherë nuk është kultivuar specializimi i gazetarëve nëpër fusha (me disa përjashtime), si dhe në atë se në të dy shkollat kryesore për gazetari në vendin tonë nuk ka lëndë e cila do të emërtohej gazetari mjekësore, siç është shembull gjerësisht nëpër botë.

.

linden

Тоmas Linden. Foto: www.unc.edu

Doktor Tomas Linden, i cili është profesor në lëndën e Gazetarisë Mjekësore në Shkollën e Gazetarisë dhe komunikimit masiv në Universitetin e Karolinës Veriorethotë se nuk mund të raportoni për mjekësinë dhe shëndetësinë nëse nuk keni njohuri nga kjo fushë.

„Pas fjalëve duhet të ketë njohuri. Kuptimi i shkencës së mjekësisë është ajo që i ndan gazetarët e mjekësisë dhe gazetarët që mbulojnë tema të përgjithshme…. Nuk duhet të jeni shkencëtar ose mjek, por duhet të dini se si funksionon shkenca, të mendoni se si do ta përktheni zhargonin dhe idetë e tyre në gjuhë të kuptueshme angleze (gjuhë amtare).”

Sipas Linden, i cili ka qenë korrespondenti i parë për mjekësi dhe shkencë i CNBC, reporter për mmjekësi në KRONATV, redaktor për mjekësi në FOX 11News të Los Angelos, definitivisht nevojitet trajnim plotësues për të gjithë ato që janë të interesuar për raportimin e specializuar të mjekësisë dhe shëndetësisë. Ai thotë se nevojiten dy lloje të trajnimit plotësues. Ato të cilët janë tashmë në gazetari dhe punojnë si reporterë të përgjithshëm nevojitet të ndjekin të paktën ndonjë kurs për gazetari të mjekësisë dhe gjithashtu edhe të kenë njohuri të përgjithshme nga biologjia, kimia, gjenetika dhe fizika.

Lloji i dytë i trajnimit plotësues është për mjekët që kanë vendosur të merren njëkohësisht me gazetarë. Sipas profesorit, këto duhet të ndjekin ndonjë kurs të përgjithshëm për gazetari dhe t’i mësojnë rregullat bazë të shkrimit.

Gary-Beijing-talk

Geri Svicer. Foto: Health News Review

 

Edhe në Perëndim gabojnë

Geri Svicer, i cili ka karrierë prej më shumë se 40 vitesh si gazetar i specializuar për raportime nga fusha e mjekësisë dhe shëndetësisë, dhe është themelues i faqes më të mirë të internetit për recensione të teksteve që i dedikohen mjekësisë Heаlth News Review, thekson se një pjesë e madhe e gazetarëve në këtë fushë shpesh nuk kanë sukses në punën e tyre.

Në hulumtimin e publikuar në vitin 2008, pas një mbikëqyrjeje dy vjeçare të 500 tregimeve gazetareske nga kjo fushë, ai ka konstatuar se gazetarët shpesh nuk arrijnë të bëjnë diskutime për çmimin e kostos, për cilësinë e provave, për ekzistimin e opsioneve alternative dhe madhësinë e dobive ose dëmeve (nga zbulimet e reja mjekësore ose barnat).

Sipas Svicerit, i cili dhjetë vite ka ligjëruar gazetari mjekësore dhe etikë mediatike në Shkollën e gazetarisë dhe komunikime masive të Universitetit të Minesotës, raportimi për medicinën dhe shëndetësinë duhet patjetër të jetë i saktë, i balancuar dhe i plotë.

„Nëse raportimi është jo i plotë, i pa balancuar ose i pasaktë, konsumatorët (lexuesit) mund të fitojnë pritshmëri joreale dhe të kenë kërkesa joreale për mbrojtjen dhe kujdesin e tyre shëndetësor, me çka dobishmëria mund të jetë e vogël dhe madje mund të jetë edhe e dëmshme.” – këshillon Svicer.

Ai e pranon se gazetarët që shkruajnë për mjekësinë ose sistemin shëndetësor shpeshherë përballen me kohë të shkurtër për tregimet e tyre, me presion nga redaktorët, dhe me të dhëna të gabuara, gjegjësisht jo të plota të marra nga burimet e tyre. Por, e gjithë kjo nuk është e mjaftueshme që të gjendet arsyetim. Në faqen e tij, ndaj pyetjes se a janë fer ndaj gazetarëve në këtë fushë, qëndron shpjegimi se pikërisht për shkak të ndikimit të madh të arsimimit tek njerëzit në lidhje me shëndetin e tyre, nuk guxon të ketë kompromis rreth cilësisë së teksteve. Edhe një herë theksohen tri kriteret themelore – saktësi, balancim dhe plotësi!

Ekspertët që punojnë në këtë projekt kanë shënuar dhjetë kritere në bazë të së cilave i vlerësojnë tekstet e publikuara nëpër mediet kryesore amerikane, të cilat i referohen mjekësisë dhe shëndetit. Tek ne nuk ka shkolla adekuate për këtë, prandaj këtu do t’i përcjellim kriteret e tyre që ua sugjerojnë lexuesve si kritere të nevojshme që të binden në relevancën e një teksti, dhe njëkohësisht u shërbejnë edhe vetë recensuesve në projekt. Këto kritere (madje edhe pa marrë parasysh kontekstin e ndryshëm të sistemeve shëndetësore), njëkohësisht mund të konsiderohen si udhëzues për autorët ose redaktorët e të gjitha teksteve të ardhshme gazetareske që duhet të publikohen në mediet tona, me qëllim që të mos publikohen pasaktësi dhe bile edhe marrëzi nga kjo fushë:

  • Sa kushton i gjithë (trajtimi, ilaçi)?
  • Sa shpesh është vënë re efekt i dobishëm (nga trajtimi ose ilaçi)?
  • Sa shpesh ndodhin dëmtime/dëme (nga trajtimi ose ilaçi)?
  • Sa të fuqishme janë provat (për trajtimin, ilaçin, zbulime të reja nga hulumtime të ndryshme)?
  • A janë gjendjet e përshkruara të ekzagjeruara (nga trajtimi, ilaçi ose hulumtimi)?
  • A ekziston një mundësi alternative (për trajtim, për ilaç)?
  • A bëhet fjalë me të vërtetë për një qasje të re (një mënyrë të re shërimi)?
  • A kam qasje unë deri tek ai (a është trajtimi ose ilaçi në dispozicion të të gjithë pacientëve në sistemin e shëndetësisë së një vendi konkret)?
  • Kush e promovon këtë?
  • A ka konflikt interesash (ndërmjet pronarit të medies, gazetarit, redaktorit dhe subjektit ose në lidhje me temën për të cilën shkruhet)?

 

Për çiklizmin dhe prostatën

Për fund, një shembull të një recensioni të tyre për një temë për të cilën shkruanin edhe mediet tona – studimi i lidhshmërisë së disa sëmundjeve, midis të cilave dhe kanceri i prostatës tek meshkujt dhe çiklizmi.

All_Mountain_Mountain_Bike

Ja çka publikuan në korrik të këtij viti disa portale tonat midis të cilave edhe Zdravstvo 24: Çiklistët kanë 6 herë më shumë rrezik për të fituar kancerin e prostatës

Këtë studim ose lajm për studimin e kanë gjetur edhe mediet amerikane dhe para do kohe një prej tyre ka publikuar një lajm me titull: Sipas një studimi, rreziku nga kanceri i prostatës tek burrat çiklistë më të vjetër se 50 vite është rritur.

Geri Svicer para do kohe e ka recensuar këtë tregim (të publikuar në medien amerikane) dhe ka vërtetuar se tregimi është i gabuar, përfshirë këtu edhe titullin! Prej këtu mund të nxjerrim një shembull konkret dhe të mirë, duke e krahasuar edhe me faqen tonë që e ka publikuar lajmin (të përcjellë) nga një gazetë britanike, me çka mund të shihet mirë zinxhiri i informimit të gabuar dhe krijimit të konfizionit tek lexuesit!

Prandaj në fund do të përsërisim – fjala mund të vrasë ose të shkaktojë dëm të jashtëzakonshëm. Këtë duhet ta kenë parasysh të gjithë gazetarët, e sidomos ato që shkruajnë për mjekësinë ose shëndetin. Të interesuarit mund të gjejnë edhe më shumë udhëzime praktikë për punën e tyre faqen në vazhdim në faqen e mëposhtme ose, nga ana tjetër, le t’i kushtojnë pak vëmendje për shembull, faqes Health në BBC.


Ky leksion gazetaresk është përgatitur nga kuadër të Projektit të USAID-it për përforcimin e mediumeve në Maqedoni – Komponenta Shërbimi për verifikimin e fakteve nga mediumet, që implementohet nga fondacioni Metamorfozis.. Ky leksion gazetaresk është mundësuar me përkrahjen e Agjencisë amerikane për zhvillim ndërkombëtar (USAID). Përmbajtja e analizës është përgjegjësi e autorit dhe nuk i paraqet qëndrimet e fondacionit Metamorfozis, USAID-it ose të qeverisë së SHBA-ve. Për më tepër informata për punën e USAID-it në Maqedoni, ju lutemi vizitoni ueb-faqen e USAID-it: (http://macedonia.usaid.gov) dhe faqen e USAID-it në Facebook: (www.facebook.com/USAIDMacedonia).

 

Ky artikull edukativ fillimisht është publikuar nga Shërbimi për verifikimin e fakteve në media, ndërsa КriThink e ripublikon për ta informuar publikun për tema që kanë të bëjnë me njohuritë elementare mediatike dhe mendimin kritik